Numri 13,ters apo frika që krijuam vetë?

Ndaje

Pse vallë një numër, që në matematikë nuk është as më i veçantë dhe as më i rrezikshëm se çdo numër tjetër, ka arritur të ngjallë për shekuj frikë, dyshim dhe supersticion te miliona njerëz në kultura të ndryshme të botës? Mjafton të përmendet numri 13 dhe në mendjen e shumë njerëzve shfaqet menjëherë një ndjesi e pashpjegueshme shqetësimi, sikur pas këtij numri të fshihet një paralajmërim që nuk arrijmë ta shohim, por që historia, familja, tradita dhe rrëfimet e trashëguara na kanë mësuar ta njohim si shenjë të fatit të keq. Në disa vende, njerëzit shmangin apartamentet me numrin 13, në disa ndërtesa kati i trembëdhjetë nuk shënohet fare, ndërsa në disa familje ende ekziston besimi se një tryezë me 13 persona sjell fatkeqësi, edhe pse asnjë rregull i natyrës dhe asnjë ligj i matematikës nuk mund të shpjegojë se përse pikërisht numri 13 duhet të ketë një fuqi të tillë mbi jetën njerëzore. Por nga lindi kjo frikë dhe përse një numër arriti të marrë mbi vete një peshë kaq të madhe simbolike? Përgjigjja nuk gjendet te matematika, por te historia e kulturës, e besimeve dhe e psikologjisë njerëzore, sepse njerëzit nuk i kanë parë kurrë numrat vetëm si mjete për të numëruar, por u kanë dhënë atyre kuptime, lidhje simbolike dhe madje fuqi që shpesh kanë shkuar shumë përtej funksionit të tyre real. Një nga arsyet që përmendet më shpesh lidhet me numrin 12, i cili në shumë tradita të lashta u konsiderua simbol i rendit, plotësisë dhe harmonisë: 12 muajt e vitit, 12 shenjat e zodiakut, 12 orët e ditës dhe 12 orët e natës, 12 perënditë olimpike në traditën greke dhe, më vonë, 12 apostujt në traditën e krishterë krijuan një lloj imagjinarie ku 12-shi përfaqësonte një sistem të mbyllur dhe të rregullt. Në këtë këndvështrim, 13-shi ishte ai që vinte pas plotësisë, numri që dilte nga rregulli i vendosur dhe që, për këtë arsye, në imagjinatën njerëzore filloi të merrte një karakter të dyshimtë, të paparashikueshëm dhe jashtë harmonisë së njohur. Një nga historitë më të njohura që lidhet me këtë simbolikë është Darka e Fundit, ku, sipas traditës së krishterë, Jezusi dhe dymbëdhjetë apostujt ishin gjithsej trembëdhjetë persona në tryezë, ndërsa Juda, i cili në traditën e krishterë lidhet me tradhtinë e Jezusit, u shndërrua në një nga figurat që e forcuan lidhjen simbolike midis numrit 13, tradhtisë dhe fatkeqësisë. Por edhe mitologjia nordike ruan një tregim të ngjashëm, ku dymbëdhjetë perëndi ndodheshin në një banket në Valhalla dhe Loki, i paftuar, mbërriti si mysafiri i trembëdhjetë, duke sjellë me vete konfliktin dhe tragjedinë që pasuan, një rrëfim që është përmendur shpesh si një tjetër burim i mundshëm i lidhjes së numrit 13 me fatkeqësinë, ndonëse nuk duhet ta trajtojmë këtë histori si një provë të drejtpërdrejtë për origjinën e supersticionit modern. Sepse këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm, historitë nuk provojnë se 13-shi është një numër i keq por se si njeriu ndërton kuptime rreth numrave dhe më pas ua përcjell këto kuptime brezave të tjerë. Në fakt, numri 13 nuk është konsideruar negativ në të gjitha kulturat dhe në të gjitha periudhat historike, çka është një dëshmi e fortë se “tersllëku” i tij nuk është një cilësi e natyrshme e numrit, por një produkt kulturor që ndryshon sipas shoqërisë, traditës dhe mënyrës se si njerëzit i interpretojnë ngjarjet. Dhe pikërisht këtu historia e numrit 13 fillon të bëhet edhe një histori e psikologjisë njerëzore. Njeriu ka një prirje të natyrshme për të kërkuar lidhje midis ngjarjeve, sidomos në momentet kur ndihet i pasigurt dhe kërkon një shpjegim për atë që nuk mund ta kontrollojë, ndaj nëse një person beson se 13 është ters dhe në një datë 13 i ndodh diçka e keqe, mendja e tij do ta ruajë atë përvojë si një provë të besimit që kishte më parë, ndërsa ditët e panumërta me datën 13 kur nuk ka ndodhur asgjë e veçantë do të kalojnë pa lënë pothuajse asnjë gjurmë në kujtesë. Kështu lind ajo që psikologjia e quan paragjykim konfirmues. Ne priremi të vërejmë, të kujtojmë dhe t’u japim më shumë peshë atyre përvojave që përputhen me bindjet tona, ndërsa përvojat që i kundërshtojnë ato shpesh i konsiderojmë të parëndësishme ose thjesht i harrojmë. Në këtë mënyrë, një rastësi mund të shndërrohet në histori, historia në besim, besimi në traditë dhe tradita, pas shumë brezash, në një “të vërtetë” që askush nuk e pyet më. Numri nuk ndryshon por kuptimi që njeriu i jep numrit. Pikërisht për këtë arsye, në një kulturë 13 mund të konsiderohet ters, në një tjetër thjesht një numër i zakonshëm, ndërsa në një tjetër mund të marrë edhe kuptime pozitive, duke dëshmuar se frika nuk ndodhet brenda numrit, por brenda historisë që njerëzit kanë ndërtuar rreth tij. Edhe emri që përdoret për frikën nga numri 13, triskaidekaphobia, është një dëshmi se sa thellë mund të hyjë një supersticion në psikikën njerëzore, deri në atë pikë sa një ide simbolike të marrë formën e një frike konkrete. Por ndoshta pyetja më interesante nuk është nëse 13 është ters, por pse njeriu ka kaq shumë nevojë t’u japë numrave, datave dhe rastësive fuqinë për të parashikuar fatin e tij. Ndoshta sepse pasiguritë e jetës kanë qenë gjithmonë më të mëdha se aftësia jonë për t’i kontrolluar ato dhe, sa herë që njeriu përballet me të panjohurën, kërkon një shenjë, një paralajmërim, një simbol ose një model që t’i japë ndjesinë se bota është pak më e kuptueshme dhe pak më e parashikueshme nga sa është në të vërtetë. Në këtë kuptim, supersticioni nuk është vetëm një besim i vjetër që i përket së kaluarës, por një pasqyrë e një nevoje shumë njerëzore.Ne duam të besojmë se mund ta lexojmë fatin përpara se ai të na ndodhë dhe kështu, një numër i thjeshtë matematikor, i përbërë nga një dhe tre, u shndërrua në një simbol frike, ndërsa historia, mitologjia, feja, kultura dhe psikologjia i shtuan atij shtresa kuptimesh që matematika nuk i ka pasur kurrë. Ndoshta, pra, 13 nuk është ters. Ndoshta tersllëkun nuk e mbart numri, por frika që ne i kemi mësuar vetes ta lidhim me të. Dhe kjo e bën historinë e 13-shit shumë më interesante se vetë supersticioni pasi na tregon se sa e fuqishme është mendja njerëzore, sepse mund të marrë një simbol të thjeshtë, ta mbështjellë me histori, frikë dhe kujtime, t’ua përcjellë ato brezave dhe, më në fund, të harrojë se ishte pikërisht njeriu ai që ia dha numrit gjithë atë fuqi.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit