Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo pluhuri dhe kundërmimi i tij. Ai vazhdon të endet mbi jetën tonë publike si një erë e rëndë që del nga dhomat e mbyllura të historisë dhe na kujton se diktaturat nuk vdesin plotësisht ditën kur rrëzohen. Ato lënë pas zakone, instinkte, metoda dhe njerëz që mësojnë të ndryshojnë vetëm kostumin, por jo bindjet. Vezët e gjarprit janë ende kudo. Ato nuk mbajnë më uniforma, nuk ngrenë më grushtin lart dhe nuk flasin me gjuhën e revolucionit proletar. Sot ato paraqiten si analistë, politikanë, nostalgjikë, ideologë të rinj, madje edhe si predikues të demokracisë por thelbi mbetet i njëjtë,dëshira për të kontrolluar mendimin, për të delegjitimuar kundërshtarin, për të relativizuar krimin dhe për të zëvendësuar të vërtetën me propagandën. Komunizmi shqiptar nuk ishte një gabim administrativ i historisë. Ishte një makineri represive që ndërtoi pushtetin mbi burgun, internimin, frikën, izolimin dhe shkatërrimin sistematik të elitave intelektuale, ekonomike dhe shpirtërore të vendit. Megjithatë, më shumë se tri dekada pas rënies së tij, vazhdojnë të gjenden zëra që përpiqen ta lyejnë atë me ngjyra romantike, sikur dhuna të mund të zbukurohet nga kujtimet selektive dhe sikur vuajtja e mijëra njerëzve të mund të fshihet pas një nostalgjie të rreme për rendin dhe sigurinë. Këto janë vezët e gjarprit. Ato pjellin mashtrim, sepse e paraqesin diktaturën si alternativë morale. Pjellin dhunë psikike, sepse përpiqen t’u imponojnë viktimave heshtjen dhe harresën. Dhe mbi të gjitha, pjellin urrejtje, sepse kultura e diktaturës ushqehej pikërisht me ndarjen e shoqërisë në “tanët” dhe “armiqtë”, në besnikë dhe tradhtarë, në të denjë dhe të padëshiruar. Ato janë shpërndarë në të majtë dhe në të djathtë, në partitë e vogla dhe në ato të mëdha. Nuk janë më çështje ideologjish por mënyra të të menduarit. Janë refleksi autoritar që del në sipërfaqe sa herë dikush kërkon bindje absolute, nënshtrim ndaj liderit, heshtje përballë padrejtësisë dhe demonizim të çdo zëri kritik. Edhe sot, shumë prej tyre qëndrojnë syçelët për t’i siguruar mbrojtjen historike diktaturës. Jo për ta rikthyer atë në formën e vjetër , historia rrallë përsëritet në të njëjtën mënyrë por për ta rehabilituar moralisht, për ta relativizuar dhe për ta bërë të pranueshme në kujtesën kolektive. Është një betejë për narrativën, për mënyrën se si do të kujtohet e shkuara dhe për atë që brezat e rinj do të mësojnë mbi të. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh. Një shoqëri që nuk dënon qartë të keqen, përfundon duke bashkëjetuar me të. Një popull që nuk e ruan kujtesën e viktimave, rrezikon të prodhojë viktima të reja. Dhe një demokraci që toleron nostalgjinë për tiraninë, fillon ngadalë të humbasë imunitetin ndaj autoritarizmit. Ç’mallkim i çuditshëm për Shqipërinë. Të ketë rrëzuar diktaturën, por ende të mos ketë çrrënjosur mendësinë e saj. Të ketë fituar lirinë, por ende të debatojë me ata që kërkojnë t’i vendosin prangat një emër tjetër. Sepse komunizmi nuk matet vetëm me vitet që sundoi, por edhe me hijen që vazhdon të hedhë mbi brezat që erdhën pas tij. Dhe derisa kjo hije të përballet me të vërtetën, vezët e gjarprit do të vazhdojnë të çelin.
