Galeria e madhështive të vetshpallura

Ndaje

Në qytetin e tyre, çdo pasqyrë është një tribunë dhe çdo reflektim një ovacion i menjëhershëm, një duartrokitje e heshtur që nuk ka nevojë për duar, sepse mjafton prania e tyre për ta justifikuar vetveten. Ata ecin si organizatorë të përhershëm të një spektakli që nuk kërkon publik, sepse publiku për ta është i panevojshëm.
U mjafton vetja, u mjafton reflektimi, u mjafton iluzioni se çdo hap i tyre meriton një duartrokitje që nuk mbaron kurrë. Fjalët që nxjerrin nga goja nuk lindin për të ndërtuar ura, por për të ngritur mure të padukshme, për të dëshmuar me një siguri të rreme se çdo mendim tjetër është më i zbehtë, më i ngadaltë, më i parëndësishëm krahasuar me atë që ata besojnë se përfaqësojnë. Dhe sa herë që dikush përpiqet të ndajë një histori të thjeshtë, një emocion të sinqertë apo një përvojë njerëzore, ata ndërhyjnë me një buzëqeshje të butë në sipërfaqe, por të ftohtë në thelb, duke lënë të kuptohet se asgjë tjetër nuk arrin nivelin e tyre të supozuar të rëndësisë. Në tavolina, në biseda, në çdo hapësirë ku ndodhen, gjithçka shndërrohet në skenë ku ata janë gjithmonë protagonistë të vetëshpallur, ku edhe gjestet më të zakonshme marrin peshën e një shfaqjeje të stërvitur, sepse çdo veprim i tyre duhet të duket më i rëndësishëm se i të tjerëve, çdo fjalë më e mprehtë, çdo mendim më “i avancuar”, edhe kur në thelb nuk është gjë tjetër veçse përsëritje e vetes së tyre të fryrë. Dhe kur dikush tjetër arrin diçka, ata nuk e përjetojnë si frymëzim, por si kërcënim të heshtur ndaj një madhështie të imagjinuar, duke e mbuluar shpesh me ironi të ftohtë ose me indiferencë të rreme, sepse brenda tyre nuk ka vend për sukses të tjetrit, vetëm për pasqyrimin e vetes së tyre të zmadhuar. Ata nuk e pranojnë bashkëpunimin, sepse e ngatërrojnë me nënshtrim, nuk e pranojnë kritikën, sepse e ngatërrojnë me sulm dhe nuk e pranojnë barazinë, sepse jetojnë me bindjen e rreme se janë gjithmonë një hap mbi të tjerët. Por ajo që nuk e shohin, ose nuk duan ta shohin, është se kjo madhështi e tyre nuk prodhon lidhje, nuk krijon respekt të vërtetë dhe nuk lë pas asnjë jehonë reale, sepse ndërsa flasin për veten si qendër të gjithçkaje, ata në fakt ngushtojnë gjithnjë e më shumë rrethin e tyre deri sa mbeten të rrethuar vetëm nga vetja dhe nga ata që i pasqyrojnë pa mendim , servilët, që i ushqejnë iluzionin dhe narcizmi që i mban peng. Dhe kur zhurma e vetëkënaqësisë së tyre fillon të shuhet dhe pasqyrat nuk kthejnë më asgjë që të ketë peshë të vërtetë, mbetet vetëm një e vërtetë e heshtur, por e pamëshirshme, se ata që mendojnë se janë më të mirët, shpesh janë thjesht më të vetmuarit në një festë ku duartrokitjet vijnë vetëm nga jehona e tyre.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit