23 shtatori, dita e fjalëve që flasin me duar

Ndaje

Po sikur, për një ditë, të mos dëgjonim asnjë fjalë, asnjë tingull, asnjë zë dhe të na duhej të kuptonim njëri-tjetrin përmes duarve, shikimit, mimikës dhe atyre mijëra mënyrave të tjera me të cilat njeriu di të shprehë atë që mendon dhe ndien? Ndoshta atëherë do të kuptonim se komunikimi nuk fillon dhe nuk mbaron te zëri, sepse ka fjalë që nuk shqiptohen, por shprehen, ka emocione që nuk kanë nevojë për tingull dhe ka njerëz që nuk heshtin aspak, edhe pse mënyra e tyre për të folur është një tjetër. Gjuha e shenjave nuk është heshtje por gjuhë, mendim, emocion, identitet dhe një mënyrë e plotë për të qenë pjesë e botës dhe për t’i thënë asaj: “Jam këtu, më dëgjo.” Problemi nuk është se dikush komunikon ndryshe,problemi fillon atëherë kur shoqëria ndërton barriera, nuk krijon mundësi të barabarta dhe më pas ia atribuon individit pamundësinë për t’i kapërcyer ato. Një fëmijë që nuk dëgjon, ka të drejtë të mësojë dhe të rritet pa u ndier i përjashtuar, një student ka të drejtë të marrë pjesë dhe të shprehet, një qytetar ka të drejtë të informohet, një profesionist ka të drejtë të punojë dhe të vlerësohet për atë që di e mund të bëjë, ndërsa çdo njeri ka të drejtë të komunikojë pa u detyruar të ndihet i huaj në shoqërinë ku jeton. Prandaj, 23 shtatori nuk duhet të jetë vetëm një datë në kalendar, por një kujtesë për mënyrën se si e shohim njëri-tjetrin, sepse përfshirja nuk është thjesht të hapësh një derë dhe të presësh që tjetri të hyjë por të mendosh që në fillim se si ajo derë mund të jetë e arritshme për të gjithë. Sepse ndonjëherë fjalët nuk kanë nevojë për zë. Mjafton një palë duar që dinë të flasin dhe një shoqëri që ka mësuar të dëgjojë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit