Protesta, kur heshtja pushon së qeni virtyt

Ndaje

Historia e njerëzimit është edhe historia e njerëzve që kanë refuzuar të heshtin. Që nga çastet më të hershme të qytetërimit, protesta ka qenë një prej mënyrave më të fuqishme me të cilat njeriu ka kërkuar të mbrojë dinjitetin e tij, të kundërshtojë padrejtësinë dhe të kujtojë se pushteti, sado i fortë të duket, nuk mund të qëndrojë gjatë i shkëputur nga zëri i atyre mbi të cilët qeveris. Është e vështirë të përcaktohet një datë e vetme për lindjen e protestës, sepse ajo është pothuajse po aq e vjetër sa vetë organizimi i shoqërisë njerëzore. Megjithatë, historianët përmendin si një nga rastet e para të dokumentuara protestën e punëtorëve në Egjiptin e lashtë, rreth vitit 1150 para erës sonë, gjatë sundimit të faraonit Ramzes III. Punëtorët e fshatit Deir el-Medina, të cilët ndërtonin varret mbretërore, ndërprenë punën dhe dolën përpara autoriteteve për të kërkuar pagat e vonuara dhe kushtet minimale të jetesës. Në thelb, ajo protestë përfaqësonte një kërkesë të thjeshtë, por universale: të drejtën për të jetuar me dinjitet. Më pas, në qytet-shtetet greke, sidomos në Athinë, qytetarët filluan të kërkonin pjesëmarrje më të gjerë në vendimmarrje, ndërsa në Romën e lashtë plebenjtë organizuan largime kolektive nga qyteti për të ushtruar presion mbi aristokracinë dhe për të fituar të drejta politike e sociale. Këto forma të hershme të kundërshtimit dëshmojnë se protesta nuk lindi si një akt rebelimi i verbër, por si një nevojë për të rivendosur ekuilibrin midis pushtetit dhe drejtësisë. Me kalimin e shekujve, protesta u shndërrua në një instrument të rëndësishëm të ndryshimit historik. Revolucionet evropiane, lëvizjet për pavarësi kombëtare, protestat e punëtorëve gjatë industrializimit, lëvizjet për të drejtat civile dhe marshimet për liritë demokratike tregojnë se shumë prej arritjeve që sot konsiderohen të natyrshme kanë lindur pikërisht nga guximi i njerëzve për të mos pranuar heshtjen si fat.

Por çfarë kërkon në të vërtetë protesta? Në thelbin e saj, protesta është një thirrje për dëgjim. Ajo është kërkesa për drejtësi, aty ku sundon pabarazia, për transparencë, aty ku mbizotëron errësira, për liri, aty ku ekzistojnë kufizime dhe për respekt, aty ku individi ndien se dinjiteti i tij është cenuar. Protesta kërkon përgjigje, kërkon dialog, kërkon ndryshim dhe, mbi të gjitha, kërkon që njeriu të mos trajtohet si një zë i parëndësishëm në mesin e turmës. Në shoqëritë demokratike, protesta është një prej treguesve më të qartë të vitalitetit qytetar. Ajo nuk duhet parë domosdoshmërisht si shenjë krize, por si dëshmi se ekziston ende ndërgjegjja kolektive dhe besimi se institucionet mund të përmirësohen. Sepse një shoqëri që nuk proteston kurrë, rrezikon të mësohet me padrejtësinë, ndërsa një shoqëri që di të protestojë në mënyrë paqësore dhe të ndërgjegjshme ruan aftësinë për t’u korrigjuar dhe për të ecur përpara. Në te vertete, protesta është më shumë sesa një grumbullim njerëzish në një shesh. Ajo është zëri i atyre që besojnë se e ardhmja nuk duhet pritur ne pasivitet, por duhet kërkuar, mbrojtur dhe ndërtuar me guxim. Është çasti kur heshtja pushon së qeni virtyt dhe fjala bëhet mjet i ndryshimit, kujtesë, se historia nuk është shkruar vetëm nga sundimtarët, por edhe nga qytetarët e zakonshëm që patën kurajën të thoshin, deri këtu.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit