Thonë se Kopshti i Edenit u krijua si një copëz parajse dhe ne, me sa duket, kemi vendosur ta provojmë edhe një herë, vetëm se këtë herë kemi bërë një përmirësim të vogël të versionit biblik. Edenin e kemi vendosur pranë Kryeministrisë. Dhe duhet pranuar, ideja është brilante. Një kopsht i bukur, i gjelbër, i kuruar, në zemër të pushtetit, një vend ku syri gjen atë që qyteti shpesh ia mohon. Pak gjelbërim, pak qetësi dhe pak bukuri. Por, si në çdo Eden, edhe këtu ka një detaj. Frekuentuesit. Herë pas here shfaqen edhe disa figura të njohura, njerëz që i kemi parë në institucione, zyra të rëndësishme, korridore pushteti… e, natyrisht, edhe në Kuvend. Nuk ka asgjë të keqe. Edhe njerëzit me pushtet kanë të drejtë të shijojnë një kopsht. Madje, pas kaq shumë orësh pune për të mirën e publikut, një gotë në ajër të pastër mund të jetë fare e merituar. Vetëm se ekziston një parim i vogël që nuk do të ishte keq të kujtohej herë pas here.Pushteti është përgjegjësi dhe jo licencë. Dhe këtu fillon satira. Sepse ndoshta kjo është një formë e re e demokracisë.Të gjithë të barabartë para ligjit… disa pak më të barabartë brenda Kopshtit të Edenit. Një gotë këtu, një shishe atje, pak zhurmë, pak mbetje…asgjë dramatike.Ne fund te fundit ,edhe parajsa ka shërbimin e saj të pastrimit. Por një hapësirë publike nuk matet vetëm me sa bukur është krijuar. Matet edhe me mënyrën se si sillemi brenda saj, sidomos atëherë kur nuk kemi kamera mbi kokë. Mund të investosh miliona, ta gjelbërosh, ta mirëmbash dhe ta quash Eden. Por nëse disa prej atyre që e frekuentojnë mendojnë se hapësira publike është vendi ku mund të bëjnë atë që nuk do ta bënin në shtëpinë e tyre, atëherë pyetja vjen natyrshem: Kush po e prish Edenin? Ndoshta nuk është kopshti. Ndoshta nuk janë lulet. Ndoshta janë zakonet. Në Bibël, gjarpri ishte tunduesi.Në versionin modern, gjarpri është më i sofistikuar: ka pushtet, ka privilegje dhe, me sa duket, ndonjëherë harron edhe gjurmët që lë pas. Edeni është krijuar. Parajsa është aty.Tani mbetet vetëm të mësojmë një gjë të thjeshtë. Të sillemi si njerëz edhe kur ndodhemi në parajsë.
