Sistemi i gënjeshtrës

Ndaje

Çfarë ndodh me një shoqëri kur gënjeshtra nuk është më devijim nga norma, por bëhet vetë mekanizëm i funksionimit të saj,kur mediokriteti nuk mbetet një kufizim individual, por shndërrohet në kriter përzgjedhjeje,kur pangopësia riemërtohet si ambicie, oportunizmi si inteligjencë praktike dhe mungesa e meritës si aftësi për t’u përshtatur me realitetin? Kjo është pyetja që një shoqëri duhet t’ia bëjë vetes, atëherë kur fillon të kuptojë se problemi nuk qëndron më vetëm te individët që abuzojnë me pushtetin, te zyrtarët që shkelin rregullat, te profesionistët e papërgatitur që vendosen në pozicione përgjegjësie apo te njerëzit që pasurohen përtej çdo raporti të arsyeshëm me kontributin e tyre, por te një proces shumë më i thellë i erozionit të normave, përmes të cilit, sjelljet që dikur konsideroheshin të papranueshme gradualisht humbasin ngarkesën e tyre morale dhe fillojnë të perceptohen si mënyra të zakonshme, madje të domosdoshme, për të avancuar. Ky është sistemi i gënjeshtrës, jo vetem një sistem që funksionon vetëm duke prodhuar gënjeshtra, por një sistem që arrin ta bëjë gënjeshtrën të padukshme duke e integruar atë në rutinën institucionale, në marrëdhëniet shoqërore, në gjuhën e suksesit dhe, në fund, në imagjinatën e brezave të rinj. Në një shoqëri të tillë, nuk mjafton më të pyesim nëse dikush është i aftë,duhet të pyesim se çfarë mekanizmi e ka vendosur atë në pozicionin ku aftësia e tij duhet të merret si e mirëqenë, pavarësisht mungesës së provave që e mbështesin atë, sepse problemi nuk është më vetëm paaftësia e individit, por arkitektura sociale dhe institucionale që e lejon paaftësinë të prodhojë autoritet. Dhe pikërisht këtu fillon tragjedia shqiptare aspak te mungesa e njerëzve të aftë, sepse ky vend ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë njerëz me dije, profesionalizëm, kreativitet dhe kapacitet të jashtëzakonshëm, por te pamundësia e një pjese të institucioneve për ta kthyer këtë kapital njerëzor në kapital shoqëror, për shkak të mekanizmave të përzgjedhjes, klientelizmit, ndërhyrjeve informale dhe deformimit të kriterit të meritës. Në sistemet ku meritokracia funksionon si parim real dhe jo si dekor gjuhësor, pozicioni është rezultat i një procesi të verifikueshëm kompetence, ndërsa në sistemet ku meritokracia është vetëm një term që përsëritet në dokumente dhe konferenca, pozicioni mund të bëhet vetë burim i legjitimimit të kompetencës, nuk je i aftë sepse ke dëshmuar se je i aftë, konsiderohesh i aftë sepse ke arritur në pozicionin ku të tjerët janë të detyruar të të konsiderojnë të tillë. Ky është paradoksi më i rrezikshëm i antivlerës. Sepse kur një individ pa përgatitjen e nevojshme vendoset në një pozicion të rëndësishëm, ai nuk dëmton vetëm cilësinë e një institucioni,ai dëmton hierarkinë simbolike të shoqërisë, pasi u dërgon të tjerëve mesazhin se përgatitja nuk është domosdoshmërisht kusht i autoritetit dhe se rruga drejt suksesit mund të kalojë jashtë dijes, punës dhe përgjegjësisë. Dikur, pavarësisht kufizimeve të sistemeve të mëparshme dhe pavarësisht padrejtësive që ato prodhonin, ekzistonte një lloj besimi kolektiv se dija kishte peshë, profesioni kishte dinjitet, puna ndërtonte reputacion dhe përgjegjësia kërkonte përgatitje,sot, në një realitet ku imazhi është bërë pjesë e kapitalit social dhe ku shpejtësia e dukshmërisë shpesh tejkalon shpejtësinë e formimit, po shfaqet një logjikë tjetër, sipas së cilës nuk është më e domosdoshme të jesh kompetent për të qenë i dukshëm, mjafton të jesh i dukshëm për të krijuar perceptimin se je kompetent. Dhe kur perceptimi zëvendëson substancën, shoqëria hyn në një fazë të rrezikshme të inflacionit të reputacionit,shumë emra, shumë tituj, shumë pozicione, shumë deklarata, shumë imazhe suksesi, por gjithnjë e më pak raport ndërmjet autoritetit të pretenduar dhe kapacitetit real. Në këtë pikë, mediokriteti nuk është më thjesht mungesë excellence por strukturë riprodhuese. Mediokri që ngjitet në një pozicion nuk ka gjithmonë interes të rrethojë veten me njerëz më të aftë se ai, sepse prania e tyre do ta ekspozonte kufizimin e tij,për pasojë, sistemi mund të fillojë të riprodhojë të njëjtin profil, duke favorizuar jo domosdoshmërisht më të aftin, por më të përshtatshmin ndaj mekanizmit ekzistues, dhe kështu antivlera nuk transmetohet vetëm përmes individëve, por përmes selek­sionit të individëve. Këtu ndodhet thelbi i problemit. Një sistem nuk bëhet i padrejtë vetëm kur shkel rregullat por kur krijon rregulla formale që thonë një gjë dhe mekanizma informalë që prodhojnë një tjetër. Dhe kjo kontradiktë është një nga format më të sofistikuara të gënjeshtrës.Në letër flitet për meritë,në praktikë mund të kërkohet afërsia. Në deklarata flitet për profesionalizëm, në realitet mund të shpërblehet bindja. Në dokumente flitet për transparencë,në kulturën institucionale mund të mbizotërojë heshtja. Në auditorë flitet për etikë,jashtë tyre i riu mund të shohë se si etikën e humbet pikërisht ai që kërkon të ngjitet. Dhe një brez i ri nuk mund të edukohen pafundësisht me fjalë që bien ndesh me realitetin që ai sheh sepse modeli më i fuqishëm pedagogjik nuk është ligjërata por shembulli. Nëse i riu dëgjon se duhet të punojë fort, por sheh se puna anashkalohet, nëse i thuhet të jetë i ndershëm, por sheh se pandershmëria shpërblehet, nëse i thuhet të studiojë, por sheh se mungesa e dijes nuk e pengon dikë të marrë autoritet, atëherë sistemi po zhvillon një pedagogji të kundërt me atë që pretendojnë institucionet arsimore dhe familjet. Po e edukon me antivlerën dhe kjo është shumë më e rrezikshme se çdo dështim individual. Sepse dështimi individual korrigjohet, një normë e deformuar socializohet. Ajo kalon nga një brez te tjetri, bëhet pjesë e pritshmërive, transformohet në cinizëm dhe më pas rikthehet si sjellje: “Kështu funksionojnë gjërat.” Kjo fjali, në dukje e pafajshme, është ndoshta një nga fjalitë më të rrezikshme që mund të prodhojë një shoqëri sepse aty fillon kapitullimi moral. Njeriu nuk proteston më kundër padrejtësisë por mëson ta parashikojë atë. Nuk revoltohet më ndaj mediokritetit por mëson të përshtatet me të. Nuk kërkon më meritën por kërkon mekanizmin që e anashkalon meritën. Dhe në atë moment, sistemi i gënjeshtrës, nuk ka më nevojë të përdorë dhunë, sepse ka arritur diçka shumë më efikase,ka prodhuar bashkëpunimin psikologjik të atyre që e vuajnë atë. Kjo është arsyeja pse çështja nuk mund të reduktohet në disa raste korrupsioni apo në disa figura të dyshimta, por duhet parë si problem i kapitalit moral të shoqërisë, i besimit institucional dhe i mënyrës se si ndërtohet hierarkia e prestigjit. Sepse kur shoqëria i jep më shumë vlerë atij që zotëron pushtetin sesa atij që zotëron dijen, më shumë vlerë atij që ka akses sesa atij që ka kompetencë dhe më shumë vlerë atij që shfaqet sesa atij që ndërton, atëherë nuk kemi thjesht një krizë administrimi por të vetë kuptimit të suksesit. Dhe ndoshta ky është dëmi më i madh që mund t’i bëjmë një brezi. T’i marrim një të riu bindjen se përsosmëria ia vlen, dëshirën për të mësuar,respektin për profesionin,besimin se puna e mirë do të njihet,bindjen se karakteri ka vlerë. Pastaj të habitemi pse ai kërkon një rrugë tjetër. Një pjesë e të rinjve nuk po largohen vetëm për paga më të larta apo për kushte më të mira jetese por nga lodhja morale e një sistemi ku shpesh nuk arrijnë të shohin lidhjen midis përpjekjes dhe shpërblimit, dhe kjo është një humbje shumë më e madhe se emigrimi ekonomik, sepse kur një shoqëri humbet besimin e brezit të saj të ri tek rregullat e lojës, ajo humbet një pjesë të kontratës së saj sociale. Prandaj problemi nuk është vetëm se disa njerëz po ngjiten pa meritë por se po krijohet një shoqëri, ku merita duhet të justifikojë vazhdimisht ekzistencën e vet përballë antivlerës, ndërsa antivlera nuk ndihet më e detyruar të justifikohet. Dhe këtu qëndron pyetja që nuk duhet ta shmangim: Sa gjatë mund të mbijetojë një shoqëri në të cilën njerëzit më të aftë mësohen të heshtin, më të ndershmit mësohen të durojnë dhe më të rinjtë mësohen se për të ecur përpara duhet së pari të mësojnë rregullat e një loje që nuk u mësohet në asnjë tekst shkollor? Sepse një shoqëri nuk rrënohet vetëm kur humbet paratë, institucionet apo njerëzit por kur humbet kriterin me të cilin dallon vlerën nga antivlera dhe kur kjo ndodh, gënjeshtra nuk ka më nevojë të fshihet.Ajo është bërë sistem. Sistemi i gënjeshtrës.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit