Po sikur, përpara se t’i kërkojmë një fëmije të mësojë, të përpiqeshim më parë ta kuptonim? Kjo pyetje, e cila sot mund të duket e natyrshme në çdo diskutim mbi edukimin, në kohën e Maria Montessori-t ishte shumë më tepër se një pyetje pedagogjike.Ishte një mënyrë tjetër për ta parë fëmijën, jo si një mendje bosh që duhej mbushur me dije, as si një nxënës që duhej bindur dhe drejtuar në çdo hap, por si një qenie njerëzore në zhvillim, me ritmin, nevojat, kureshtjen dhe potencialin e vet. Maria Montessori lindi më 31 gusht 1870 në Chiaravalle të Italisë dhe u bë një nga gratë e para italiane që mori diplomën e mjekësisë në Universitetin e Romës, në një periudhë kur rruga e një gruaje drejt profesionit mjekësor ishte ende e mbushur me pengesa të forta shoqërore dhe institucionale. Ajo fillimisht u përball me kundërshtime për dëshirën e saj për të studiuar mjekësi, por këmbëngulja e saj e çoi drejt një rruge që më vonë do ta nxirrte nga auditorët e mjekësisë dhe do ta vendoste në historinë e pedagogjisë. Pikërisht mjekësia do t’i jepte Montessori-t një mënyrë të veçantë vëzhgimi.Ajo nuk u mjaftua të shihte vetëm atë që bënte fëmija, por filloi të pyeste pse e bënte, çfarë i mungonte, çfarë e pengonte dhe çfarë mund ta ndihmonte të zhvillohej. Gjatë punës me fëmijë me vështirësi zhvillimore në Romë, ajo studioi veprat e mjekëve francezë Jean-Marc Itard dhe Édouard Séguin dhe eksperimentoi me materiale që nxisnin shqisat, lëvizjen dhe aktivitetin e fëmijëve. Këtu nis edhe një prej kthesave më të rëndësishme në jetën e saj.Montessori kuptoi se edukimi nuk mund të ndërtohej vetëm mbi atë që i rrituri dëshironte t’i mësonte fëmijës, por duhej të nisej nga fëmija që kishte përballë, nga vëzhgimi i tij dhe nga mundësia për t’i krijuar një mjedis ku ai të mund të vepronte, të provonte, të gabonte dhe të zbulonte. Në vitin 1907, në lagjen San Lorenzo të Romës, u hap Casa dei Bambini, “Shtëpia e Fëmijëve”, një hapësirë që do të bëhej pikënisja e përhapjes së metodës Montessori. Aty ajo vendosi materiale dhe aktivitete të ndryshme, vëzhgoi se çfarë i tërhiqte fëmijët dhe ruajti ato që nxisnin interesin dhe përqendrimin e tyre.Nga ky proces lindi bindja e saj se fëmija, kur vendoset në një mjedis të përshtatshëm dhe i jepet mundësia të veprojë në mënyrë të pavarur, mund të marrë një rol aktiv në edukimin e vet. Kjo ishte një ide e fuqishme për kohën dhe mbetet një ide që ende na sfidon. Mësuesi nuk duhet të jetë gjithmonë ai që flet, ndërsa fëmija ai që dëgjon,ndonjëherë mësuesi duhet të dijë të heshtë, të vëzhgojë dhe të presë. Në pedagogjinë Montessori, mjedisi nuk është një dekor i klasës, por pjesë e procesit të edukimit, materialet vendosen në mënyrë që fëmija t’i arrijë, t’i përdorë dhe të punojë me to me një shkallë të caktuar pavarësie, ndërsa mësuesi udhëzon dhe mbështet procesin pa ia marrë fëmijës mundësinë për të zbuluar vetë. Association Montessori Internationale e përshkruan këtë rol të mësuesit si udhëzues të zhvillimit të fëmijës dhe thekson rëndësinë e pavarësisë, aktivitetit dhe mjedisit të përshtatur me nevojat e tij. Dhe këtu ndodhet ndoshta një nga mesazhet më të bukura të Montessori-t për çdo mësues.Të edukosh nuk do të thotë të bësh gjithçka në vend të fëmijës. Ndonjëherë, dashuria për fëmijën na shtyn t’ia lehtësojmë çdo gjë, t’i japim përgjigjen përpara se ta kërkojë, t’i korrigjojmë çdo gabim përpara se ta kuptojë vetë, t’i tregojmë rrugën përpara se të provojë të ecë,por pikërisht aty mund të lindë paradoksi i edukimit, sepse një fëmijë të cilit i bëjmë gjithçka mund të mësojë të presë gjithmonë dikë tjetër që ta bëjë për të. Montessori e vendosi në qendër pavarësinë, jo si braktisje të fëmijës, por si besim tek aftësia e tij për të mësuar dhe për t’u zhvilluar. Fëmija nuk lihet vetëm por vëzhgohet, udhëzohet dhe mbështetet, ndërsa mjedisi përgatitet në mënyrë që ai të mund të bëjë sa më shumë gjëra vetë. Kjo kërkon shumë nga mësuesi. Kërkon durim, sepse jo të gjithë fëmijët mësojnë në të njëjtën kohë. Kërkon vëzhgim, sepse një sjellje që në shikim të parë mund të duket si mungesë vëmendjeje mund të jetë një kërkesë për një mënyrë tjetër të të mësuarit. Kërkon përmbajtje, sepse mësuesi duhet të dijë edhe kur të mos ndërhyjë. Dhe kërkon respekt, sepse përpara se të jetë nxënës, fëmija është njeri. Për Montessori-n, mësuesi nuk ishte thjesht transmetues i njohurive. Ai duhej të përgatiste mjedisin, të vëzhgonte fëmijën dhe të kuptonte momentin kur ndërhyrja e tij ishte e nevojshme dhe momentin kur ajo do të ishte pengesë. Në një udhëzues të bazuar në veprën e Montessori-t, AMI thekson pikërisht rëndësinë që mësuesi të kujdeset vazhdimisht për mjedisin dhe të krijojë kushtet që aktiviteti spontan i fëmijës të mund të zhvillohet. Por historia e Montessori-t nuk është vetëm histori pedagogjie. Është edhe histori e një gruaje që zgjodhi të hynte në hapësira ku shoqëria e kohës nuk e priste. Ajo studioi mjekësi, punoi me fëmijë që shpesh shiheshin nga shoqëria vetëm përmes kufizimeve të tyre, u kthye drejt filozofisë së edukimit dhe më pas e përhapi qasjen e saj në vende të ndryshme të botës. Në vitin 1929 themeloi, së bashku me djalin e saj Mario, Association Montessori Internationale, organizatë e krijuar për të vazhduar punën dhe idetë e saj. Jeta e saj u përplas edhe me historinë e trazuar të Evropës së shekullit XX. Shkollat Montessori u mbyllën në Gjermani dhe Itali nën regjimet fashiste, Montessori refuzoi të bashkëpunonte me përpjekjet e Mussolinit për t’i përfshirë shkollat Montessori në organizatat fashiste të të rinjve. Më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo qëndroi për vite në Indi, ku vazhdoi punën e saj pedagogjike dhe zhvilloi më tej idetë e “Edukimit Kozmik”. Në vitin 1949 ajo mori nominimin e parë nga tre për Çmimin Nobel të Paqes, ndërsa në vitin 1952, në Holandë, mbylli jetën e saj, duke lënë pas një trashëgimi pedagogjike që vazhdoi të zhvillohej edhe pas vdekjes së saj. Por ndoshta arsyeja pse Maria Montessori vazhdon të na interesojë nuk gjendet vetëm te metodat, materialet apo shkollat që mbajnë emrin e saj. Gjendet te një pyetje shumë më e thjeshtë dhe njëkohësisht shumë më e vështirë: A dimë vërtet ta dëgjojmë fëmijën? Sepse të dëgjosh një fëmijë nuk do të thotë vetëm të dëgjosh fjalët e tij por të kuptosh heshtjen, frikën, kureshtjen, gabimin, lodhjen, pyetjen që nuk di ta formulojë dhe aftësinë që ende nuk ka gjetur mënyrën për t’u shfaqur. Në një kohë kur arsimi shpesh matet me nota, rezultate, teste dhe programe, Montessori na kujton se pas çdo rezultati ndodhet një fëmijë dhe se pas çdo fëmije ndodhet një botë që nuk mund të matet vetëm me një numër. Ndoshta kjo është arsyeja pse titulli “Fëmija në qendër” nuk duhet kuptuar thjesht si një parim pedagogjik por si një kujtesë për të rriturit. Sepse edukimi fillon të ndryshojë atëherë kur ne nuk pyesim vetëm “Çfarë duhet t’i mësoj këtij fëmije?”, por edhe “Çfarë po më tregon ky fëmijë dhe çfarë mund të bëj unë që ai të rritet pa ia zbehur dritën?”
