Për shekuj me radhë, një vijë e vetme mbi pëlhurë ka qenë në gjendje të tregojë pasuri, pushtet, sensualitet, elegancë, rebelim dhe madje edhe moralin e një epoke. Dekolteja. Sot jemi mësuar me një ekspozim shumë më të madh të trupit, aq sa një dekolte e hapur shpesh kalon pa u vënë re, por në historinë europiane nuk ka qenë gjithmonë kështu.Për shumë shekuj, ajo që një grua lejohej të zbulonte nuk përcaktohej vetëm nga shija e saj, por nga një kod i ndërlikuar shoqëror, moral dhe estetik, i cili mund të ndryshonte nga një oborr mbretëror në tjetrin dhe madje nga një lloj ceremonie në tjetrin. Në Europën e shekullit XVIII, veçanërisht në Francë, dekolteja e thellë ishte pjesë e rëndësishme e veshjes aristokratike, ndërsa fustani i strukturuar nga korseja, fundet voluminoze dhe pëlhurat luksoze krijonin një kontrast të fuqishëm midis pjesës së sipërme të trupit, që mund të ishte e ekspozuar, dhe pjesës tjetër, që mbetej e mbuluar. Vetë Metropolitan Museum of Art e konsideron dekoltenë e thellë një nga shenjat dalluese të siluetës së shekullit XVIII dhe e lidh këtë estetikë me teatrialitetin dhe sensualitetin e modës së kohës. Dhe në këtë botë të aristokracisë, ku veshja nuk ishte thjesht veshje, por një mënyrë për të treguar statusin, pasurinë dhe përkatësinë, shfaqen emra që ende sot lidhen me imagjinatën tonë për elegancën e asaj kohe. Madame de Pompadour, e preferuara e Louis XV, është një prej tyre. Ajo nuk mbahet mend vetëm për ndikimin e saj në kulturën franceze, por edhe për mënyrën se si moda rokoko e kohës e ndërtoi figurën femërore përmes një kombinimi të jashtëzakonshëm të korsesë, belit të hollë, dekoltesë katrore, dantellave, bizhuterive dhe pëlhurave të pasura. Një botim i Metropolitan Museum e përshkruan kostumin “à la Pompadour” si një kulm të elegancës artificiale të rokoko-së, me dekolte të thellë katrore, bust të zbukuruar dhe një përpunim të hollë të të gjithë siluetës. Por nëse do të kërkonim një figurë që e bëri dekoltenë pjesë të një historie edhe më të madhe, emri do të ishte pothuajse i pashmangshëm.Marie Antoinette. Mbretëresha e Francës u shndërrua në një ikonë të modës shumë përtej kohës së saj, dhe portretet e saj nga Élisabeth Vigée Le Brun tregojnë se sa e rëndësishme ishte mënyra se si veshja ndërtonte imazhin e një gruaje në oborr. Një nga ndryshimet më të diskutueshme të viteve 1780 ishte një veshje shumë më e lehtë dhe më natyrale, që largohej nga struktura e rëndë e kostumit tradicional të oborrit dhe krijonte një pamje më të butë e më të çlirët. Një portret i vitit 1783, i atribuar Vigée Le Brun, e paraqet Marie Antoinette me këtë estetikë të re, dhe pikërisht ky imazh tregon se sa shpejt një veshje mund të shndërrohej në deklaratë kulturore,ajo që për një pjesë të shoqërisë dukej si thjeshtësi dhe natyrshmëri, për kritikët e kohës mund të dukej e papërshtatshme dhe tepër e lirshme. Por Marie Antoinette nuk ishte e vetmja. Dukesha de Polignac, një prej figurave të afërta me mbretëreshën, u portretizua nga Vigée Le Brun më 1782 me një fustan të bardhë me dekolte të theksuar, të rrethuar nga një bordurë dantelle dhe një fjongo blu.Piktura është një dëshmi e jashtëzakonshme se si dekolteja mund të përdorej jo për të krijuar një pamje vulgare, por për të ndërtuar një imazh delikat, aristokratik dhe joshës. Këtu qëndron edhe një nga sekretet e vjetra të dekoltesë.Joshja nuk ka qenë gjithmonë në atë që zbulohej, por në mënyrën se si zbulohej. Një dekolte e bukur kërkonte ekuilibër, duhej të dukej mjaftueshëm për të tërhequr syrin, por jo aq sa të humbiste misterin, duhej të shoqërohej me dantellë, gjerdan, pëlhurë