Po sikur Pinoku të mos ishte menduar kurrë të bëhej libri që njohim sot? Po sikur historia e kukullës prej druri të kishte përfunduar pas vetëm disa kapitujsh, pa aventurat e gjata, pa djalin e vërtetë dhe pa atë hundën që, më shumë se një shekull më vonë, do të bëhej simboli më i njohur i gënjeshtrës? Historia e Pinokut është një nga ato histori që, sa më shumë e njeh, aq më shumë kupton se pas përrallës së famshme për fëmijë fshihet një vepër shumë më e thellë, e lidhur me kohën në të cilën u shkrua, me idetë mbi edukimin dhe moralin, por edhe me një pyetje që mbetet e rëndësishme edhe sot, si formohet një fëmijë ne njeri? Pinoku lindi në Itali, në fundin e shekullit XIX, në një periudhë kur vendi sapo kishte kaluar procesin e bashkimit politik dhe shoqëria italiane po përpiqej të ndërtonte një identitet të përbashkët, ndërsa arsimi dhe edukimi i fëmijëve po merrnin një rëndësi të veçantë në formimin e brezit të ri. Pikërisht në këtë atmosferë shfaqet Carlo Lorenzini, shkrimtari që bota do ta njihte jo me mbiemrin e tij të vërtetë, por me pseudonimin Carlo Collodi. Lorenzini lindi në Firence më 1826 dhe gjatë jetës së tij u mor me gazetari, letërsi, humor dhe satirë, duke qenë një vëzhgues i mprehtë i shoqërisë së kohës.Pseudonimin Collodi e mori nga emri i një vendbanimi në Toskanë, i lidhur me familjen e nënës së tij, dhe pikërisht ky emër do të mbetej përgjithmonë në historinë e letërsisë botërore. Collodi nuk ishte një shkrimtar që kishte nisur karrierën me idenë për të krijuar një personazh që do të jetonte për më shumë se një shekull, sepse Pinoku lindi në një rrethanë shumë më të thjeshtë dhe, në fillim, ishte menduar si një histori që do të botohej në një revistë për fëmijë. Në vitin 1881, Collodi filloi të bashkëpunonte me revistën italiane “Il Giornale per i bambini”, një botim i rëndësishëm për letërsinë italiane për fëmijë, dhe më 7 korrik 1881 aty u botua pjesa e parë e historisë me titullin “La storia di un burattino” “Historia e një kukulle”. Pra, Pinoku nuk lindi si libër por si një histori me vazhdime në një revistë. Dhe ndoshta ky është një nga paradokset më të bukura të historisë së tij, sepse autori nuk dukej se kishte planifikuar që ajo kukull prej druri të merrte një jetë kaq të gjatë. Historia fillestare ishte shumë më e shkurtër dhe kishte një fund të errët, në të cilin Pinoku përfundonte i varur në një pemë, çka do të kishte qenë një mbyllje krejtësisht e pazakontë për një histori që sot e lidhim me letërsinë për fëmijë. Por lexuesit nuk e pranuan atë fund. Fëmijët kërkuan vazhdimin, interesi për personazhin u rrit dhe historia, në vend që të mbyllej, filloi të zgjerohej dhe kështu, Pinoku që fillimisht dukej si një personazh i përkohshëm u shndërrua gradualisht në një botë të tërë, me aventura, rreziqe, mashtrime, personazhe të çuditshme, gabime dhe mësime. Në vitin 1883, historia u botua në formë libri me titullin “Le avventure di Pinocchio. Storia di un burattino” “Aventurat e Pinokut. Historia e një kukulle”, duke hyrë kështu në historinë e letërsisë italiane dhe më pas në atë botërore. Por çfarë e bën kaq të veçantë këtë personazh? Ndoshta pikërisht fakti që Collodi nuk krijoi një fëmijë të përsosur, të bindur dhe të gatshëm për të ndjekur çdo këshillë të të rriturve, por krijoi një fëmijë që është kureshtar, impulsiv, i paduruar, i tërhequr nga kënaqësia e çastit, i prirur të besojë premtime të bukura dhe vazhdimisht i tunduar nga rruga që duket më e lehtë. Pinoku gabon dhe pikërisht për këtë arsye ai duket kaq njerëzor. Ai nuk mëson sepse dikush i shpjegon jetën me teori të gjata, por sepse përballet vazhdimisht me pasojat e zgjedhjeve të tij, sa herë që mendon se mund të shmangë detyrimin, të fitojë pa punuar ose të arrijë diçka pa paguar çmimin e saj, jeta i vendos përpara një tjetër pengesë. Në këtë kuptim, “Aventurat e Pinokut” mund të lexohen edhe si një histori e rritjes dhe formimit të njeriut, sepse personazhi kalon nga një gjendje ku drejtohet kryesisht nga dëshirat e menjëhershme drejt një gjendjeje ku fillon të kuptojë përgjegjësinë, sakrificën, dashurinë dhe pasojat e veprimeve të veta. Dhe këtu shfaqet simboli që e ka bërë Pinokun të njohur edhe për ata që nuk e kanë lexuar kurrë librin, hunda që zgjatet kur ai gënjen. Në kulturën popullore, kjo është bërë pothuajse një formulë universale, hunda e gjatë është shndërruar në shenjën e gënjeshtrës, ndërsa “Pinoku” është bërë një emër që përdoret për dikë që nuk thotë të vërtetën. Por simbolika e hundës është shumë më interesante sesa një element komik i përrallës. Në jetën reale, gënjeshtra mund të fshihet, të maskohet, të zbukurohet dhe të përsëritet aq shumë sa të fillojë të duket si e vërtetë, tek Pinoku, përkundrazi, gënjeshtra bëhet e dukshme, merr formë dhe rritet para syve të të gjithëve, duke e kthyer atë që zakonisht përpiqemi ta fshehim në diçka që nuk mund të mos vërehet. Dhe kjo na çon te një pyetje shumë njerëzore se çfarë do të ndodhte nëse çdo gënjeshtër që themi do të zgjaste hundën tonë? Ndoshta do të jetonim në një botë shumë më të sinqertë e do të mësonim të gënjenim më pak. Por Pinoku nuk është vetëm historia e një gënjeshtari. Në thelb të veprës qëndron një pyetje edhe më e madhe. çfarë do të thotë të bëhesh njeri? Pinoku është prej druri, por dëshiron të bëhet djalë, dëshiron të mos jetë më një kukull që të tjerët mund ta drejtojnë, por rruga drejt kësaj dëshire nuk kalon përmes një magjie të thjeshtë, sepse ai duhet të ndryshojë sjelljen, të kuptojë gabimet, të mësojë të kujdeset për të tjerët dhe të marrë përgjegjësi për jetën e vet prandaj shndërrimi i tij në fund të historisë nuk është vetëm fizik por një shndërrim moral. Është kalimi nga dëshira te përgjegjësia, nga impulsi te vetëpërmbajtja, nga egoizmi te kujdesi për tjetrin dhe nga fëmija që kërkon gjithmonë të marrë te njeriu që mëson edhe të japë. Në qendër të gjithë kësaj historie qëndron edhe marrëdhënia me Xhepeto-n, krijuesin dhe babanë e tij, një figurë që përfaqëson prindin që përpiqet të udhëheqë fëmijën, ndërsa fëmija vazhdimisht largohet prej tij për të zbuluar botën. Xhepeto e krijon Pinokun nga druri, por nuk mund ta kontrollojë atë si një objekt dhe sapo kukulla merr jetë, ajo fiton dëshirën e vet, bën zgjedhjet e veta dhe përballet me pasojat e tyre, duke e kthyer marrëdhënien mes tyre në një histori të dashurisë prindërore, shqetësimit dhe përpjekjes për ta mbrojtur dikë që duhet njëkohësisht të mësojë të ecë vetë. Kjo është një nga arsyet pse libri mund të lexohet ndryshe në mosha të ndryshme. Një fëmijë sheh tek Pinoku një kukull që futet në aventura dhe kërkon të bëhet djalë,një prind mund të shohë një fëmijë që nuk dëgjon dhe që duhet të mësojë nga gabimet, ndërsa një mësues mund të shohë historinë e një procesi edukimi ku përvoja shpesh është më e fuqishme se këshilla. Një psikolog mund të shohë procesin e formimit të personalitetit, ndërsa një filozof mund të ndalet te pyetja e vjetër se çfarë e bën njeriun vërtet njerëzor. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Pinoku nuk është plakur. Bota në të cilën jetojmë sot është krejtësisht e ndryshme nga Italia e Collodit, por fëmija ende përballet me tundimin, ende dëshiron të shmangë detyrimet, ende beson premtime që duken shumë të bukura për të qenë të vërteta dhe ende mëson se liria pa përgjegjësi mund të kthehet shumë shpejt në një problem. Edhe të rriturit nuk janë aq larg Pinokut sa mendojmë. Ne thjesht nuk kemi një hundë prej druri që zgjatet sa herë që themi një gënjeshtër. Gënjeshtrat tona mund të fshihen pas fjalëve, justifikimeve, heshtjeve dhe versioneve të ndryshme të së njëjtës histori, ndërsa Pinoku nuk e kishte këtë privilegj, trupi i tij e tradhtonte. Dhe pikërisht këtu personazhi i krijuar nga Collodi bëhet një metaforë e fuqishme për njeriun. Të gjithë duam të jemi të lirë, por jo gjithmonë duam përgjegjësinë që vjen bashkë me lirinë. Të gjithë duam të themi të vërtetën, por jo gjithmonë kur e vërteta na vendos përballë pasojave. Të gjithë duam të ndryshojmë, por jo gjithmonë jemi të gatshëm të kalojmë nëpër gabimet që na detyrojnë të ndryshojmë. Pinoku e kalon këtë rrugë para syve tanë dhe në fund, ajo që duket si histori për një kukull prej druri, bëhet një histori për vetë jetën.Carlo Collodi vdiq në vitin 1890, vetëm disa vite pas botimit të “Aventurave të Pinokut”, dhe nuk mund ta dinte se personazhi që kishte krijuar do të përkthehej në qindra gjuhë, do të përshtatej në filma, shfaqje teatrale, ilustrime dhe vepra të panumërta artistike dhe do të bëhej një nga figurat më të njohura të kulturës botërore. Ai krijoi një kukull,lexuesit i dhanë jetë dhe bota e mbajti gjallë. Ndoshta ky është edhe sekreti i madh i Pinokut. Ai nuk është thjesht një personazh që na mëson të mos gënjejmë, por një figurë që na kujton se njeriu nuk lind i përsosur. Ai rritet, gabon, rrëzohet, mashtrohet, pendohet, mëson dhe përsëri gabon, derisa dalëngadalë kupton se të bëhesh njeri nuk është një dhuratë që merret një herë e përgjithmonë, por një proces që ndërtohet çdo ditë përmes zgjedhjeve që bëjmë. Prandaj, pas më shumë se një shekulli, Pinoku vazhdon të jetë mes nesh jo vetëm si një kukull prej druri,jo vetëm si djali me hundën e gjatë por si një pasqyrë e vogël e njeriut, që na pyet në heshtje: Nëse një kukull mund të mësojë të bëhet njeri, çfarë bëjmë ne për të mbetur njerëz?
