A të kujtohet çfarë doje të bëheshe kur ishe fëmijë? Ndoshta një mjek, një mësues, një këngëtar, një shkrimtar, një udhëtar që do të shihte botën, ose ndoshta thjesht dikush që ëndërronte për një shtëpi të bukur, një familje të lumtur dhe një jetë pak më të mirë se ajo që shihte përditë rreth vetes, sepse kur ishim fëmijë, ëndrrat nuk kishin nevojë për shumë shpjegime, nuk kishin llogari, pengesa dhe frikëra, por lindnin natyrshëm, të mëdha dhe të pafajshme, në atë hapësirën e bukur ku gjithçka dukej e mundur. Më kujtohet ajo kohë kur një fletë e bardhë mund të bëhej një botë e tërë, kur një laps mund të vizatonte profesionin që do të kishim nesër dhe kur një bisedë mes fëmijësh mund të ndërtonte plane për një të ardhme që dukej aq e largët, saqë askush nuk mendonte të pyeste, se si do të arrinim atje. Atëherë nuk dinim shumë për jetën, por dinim të ëndërronim. Pastaj u rritëm dhe, dalëngadalë, jeta filloi të na mësonte të ishim më realistë,erdhën përgjegjësitë, puna, familja, shqetësimet, humbjet, zhgënjimet, njerëzit që na thanë se disa gjëra nuk janë për ne dhe ato ditë kur, përballë vështirësive, filluam të zvogëlonim edhe vetë ëndrrat tona, vetëm që të mos na dhembte aq shumë pamundësia për t’i realizuar. Disa prej ëndrrave tona u bënë realitet, disa ndryshuan rrugës, disa të tjera u harruan dhe ndoshta disa prej tyre i kemi mbyllur diku thellë në kujtesë, në atë sirtarin e padukshëm ku ruajmë gjërat që dikur i kemi dashur shumë, por që jeta na bëri t’i shtynim për “një ditë tjetër”. Dhe pikërisht sot, në 25 Shtator, Ditën Botërore të Ëndrrave, ndoshta ia vlen të ndalemi pak nga nxitimi i përditshëm dhe t’i bëjmë vetes një pyetje që nuk ia bëjmë shpesh:
Po ëndrra jote, ku mbeti? Sepse, pavarësisht se nga vijmë, ku jetojmë, sa kemi apo sa na ka mësuar jeta, të gjithë kemi brenda vetes një dëshirë për diçka më shumë,një synim që ende nuk e kemi përmbushur, një vend ku duam të shkojmë, një punë që duam ta bëjmë, një libër që duam ta shkruajmë, një udhëtim që duam ta realizojmë, një fillim të ri që e kemi shtyrë sepse kemi menduar se nuk është momenti i duhur. Por ndoshta momenti i duhur nuk vjen kurrë vetë. Ndoshta duhet ta krijojmë. Ëndrra nuk është vetëm ajo pamje e bukur që ndërtojmë në mendje para se të flemë por edhe guximi për t’i dhënë një formë asaj pamjeje, për ta kthyer në një qëllim, për ta ndarë në hapa të vegjël dhe për të vazhduar edhe atëherë kur rruga nuk është aq e bukur saç e kishim imagjinuar. Sepse ëndrrat kanë nevojë për punë, për durim dhe për shumë besim, por mbi të gjitha kanë nevojë që të mos i braktisim sapo realiteti të bëhet më i vështirë se imagjinata. Ndoshta nuk do t’i realizojmë të gjitha ato që kemi ëndërruar dikur, dhe kjo nuk do të thotë se kemi dështuar, ndonjëherë jeta na çon në rrugë që nuk i kishim parashikuar, na ndryshon dëshirat, na jep mundësi të reja dhe na mëson se disa nga ëndrrat më të bukura janë pikërisht ato që lindin pasi kemi kaluar nëpër vështirësi. Por një gjë nuk duhet ta bëjmë, të pushojmë së ëndërruari vetëm sepse jemi rritur. Sepse mosha mund të ndryshojë mënyrën se si ëndërrojmë, por nuk duhet të na marrë të drejtën për të imagjinuar një të ardhme tjetër. Dhe ndoshta sot duhet të kthehemi për pak te ai fëmijë që kemi qenë dikur, te ai fëmijë që nuk dinte asgjë për kufijtë e botës dhe megjithatë besonte se mund të arrinte shumë më larg se horizonti që shihte. Ta pyesim me sinqeritet:”Çfarë të premtova se do të bëhesha një ditë?” Ndoshta përgjigjja do të na befasojë,do të na kujtojë një ëndërr të vjetër,do të na bëjë të buzëqeshim dhe ndoshta, më e rëndësishmja, do të na kujtojë se ende kemi kohë. Mos i lini ëndrrat vetëm në kujtime. Disa prej tyre ende mund të bëhen realitet. Sepse disa ëndrra nuk vdesin kurrë, ato thjesht heshtin për një kohë dhe presin që ne të kemi përsëri guximin t’i dëgjojmë. Gëzuar Ditën Botërore të Ëndrrave! Dhe nëse sot keni vetëm një dëshirë për veten, le të jetë kjo: Mos hiqni dorë nga ajo që dikur ju bënte të besonit se e nesërmja mund të ishte më e bukur se e sotmja.
