A ka ndonjë shije që mund të na kthejë pas në kohë më shpejt se një frut i stinës?
Për mua, rrushi ka këtë fuqi e mjafton të shoh një bistak të errët, të mbushur me kokrra të pjekura, dhe mendja më kthehet menjëherë në oborrin e shtëpisë sonë, atje ku, në krahun e majtë, hardhia me rrushin amerikan e mbulonte aq bukur hapësirën, duke krijuar një lloj strehe natyrore nën të cilën vera zgjatej pak më shumë dhe vjeshta dukej më e butë. Më kujtohet tavolina e madhe e veshur me ate plastmasin karakteristik, karriget, ngjyra e errët e rrushit që varej mbi kokat tona dhe krijonte një kontrast të veçantë me dritën e oborrit, ndërsa dielli i ngrohtë i vjeshtës binte mbi gjithçka, me atë butësinë që vetëm pasditet e shtatorit dhe tetorit dinë ta kenë. Sa keq që nuk kam një fotografi të atij ambienti! Sot do të doja ta kisha një të tillë, jo thjesht për të parë oborrin, por për të rikthyer një copëz të një kohe që tashmë ekziston vetëm në kujtesë. Të dielave, shtëpia kishte një ritëm tjetër. Mami hapte petët e byrekut, me atë durimin e grave që e kanë kthyer gatimin në një art të trashëguar, ndërsa teze Beta dilte në atë dritaren e vogël që binte drejt oborrit tonë dhe ne, mes një detyre shkolle e një mësimi, përpiqeshim të mësonim, të shkruanim apo të mbanim mend ndonjë gjë, ndërsa dielli i butë i vjeshtës na shpërqendronte bukur. Dhe mes gjithë kësaj ishte hardhia e rrushit. Babi nuk ishte nga ata njerëz që merreshin me vështirësitë e hardhisë, me krasitjen, kujdesin dhe gjithë punët që kërkon një vresht i mirë, ndaj zgjidhte rrushin amerikan, atë që rritej më lehtë dhe pa shumë mundim, duke na dhënë megjithatë një bollëk të tillë sa shpesh harronim se pas çdo kokrre të ëmbël fshihej edhe një tjetër tundim,sepse e hanim pa e kuptuar. Një kokërr, pastaj një tjetër, pastaj një bistak dhe, para se ta kuptonim, kishim ngrënë shumë më tepër nga sa kishim menduar. Ankoheshim për kilogramët që shtoheshin, por të nesërmen përsëri e kërkonim atë shije të ëmbël, të freskët, paksa të thartë, që të linte në gojë një aromë të pastër vjeshte. Edhe sot e shijoj jashtëzakonisht shumë kete frut vjeshtor, dhe më duket se, në këtë i ngjaj babit, sepse deri vonë, sapo hynte vjeshta, rrushi ishte fruti i tij i preferuar. Ndoshta disa shije nuk trashëgohen vetëm nga familja por edhe nga kujtimet që lidhen me to. Rrushi është ndër frutat më të lashta të kultivuara nga njeriu dhe historia e tij është e lidhur ngushtë me qytetërimet e Mesdheut, me bujqësinë, festat, verën dhe jetën shoqërore. Në Greqinë e lashtë lidhej me Dionisin, hyjninë e verës dhe të festës, ndërsa kultivimi i hardhisë u përhap prej mijëra vitesh nëpër hapësirat mesdhetare dhe më gjerë. Por ndoshta historia më e bukur e rrushit nuk është ajo që shkruhet në libra por ajo që shkruhet në oborret e shtëpive. Në tavolinat ku familjet mblidhen, në duart e nënave që përgatisin ushqimin, në zërat e fëmijëve që bëjnë detyrat, në bisedat e të rriturve, në pasditet që duken të zakonshme dhe që, vite më vonë, kuptojmë se kanë qenë ndër çastet më të çmuara të jetës. Rrushi është gjithashtu një frut me vlera të rëndësishme ushqyese. Ai përmban ujë, karbohidrate natyrale, vitaminë K, vitaminë C në sasi më të moderuar, kalium dhe përbërës bimorë antioksidues, veçanërisht polifenole. Në lëkurën e rrushit të errët gjenden përbërës si resveratroli dhe antocianinat, të cilat kanë tërhequr prej kohësh interesin e kërkimeve shkencore. Por le të jemi të sinqertë.Kur ishim ulur në atë oborr, askush nuk mendonte për polifenolet. Ne mendonim vetëm për kokrrën tjetër dhe ndoshta kjo, është një nga bukuritë e fëmijërisë, ta shijosh jetën pa pasur nevojë ta shpjegosh atë. Sot, dimë të flasim për kaloritë, antioksidantët, sheqernat natyrale dhe vlerat ushqyese.Dimë të numërojmë atë që hamë dhe të shqetësohemi për kilogramët që mund të shtojmë, ndërsa atëherë thjesht uleshim nën hardhi dhe hanim rrush,pa fotografi,pa filtra,pa e ditur se një ditë do të na merrte malli për atë oborr. Dhe ndoshta fotografia që nuk e bëra kurrë, nuk më mungon vetëm sepse nuk mund ta shoh atë hapësirë por sepse aty do të ishim ne, ashtu siç ishim atëherë: mami me petët e byrekut, teze Beta pranë dritares, ne me librat dhe detyrat, babai duke lexuar gazeten, nona duke na vezhguar me kenaqesi dhe ajo tavolinë e thjeshtë nën hardhi, mbi të cilën vjeshta dukej sikur kishte vendosur të ulej për pak më gjatë. Prandaj, sa herë që vjeshta sjell rrushin në tryezë, unë nuk shoh vetëm një frut, por një oborr, një tavolinë. Shoh njerëzit e mi, dhe kuptoj se disa nga shijet më të bukura të jetës nuk mbeten në shije, por në kujtesë.
