A po bëhet vetmia mënyrë jetese?

Ndaje

Ndoshta pyetja nuk është më nëse jemi vetëm, por nëse po mësohemi të jemi të tillë. Jetojmë në një kohë kur mund t’i shkruajmë kujtdo, në çdo orë, nga çdo cep i botës. Telefonat na mbajnë vazhdimisht të lidhur, rrjetet sociale na tregojnë se çfarë bëjnë të tjerët, mesazhet na mbërrijnë në sekondë… dhe megjithatë, gjithnjë e më shumë njerëz ndihen vetëm. Një paradoks i çuditshëm i kohës moderne: kemi më shumë kontakte, por më pak lidhje; më shumë ndjekës, por më pak njerëz me të cilët mund të flasim vërtet; më shumë zëra rreth nesh, por më pak biseda që na prekin. Dikur vetmia ishte shpesh një rrethanë. Sot rrezikon të bëhet zgjedhje, zakon, madje mënyrë jetese. Mbyllemi në shtëpi dhe themi se jemi të lodhur. Shmangim një takim dhe themi se nuk kemi kohë. Nuk telefonojmë një mik sepse presim të na telefonojë ai. Nuk trokasim në derën e dikujt sepse kemi frikë se mos e shqetësojmë. Dhe pak nga pak, pa e kuptuar, ndërtojmë rreth vetes një mur që në fillim na duket rehati, ndërsa më vonë bëhet burg. Edhe marrëdhëniet kanë ndryshuar. Jemi bërë më të kujdesshëm për të mos u lënduar, aq sa ndonjëherë kemi harruar të afrohemi. Kërkojmë njerëz pa të meta, miqësi pa keqkuptime, dashuri pa konflikte, marrëdhënie që të mos na lodhin. Dhe sapo dikush na zhgënjen, largohemi. Ndoshta sepse kemi harruar se afërsia njerëzore kërkon durim, falje, tolerancë dhe, mbi të gjitha, praninë e tjetrit edhe atëherë kur nuk është gjithçka perfekte. Vetmia nuk është gjithmonë armike. Ka një vetmi të bukur, të zgjedhur, që na jep mundësinë të dëgjojmë veten. Të rrimë pak me mendimet tona, të lexojmë, të shohim një perëndim, të pimë një kafe në heshtje. Njeriu ka nevojë edhe për këtë hapësirë por ka një tjetër vetmi. Ajo që vjen kur ke nevojë të flasësh dhe nuk ke kujt. Kur ke një lajm të bukur dhe nuk di kë të telefonosh. Kur sëmuresh dhe telefoni mbetet i heshtur. Kur kthehesh në shtëpi dhe askush nuk pyet: “Si shkoi dita?” Kjo është vetmia që dhemb dhe ndoshta më e frikshmja është se po fillojmë ta normalizojmë. Po mësohemi të hamë vetëm, të udhëtojmë vetëm, të përballemi vetëm me problemet, të festojmë vetëm, të qajmë në heshtje dhe pastaj, në rrjetet sociale, të dukemi sikur gjithçka është në rregull. Ndoshta kemi harruar se njeriu nuk ka nevojë vetëm për komunikim por për përkatësi. Për dikë që të kujtohet për të. Për një mik që të vijë pa arsye. Për një tavolinë ku dikush të pret. Për një bisedë që zgjat më shumë se një “si je?”. Për një dorë mbi sup, një përqafim, një prani. Sepse teknologjia mund ta zvogëlojë distancën, por nuk mund ta zëvendësojë praninë. Dhe keto here ndoshta duhet të pyesim veten: A po zgjedhim vetminë, apo po zgjedhim njëri-tjetrin gjithnjë e më pak? Në një shoqëri që na mëson të jemi të pavarur, të fortë dhe të mos kemi nevojë për askënd, ndoshta akti më njerëzor është të pranojmë të kundërtën, se kemi nevojë për njëri-tjetrin. Sepse nuk është e rëndësishme sa njerëz kemi në telefon por sa njerëz do të vinin kur telefoni të mos punonte më.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit