Iluzioni i gjithëpushtetshmërisë

Ndaje

Ka një tundim të vazhdueshëm në mënyrën si e shohim shtetin dhe institucionet financiare.
T’i imagjinojmë si mekanizma që, nëse duan, mund të rregullojnë gjithçka inflacionin, papunësinë, rritjen ekonomike, madje edhe vetë pasiguritë që prodhon jeta ekonomike. Në këtë pritshmëri fshihet një ide e rrezikshme,ajo e gjithëpushtetshmërisë. Në realitet, si qeveritë ashtu edhe bankat qendrore janë institucione me kompetenca të mëdha, por të kufizuara nga vetë natyra e ekonomisë dhe e shoqërisë. Ekonomia nuk është një makinë që rregullohet me disa leva por një sistem kompleks, i ndërtuar mbi miliona vendime individuale, interesa që shpesh përplasen dhe informacione që nuk janë kurrë të plota. Pikërisht këtë theksonte edhe Milton Friedman, kur argumentonte se ndërhyrjet e mëdha shpesh prodhojnë pasoja të paparashikuara, sepse askush nuk e zotëron të gjithë informacionin që kërkon një kontroll i plotë.Banka qendrore, për shembull, ka në dorë një nga instrumentet më të fuqishme,politikën monetare. Ajo mund të rrisë ose ulë normat e interesit, të kontrollojë ofertën e parasë dhe të përpiqet të stabilizojë inflacionin. Por edhe këto ndërhyrje kanë kufijtë e tyre. Vendimet e saj ndikojnë ekonominë me vonesë, reagimet e tregut nuk janë gjithmonë të parashikueshme dhe shpesh faktorë të jashtëm si krizat globale, konfliktet apo ndryshimet teknologjike e zbehin ndikimin e saj. Nga ana tjetër, qeveria mund të ndërhyjë përmes politikave fiskale, investimeve publike apo rregullimeve ligjore. Ajo mund të krijojë kushte më të mira për zhvillim, të mbështesë sektorë të caktuar apo të mbrojë shtresat më të ndjeshme. Por nuk mund të krijojë zhvillim të qëndrueshëm vetëm me vendime nga lart, nëse mungon iniciativa, besimi dhe dinamika që vjen nga vetë shoqëria. Ideja se këto institucione janë të gjithëpushtetshme lind shpesh nga nevoja për siguri,dëshira për të besuar se dikush ka kontrollin. Por e vërteta është më pak komode,ato kanë ndikim, por jo kontroll absolut,mund të orientojnë por jo të diktojnë çdo rezultat. Ndoshta pyetja më e saktë nuk është nëse janë të gjithëpushtetshme, por sa mirë arrijnë të balancojnë fuqinë që kanë me kufijtë që nuk mund t’i kapërcejnë. Sepse aty qëndron dallimi mes një institucioni që premton më shumë sesa mund të japë dhe një institucioni që kupton se ndikimi i tij është real por kurrë i pakufizuar.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit