Çfarë ndodh kur njeriu pushon së kërkuari përgjigjen vetëm te perënditë dhe fillon ta kërkojë atë te vetë natyra? Ndoshta aty nis filozofia. Në brigjet e Jonisë, rreth shekullit VI para Krishtit, në qytetin e Miletit, lindi një mënyrë e re për ta parë botën. Njeriu nuk e kishte më përballë natyrën vetëm si një hapësirë të mbushur me fuqi të padukshme, mite dhe ndërhyrje hyjnore. Ai filloi ta shihte si diçka që mund të vëzhgohej, të pyetej dhe, mbi të gjitha, të kuptohej. Në qendër të këtij ndryshimi qëndronte Talesi i Miletit. Talesi, që jetoi afërsisht në shekullin VI para Krishtit, u bë pjesë e traditës së Shtatë të Urtëve të Greqisë, një grup figurash që në kujtesën e botës së lashtë përfaqësonin jo vetëm dijen, por edhe maturinë, këshillën politike dhe aftësinë për të jetuar me arsye. Lista e Shtatë të Urtëve nuk ishte gjithmonë e njëjtë në burimet e lashta, por Talesi shfaqet në mënyrë të qëndrueshme në traditën më të njohur, Platoni, në Protagoras, përmend Talesin, Solonin, Pittakun, Biasin, Kleobulin, Mysonin dhe Kiloni. Por Talesi ishte më shumë se një njeri i mençur që jepte këshilla. Ai ishte një nga njerëzit që e zhvendosën pyetjen njerëzore nga “kush e bëri?” drejt “nga çfarë përbëhet?” dhe kjo ishte një kthesë e jashtëzakonshme. Përpara tij, shumë dukuri të natyrës shpjegoheshin përmes tregimeve mitologjike. Talesi kërkoi një parim natyror që mund të qëndronte në themel të gjithçkaje. Përfundimi i tij, sipas traditës filozofike të përcjellë sidomos nga Aristoteli, ishte se uji ishte parimi themelor i gjërave. Sot mund të na duket e çuditshme të thuash se gjithçka buron nga uji por rëndësia e Talesit nuk qëndron te fakti nëse përgjigjja e tij ishte shkencërisht e saktë sipas standardeve moderne. Rëndësia qëndron te pyetja. Ai kërkoi një shpjegim të natyrës brenda vetë natyrës. Kjo ishte një nga hapat e parë drejt asaj që më vonë do të bëhej filozofi natyrore dhe, shumë më vonë, shkencë. Burimet filozofike e paraqesin Talesin si një nga figurat që nisën kërkimin sistematik për parimet dhe shkaqet e botës natyrore dhe Talesi nuk ishte vetëm filozof. Tradita e lashtë e lidh atë me matematikën, astronominë, gjeometrinë, inxhinierinë dhe çështjet politike. Atij i atribuohet edhe parashikimi i eklipsit diellor të vitit 585 para Krishtit, megjithëse mënyra se si duhet kuptuar ky pretendim dhe shkalla e saktësisë së parashikimit mbeten çështje diskutimi historik. Pikërisht këtu figura e Talesit bëhet edhe më interesante. Ai nuk e ndante dijen në kutitë që njohim sot. Për të, të menduarit për yjet, ujin, tokën, numrat, politikën apo natyrën ishte pjesë e së njëjtës përpjekje njerëzore, të kuptuarit e botës. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Shtatë të Urtët e Greqisë nuk ishin filozofë në kuptimin modern të fjalës por një përzierje e filozofëve, ligjvënësve, këshilltarëve dhe njerëzve me reputacion për urtësi praktike. Tradita e lashtë madje i përshkruante jo gjithmonë si “filozofë”, por si njerëz të zotë në këshillim dhe në drejtimin e jetës publike. Në këtë botë të urtësisë së shkurtër, një fjali mund të kishte peshën e një traktati. Edhe Talesit iu atribuuan thënie të shumta, ndër to edhe lidhja me “Njih vetveten”. Por këtu historia kërkon kujdes, burimet antike nuk bien dakord për autorësinë e kësaj shprehjeje. Diogjeni Laertius ia atribuon Talesit, por në të njëjtin pasazh ruan edhe një traditë tjetër që ia lidh atë me Kilonin; ndërsa tradita e Delfit i lidh maksimat me Shtatë të Urtët në tërësi. Megjithatë, edhe kjo pasiguri historike është interesante. Sepse ajo tregon se grekët e lashtë nuk e shihnin urtësinë vetëm si pronë të një individi. Ajo qarkullonte nga një mendje te tjetra, nga një qytet te tjetri, nga një brez te tjetri.“Njih vetveten” dhe “Asgjë me tepricë” u bënë pjesë e traditës së maksimeve të Delfit dhe të kulturës së Shtatë të Urtëve dhe këtu Talesi na afrohet çuditërisht shumë. Sepse pyetja e tij për natyrën dhe pyetja për njeriun janë në fund të fundit të lidhura. Nëse njeriu dëshiron të kuptojë botën, duhet të mësojë të pyesë. Nëse dëshiron të kuptojë veten, duhet të mësojë të dyshojë edhe për atë që beson se di.Kjo është trashëgimia më e madhe e Talesit,jo përgjigjja “uji”, por guximi për të kërkuar një përgjigje. Një qytet, një qiell, një eklips, një magnet, një ujë që ndryshon formë, një tokë që duket sikur qëndron mbi diçka të qëndrueshme ,gjithçka mund të bëhej objekt pyetjeje dhe pyetja, në filozofi, është shpesh fillimi i revolucionit. Mijëra vite më vonë, ne kemi teleskopë, laboratorë, satelitë, inteligjencë artificiale dhe biblioteka të mbushura me miliona libra. Dimë shumë më tepër për universin sesa mund të imagjinonte Talesi.Por pyetja e tij mbetet e gjallë:Nga çfarë është perbërë bota? Ndoshta kjo është arsyeja pse Talesi vazhdon të jetojë në historinë e mendimit,jo sepse e dinte përgjigjen por sepse pati guximin të mos kënaqej me përgjigjet që kishte trashëguar. Dhe ndoshta aty fillon çdo mendje e lirë, në çastin kur njeriu pyet për herë të parë “Pse?” Talesi ishte ndër të parët që e bëri këtë pyetje, jo si një rebelim kundër botës, por si një mënyrë për ta kuptuar atë.Nga miti te arsyeja,nga frika te pyetja,nga pyetja te filozofia. Në këtë rrugë të gjatë të mendimit njerëzor, Talesi i Miletit mbetet një nga ata njerëz që ndezën dritën e parë.
