Mirë se vjen, Tetor! 🍂🤎

Ndaje

Kanë kaluar vetëm pak minuta nga mesnata dhe ti ke hyrë në jetën time, Tetor, si një letër e re e shkruar me ngjyrat e vjeshtës. Ende nuk ke pasur kohë të ndryshosh asgjë, por unë e ndiej ardhjen tënde në ajër, në dritën më të butë të mëngjesit, në heshtjen e mbrëmjeve që zgjasin pak më shumë. Të kam pritur siç pritet një kujtim i bukur. Me ty më kthehen aromat e vjetra, rrugët me gjethe, shiu mbi xhama, kafenë e ngrohtë në duar dhe zërat e njerëzve që dikur ishin pranë meje. Vjeshta ka këtë magji: më bën të shoh pas, pa më larguar nga e tashmja. Më pëlqen kjo dashuri e qetë që sjell. Nuk ka nevojë për shumë fjalë. Është në një pasdite gri, në një përqafim të papritur, në një bisedë që zgjat më shumë se zakonisht, në një këngë që më sjell ndër mend dikë dhe ndoshta kjo është arsyeja pse të dua. Sepse më kujton se edhe gjërat që largohen mund të jenë të bukura. Gjethet bien, por para se të bien, na dhurojnë ngjyrën e tyre më të bukur. Sot je vetëm pak minuta i vjetër. Ke përpara një muaj të tërë për të më sjellë kujtime të reja ndaj eja ngadalë,më sill pak shi, shumë ngrohtësi dhe atë nostalgjinë e ëmbël që vetëm ti di ta lësh në zemër.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit