A po harrojmë të gëzohemi?

Ndaje

Ndonjëherë mendoj se jemi bërë aq të zotë për të përballuar jetën, sa kemi harruar të jetojmë pjesën e saj më të bukur: të gëzohemi. E shtyjmë gëzimin për një ditë tjetër, për një kohë tjetër, për atë momentin kur gjithçka do të jetë më e qetë, më e rregullt, më e sigurt dhe ne do të kemi më shumë kohë për veten dhe për njerëzit që duam. “Kur të mbarojë kjo punë”, “kur të zgjidhet ky problem”, “kur fëmijët të sistemohen”, “kur të kemi më shumë mundësi”, “kur të kemi më pak shqetësime” — dhe kështu, pa e kuptuar, e vendosim lumturinë gjithmonë pak më larg nesh. Por a nuk është e çuditshme që presim kaq shumë për të qenë mirë, ndërkohë që jeta vazhdon të ndodhë pikërisht tani? Ndoshta problemi është se kemi filluar ta kërkojmë lumturinë vetëm te gjërat e mëdha, te sukseset, te udhëtimet, te blerjet, te lajmet e mira dhe te ato momente që mendojmë se meritojnë të festohen, ndërsa harrojmë se pjesa më e madhe e jetës përbëhet nga ditë krejt të zakonshme, të cilat në momentin që i jetojmë na duken të parëndësishme, por vite më vonë mund të kuptojmë se pikërisht ato ishin lumturia jonë.

Një mëngjes i qetë, një kafe me dikë që na bën mirë, një telefonatë nga një njeri i dashur, një tavolinë rreth së cilës mblidhet familja, një shëtitje pa ndonjë qëllim të madh, një e qeshur që na del papritur, apo edhe thjesht ajo ndjesia e paqtë që kemi kur kthehemi në shtëpi dhe e dimë se aty është dikush që na pret. Këto janë gjëra që shpesh i marrim si të mirëqena, derisa një ditë mungojnë. Ndoshta kemi harruar edhe të falënderojmë jetën për ato që nuk i kemi kërkuar kurrë me zë, sepse kemi qenë shumë të zënë duke numëruar ato që na mungojnë. Shohim çfarë kanë të tjerët, krahasojmë shtëpitë, udhëtimet, mundësitë, sukseset dhe jetët që shfaqen në ekranet tona, dhe ndërkohë harrojmë të shohim me vëmendje jetën që kemi ndërtuar vetë. Jemi bërë mjeshtër të krahasimit dhe fillestarë të mirënjohjes dhe ndoshta kjo është një nga arsyet pse gëzohemi gjithnjë e më pak. Sepse sapo arrijmë diçka, në vend që ta shijojmë, fillojmë të mendojmë për atë që ende nuk kemi; sapo përfundojmë një problem, shqetësohemi për tjetrin; sapo kemi një ditë të mirë, presim me ankth ditën kur diçka mund të shkojë keq.

Por jeta nuk do të bëhet ndonjëherë plotësisht perfekte, sepse gjithmonë do të ketë një shqetësim, një mungesë, një pasiguri, një njeri që do të na zhgënjejë, një plan që nuk do të realizohet dhe një ditë që nuk do të shkojë siç e kishim menduar. Nëse presim që të zhduken të gjitha këto për të filluar të gëzohemi, mund të na ikë një pjesë e madhe e jetës duke pritur dhe ndoshta duhet të mësojmë përsëri të gëzohemi për gjërat e vogla, jo sepse ato janë të vogla, por sepse në fund janë pikërisht ato që e mbushin jetën. Të blejmë lulet që na pëlqejnë edhe kur nuk kemi ndonjë festë. Të ulemi për një kafe me dikë pa e parë orën. Të telefonojmë një njeri vetëm për t’i thënë se na erdhi në mendje. Të bëjmë një udhëtim që e kemi shtyrë prej kohësh. Të qeshim më shumë, edhe kur nuk kemi ndonjë arsye të madhe. Të mos e shtyjmë një “të dua”, një “më mungon”, një “hajde të takohemi”, sepse koha është e vetmja gjë që nuk na premton kurrë se do të kemi një mundësi tjetër. Ndoshta duhet të ndalojmë së kërkuari gjithmonë ditën e madhe dhe të fillojmë të vëmë re bukurinë e ditëve të zakonshme. Sepse një ditë do të kuptojmë se nuk ishin vetëm udhëtimet e mëdha, festat e mëdha apo sukseset e mëdha ato që na bënë të lumtur; ishin mëngjeset e zakonshme, njerëzit tanë, bisedat pa rëndësi, tavolinat e mbushura, përqafimet, të qeshurat dhe ato çaste që nuk i fotografuam kurrë, sepse në atë moment ishim shumë të zënë duke i jetuar. Dhe ndoshta kjo është ajo që dua t’i them vetes dhe kujtdo që po e lexon këtë letër kete të dielë:

Mos e shty gëzimin për nesër. Mos prit që jeta të bëhet më e lehtë për ta dashur. Mos prit që gjithçka të jetë në vend për të qenë mirënjohës. Mos prit një arsye të madhe për të festuar. Sepse ndonjëherë, ajo që ne e quajmë “një ditë e zakonshme”, është pikërisht ajo ditë për të cilën një ditë tjetër do të jepnim gjithçka për ta pasur përsëri. Dhe ndoshta të gëzohesh, nuk do të thotë të kesh një jetë pa probleme por të mos lejosh që problemet të të marrin edhe të drejtën për të qenë i lumtur.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit