Ka një moment kur nuk të revolton më lajmi i radhës, jo sepse ajo që ndodh është bërë normale, por sepse ke parë aq shumë gjëra të pazakonta të kalojnë para syve, sa edhe e jashtëzakonshmja fillon të humbasë fuqinë për të të tronditur. Arrestime, hetime, akuza për korrupsion, vjedhje, abuzime me pushtetin, njerëz që pasurohen në mënyrë të pashpjegueshme dhe njerëz të zakonshëm që vazhdojnë të jetojnë me ndjesinë se ligji është një derë që nuk hapet njësoj për të gjithë, ndërsa çdo ditë na kërkohet të besojmë se gjërat po ndryshojnë, qytetari shpesh mbetet me të njëjtën pyetje të vjetër. Po ndryshojnë vërtet gjërat për ne, apo thjesht po ndryshojnë emrat në lajme? Dikur reagoje. Shkruaje gjatë, debatoje, zemëroheshe, përpiqeshe të shpjegoje pse një padrejtësi nuk duhej pranuar, pse një abuzim duhej denoncuar, pse heshtja e qytetarëve ishte një rrezik më vete dhe pse një shoqëri që mësohet me të keqen fillon, pak nga pak, ta quajë atë realitet. Sot, ndonjëherë, lexon të njëjtin lajm dhe vazhdon të pish kafenë. Dhe kjo është më e frikshme se zemërimi. Sepse zemërimi tregon se ende të intereson, ndërsa indiferenca është ajo pikë ku njeriu nuk pyet më nëse diçka është e drejtë apo e gabuar, por vetëm nëse do t’i prekë jetën e tij. Kemi ardhur në një pikë ku shumë njerëz nuk heshtin sepse janë dakord, por sepse janë lodhur së foluri në një hapësirë ku duket sikur askush nuk ka më nevojë për mendimin e tyre. Dhe kjo është një nga plagët më të mëdha të një shoqërie, kur qytetari nuk humbet vetëm besimin tek institucionet, por humbet edhe besimin se zëri i tij mund të ketë ndonjë peshë. Atëherë fillon ajo ndjesia e çuditshme, pothuajse absurde, se je emigrant në vendin tënd. Jeton këtu, punon këtu, paguan taksat këtu, rrit fëmijët këtu, njeh rrugët, historitë, njerëzit dhe plagët e këtij vendi, por gjithsesi ndihesh sikur vendimet që ndikojnë jetën tënde merren diku tjetër dhe ti je thjesht ai që duhet të mësohet me to. Dhe ndoshta kjo është arsyeja perse sot dëgjon më shumë frazën “s’ia vlen” sesa “duhet të reagojmë”. S’ia vlen të flasësh. S’ia vlen të kundërshtosh. S’ia vlen të shkruash. S’ia vlen të kërkosh llogari. S’ia vlen, sepse gjithçka do të vazhdojë njësoj. Por pikërisht këtu fillon problemi. Sepse një shoqëri nuk dobësohet vetëm nga korrupsioni, vjedhja apo abuzimi me pushtetin por kur qytetarët, pas shumë zhgënjimesh, vendosin të mos presin më asgjë dhe e kthejnë dorëzimin në mënyrë jetese. Dhe pushteti, çfarëdo forme të ketë, nuk ka nevojë gjithmonë për qytetarë që e duartrokasin. Mjaftojnë qytetarët që nuk besojnë më se ia vlen të flasin. Prandaj ndoshta pyetja më e rëndësishme sot nuk është vetëm se kush po arrestohet, kush po hetohet, kush po akuzohet apo kush do të japë llogari nesër por çfarë po ndodh me ne ndërkohë? Çfarë po ndodh me atë qytetarin që dikur kishte një mendim për gjithçka dhe sot preferon të heshtë? Me atë njeri që dikur besonte se fjala kishte fuqi dhe sot e fshin komentin para se ta publikojë? Me atë që dikur thoshte “kjo nuk është normale” dhe sot thotë “kështu është këtu”? Sepse dita kur padrejtësia nuk të zemëron më nuk është domosdoshmërisht dita kur je bërë më i fortë por kur je lodhur aq shumë, sa ke filluar të përshtatesh me të. Dhe unë nuk dua të përshtatem. Nuk dua të mësohem me lajmet e këqija deri në atë pikë sa të më duken të zakonshme. Nuk dua të pranoj si fat atë që duhet të kërkojmë si të drejtë. Nuk dua të jetoj në vendin tim me ndjesinë se jam mysafire në jetën time. Sepse vendi nuk na humbet vetëm kur ikim prej tij por kur pushojmë së besuari se kemi të drejtë të kërkojmë llogari, të flasim, të kundërshtojmë dhe të kërkojmë një vend më të drejtë për të jetuar.Beteja më e madhe sot nuk është të bërtasim më fort por të mos lejojmë që heshtja të na bindë se nuk kemi më zë.
