Ka beteja që i nisim me bindjen se po mbrojmë veten, të drejtën, dinjitetin apo atë që besojmë, dhe ndoshta pikërisht kështu duhet të nisë një betejë. Por askush nuk na paralajmëron se, nëse qëndrojmë shumë gjatë përballë asaj që na lëndon, mund të fillojmë të marrim prej saj diçka, edhe pa e kuptuar. Sepse e keqja nuk hyn gjithmonë në jetën tonë duke bërë zhurmë. Ndonjëherë hyn ngadalë, përmes mënyrës se si fillojmë të flasim, si gjykojmë, si dyshojmë, si hakmerremi dhe si justifikojmë veten me fjalinë më të rrezikshme: “U bëra kështu sepse ata më detyruan.” Lufton gënjeshtrën dhe, në një moment, gjen veten duke gënjyer për të mbrojtur të vërtetën tënde. Lufton arrogancën dhe fillon të përçmosh ata që nuk mendojnë si ti. Lufton padrejtësinë dhe, të bindur se je në anën e duhur, fillon të justifikosh padrejtësi të tjera. Lufton ftohtësinë e dikujt dhe, pa e kuptuar, e mbyll edhe zemrën tënde. Ndoshta kjo është pjesa më e vështirë e çdo beteje, të mos lejosh që armiku yt të përcaktojë karakterin tënd, sepse mund ta fitosh një konflikt por mund të humbasësh diçka shumë më të rëndësishme brenda vetes. Mund të kesh fjalën e fundit, të fitosh një debat, të zbulosh një gënjeshtër, të largosh dikë nga jeta jote dhe përsëri të mbetesh me një pyetje që askush tjetër nuk mund t’i përgjigjet për ty: Çfarë më bëri kjo luftë?
Nuk është dobësi të zgjedhësh të mos hakmerresh. Nuk është naivitet të ruash mirësinë pasi je lënduar. Dhe nuk është humbje të largohesh nga një betejë kur kupton se, për ta fituar atë, duhet të humbasësh veten. Ka njerëz që kalojnë jetën duke luftuar me atë që u ka bërë keq, derisa një ditë zbulojnë se kanë mbetur të lidhur me të pikërisht përmes urrejtjes. E mbajnë tjetrin jashtë jetës së tyre, por brenda mendimeve të tyre. E kanë larguar nga tavolina, por ende e ulin çdo ditë në tryezën e kujtesës. Dhe ndoshta kjo është një nga format më të heshtura të humbjes, kur njeriu që të lëndoi largohet, por mënyra e tij e të menduarit mbetet brenda teje. Prandaj, para se të hysh në një tjetër betejë, pyete veten jo vetëm nëse ke të drejtë, por edhe nëse mënyra me të cilën po lufton po të ngjan ty. Sepse jo çdo betejë fitohet duke e mposhtur tjetrin. Disa nga betejat më të mëdha fitohen atëherë kur, pasi ke parë nga afër errësirën e tjetrit, zgjedh të mos e marrësh atë me vete, ndaj mos u bëj ajo që të lëndoi. Ky është triumfi që askush nuk mund të ta marrë.