dhe qëndrim, sepse sensualiteti i asaj kohe nuk ndërtohej vetëm nga trupi, por nga e gjithë skena që krijonte veshja. Edhe piktorët e kuptuan këtë. François Boucher, një nga piktorët më të rëndësishëm të rokoko-së franceze, e vendosi shpesh figurën femërore në një botë të butë, luksoze dhe sensuale, ku pëlhurat, lëkura, drita dhe pozat krijonin një estetikë të tërë të joshjes. Boucher punoi edhe për klientë të tillë si Louis XV dhe Madame de Pompadour, duke e bërë artin e kohës një pasqyrë të shijeve aristokratike. Kështu, dekolteja hyri edhe në pikturë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse disa dekolte historike na duken ende sot kaq të bukura ku nuk i shohim si fotografi të trupit, por si pjesë të një kompozimi artistik. Më vonë, pas Revolucionit Francez, moda ndryshoi rrënjësisht. Në fundin e shekullit XVIII dhe fillimin e shekullit XIX, veshjet neoklasike me bel të ngritur dhe pëlhura më të lehta e më të holla krijuan një tjetër mënyrë për të paraqitur trupin, duke e bërë siluetën më të natyrshme dhe duke e vendosur dekoltenë në një marrëdhënie të re me trupin. Metropolitan Museum vëren se në fundin e shekullit XVIII fustanet neoklasike mund të ishin aq të holla dhe të hapura saqë trupi femëror pothuajse “zbulohej” përmes vetë pëlhurës. Në shekullin XIX, dekolteja nuk u zhduk, por u bë më e kontrolluar sipas rastit, fustanet e mbrëmjes mund të kishin dekolte të theksuar, ndërsa veshjet e ditës ishin shumë më të mbyllura. Edhe këtu shfaqej një rregull i rëndësishëm i shoqërisë së kohës ku nuk mjaftonte të dije çfarë të vishje por kur mund ta vishje. Dhe më pas erdhi shekulli XX, kur historia e dekoltesë hyri në një fazë tjetër, sepse kinemaja, fotografia dhe yjet e ekranit e kthyen trupin femëror në një pjesë të fuqishme të imazhit publik. Këtu mund të përmendim Marilyn Monroe, Sophia Loren, Brigitte Bardot, Elizabeth Taylor dhe shumë gra të tjera që e kthyen dekoltenë në një pjesë të identitetit të tyre vizual, por tashmë loja ishte ndryshe,nuk ishte më vetëm aristokracia ajo që përcaktonte standardin e bukurisë, por edhe kamera, fotografia, revista, kinemaja dhe më vonë televizioni. Marilyn Monroe e bëri sensualitetin pjesë të një gjuhe të re popullore, Sophia Loren e lidhi me elegancën italiane dhe një feminitet më dramatik ndërsa yje të tjerë të ekranit treguan se i njëjti dekolte mund të krijonte krejtësisht të ndryshme sipas qëndrimit, fytyrës, gjestit dhe mënyrës së veshjes. Prandaj, kur pyesim “kush mbahet mend për dekoltenë më të bukur?”, përgjigjja nuk mund të jetë vetëm një emër, sepse bukuria e dekoltesë nuk matet me centimetra lëkure të zbuluar. Madame de Pompadour mbetet e lidhur me elegancën e rokoko-së, Marie Antoinette me transformimin e modës së oborrit dhe imazhin e saj ikonik, dukesha de Polignac me portretet elegante të Vigée Le Brun, ndërsa Marilyn Monroe, Sophia Loren, Brigitte Bardot dhe Elizabeth Taylor e çuan këtë gjuhë në epokën e kinemasë. Por ajo që i bashkon të gjitha këto gra është diçka shumë më interesante se vetë veshja. Ato nuk e përdorën vetëm dekoltenë për të treguar trupin por për të krijuar një imazh. Dhe ndoshta ky është sekreti që moda e ka kuptuar prej shekujsh. Joshja nuk është të tregosh sa më shumë, por të dish saktësisht çfarë të tregosh, çfarë të fshehësh dhe çfarë të lësh në imagjinatën e atij që të shikon. Prandaj dekolteja ka mbijetuar shekujsh mode, revolucionesh, ndryshimesh morale dhe transformimesh shoqërore sepse në fund, ajo nuk është vetëm një vijë e fustanit por arti i vjetër i tërheqjes, i parë përmes historisë së trupit, modës dhe shikimit njerëzor.
