Moda e Podcast-it.Mes zërit që dëgjohet dhe mendimit që kërkon kohë.

Ndaje

Podcast-i nuk është thjesht një format i ri mediatik që u shtua në listën e gjatë të mënyrave si komunikojmë sot por një pasqyrë e kohës në të cilën jetojmë, ku fjala po përpiqet të rifitojë hapësirën e saj mes zhurmës së imazhit, shpejtësisë së informacionit dhe konsumit të menjëhershëm të gjithçkaje që na rrethon.Në pamje të parë, duket si një “modë” e thjeshtë,mikrofonë të hapur, biseda të lira, tema të pafundme dhe një publik që rritet çdo ditë.
Në thelb podcast-i është shumë më tepër se kaq, sepse ai ka rikthyer diçka që dukej se po humbiste në komunikimin modern ,
dëgjimin si akt të vetëdijshëm, si një formë pranimi të kohës së tjetrit dhe të mendimit të tij pa ndërprerje.Në një realitet ku gjithçka është fragmentuar në sekonda, ku informacioni konsumohet më shumë me sy sesa me mendje, podcast-i krijon një hapësirë të rrallë ngadalësie, ku fjala nuk garon për vëmendje në një ekran të mbushur me stimuj, por zhvillohet lirshëm, merr frymë dhe ndërton kuptim përmes rrjedhës së saj natyrore.Megjithatë, pikërisht kjo hapësirë e re lirie e ka sjellë edhe paradoksin e vet, sepse sa më i aksesueshëm bëhet mikrofoni, aq më shumë rrezikon të humbasë pesha e fjalës, duke e kthyer podcast-in ndonjëherë në një produkt të prodhuar për të qenë pjesë e trendit dhe jo domosdoshmërisht për të thënë diçka që mbetet.Unë vetë, si dikush që e praktikoj këtë zhanër mediatik, e ndiej shumë qartë këtë vijë të hollë mes dëshirës për të folur dhe përgjegjësisë për atë që thuhet, sepse në momentin që ndizet mikrofoni, nuk është më vetëm zëri që dëgjohet, por edhe pesha e mendimit që e shoqëron atë zë, dhe kjo e bën procesin më shumë se thjesht komunikim,e bën reflektim.Në këtë kuptim, podcast-i nuk është vetëm një hapësirë për të folur, por një hapësirë për të menduar me zë të lartë, për të testuar ide, për të ndërtuar argumente dhe për të krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë me dëgjuesin, i cili nuk është më thjesht konsumator i shpejtë i informacionit, por pjesëmarrës në një bisedë që kërkon kohë dhe vëmendje.Për të rinjtë, sidomos, kjo formë komunikimi është bërë një alternativë ndaj mënyrave tradicionale të të mësuarit dhe të informimit, sepse u jep atyre mundësinë të dëgjojnë histori reale, mendime të papërpunuara dhe reflektime që nuk janë gjithmonë të filtruar nga struktura formale, por që shpesh kanë një sinqeritet më të drejtpërdrejtë.Dhe ndoshta këtu qëndron edhe thelbi i vërtetë i kësaj “mode”,jo në faktin që podcast-i është i ri, por në nevojën e vjetër dhe gjithmonë të rikthyer për të dëgjuar më shumë dhe për të folur më ngadalë, për të mos e reduktuar komunikimin në shpejtësi, por për ta kthyer atë në një proces ku mendimi ka hapësirë të formohet.
Pyetja që mbetet nuk është nëse podcast-i do të zgjasë si trend, por nëse ne do të dimë ta përdorim atë si një mjet për të ndërtuar diçka më të thellë se zëri i momentit,një hapësirë ku fjala nuk humbet, por fiton peshë dhe ku dëgjimi merr kuptim.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit