Mes durimit dhe kaosit

Ndaje

A është trafiku në Vlorë pasojë e numrit të madh të automjeteve, apo e mënyrës se si është organizuar qarkullimi? Çdo drejtues automjeti që lëviz çdo ditë në qytet ka krijuar përgjigjen e tij por një gjë është e padiskutueshme.Vendosja e semaforëve ishte një iniciativë e shkëlqyer. Ajo i jep më shumë ritëm qarkullimit, rrit sigurinë e këmbësorëve dhe vendos më shumë rregull në kryqëzimet më problematike. Por semaforët nuk mund të zgjidhin gjithçka. Vështirësitë fillojnë aty ku rrugët janë të ngushta dhe parkimi paralel u merr frymën korsive të lëvizjes. Mjafton një automjet i ndaluar në një vend të papërshtatshëm dhe gjithçka bllokohet. Në shumë segmente, dy makina me zor kalojnë pranë njëra-tjetrës, ndërsa në orët e pikut trafiku kthehet në një zinxhir të pafund pritjeje. Paradoksi është se, pavarësisht këtij realiteti, drejtuesit e automjeteve ne Vlorë kanë fituar një aftësi të admirueshme. Ata dinë të manovrojnë në hapësira minimale, të presin me durim, t’i japin përparësi njëri-tjetrit dhe të shmangin situata që në qytete të tjera do të përfundonin me përplasje apo konflikte. Çdo ditë ata bëjnë një provë të heshtur të qytetarisë dhe vetëkontrollit. Por nuk mjafton vetëm durimi. Kur dikush parkon pa menduar për pasojat që u shkakton të tjerëve, kur zë korsinë e lëvizjes apo përpiqet të kalojë me çdo kusht i pari, atëherë nuk flasim më për mungesë hapësire, por për mungesë përgjegjësie dhe pikërisht aty nis të veprojë ligji i më të fortit, një ligj që nuk ka vend në rrugët e një qyteti që synon të ecë përpara. Vlora ka nevojë për më shumë hapësira parkimi, për rishikim të parkimit paralel në rrugët ku ai krijon bllokime dhe për zbatim të njëjtë të rregullave për të gjithë. Por, mbi të gjitha, ka nevojë që secili prej nesh të kuptojë se timoni nuk na jep vetëm të drejtën për të lëvizur, por edhe detyrimin për të respektuar të tjerët. Sepse trafiku nuk zgjidhet vetëm me asfalt, semaforë apo tabela por kur infrastruktura dhe qytetaria ecin në të njëjtën rrugë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit