Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kjo pyetje nuk është thjesht një mendim i rastësishëm, por një ndalesë e domosdoshme përballë një realiteti ku fjala shpesh nuk kufizohet me urdhër të drejtpërdrejtë por formësohet në mënyrë më të butë, më të padukshme dhe pikërisht për këtë arsye më të vështirë për t’u vënë re. Sepse kur frika bëhet kujdes, kur ndikimi shndërrohet në normalitet dhe kur servilizmi nuk shihet më si devijim, por si pjesë e “rregullit të lojës”, atëherë liria nuk zhduket menjëherë, por fillon të ngushtohet ngadalë, derisa mbetet vetëm forma e saj. Në këtë hapësirë të ndërmjetme, media vazhdon të flasë, por jo gjithmonë me të njëjtën pavarësi,vazhdon të informojë por jo gjithmonë me të njëjtën distancë nga pushteti dhe vazhdon të ekzistojë si institucion, por jo gjithmonë si garanci e plotë e së vërtetës. Dhe pikërisht këtu qëndron reflektimi më i vështirë i kësaj dite,jo në mungesën e fjalës por në mënyrën se si ajo përshtatet, negocion dhe shpesh hesht në emër të mbijetesës, duke na lënë me pyetjen që nuk kërkon përgjigje të lehtë por ndershmëri të vazhdueshme.
A kemi vërtet fjalën e lirë, kur ajo që na paraqitet si e tillë shpesh duket e filtruar nga frika, e ndikuar nga blerja e heshtur e interesave dhe e zbutur nga një servilizëm që nuk emërtohet, por ndihet në mënyrën si formësohet lajmi, si zgjidhet gjuha dhe si shmangen të vërtetat që prishin ekuilibrat e pushtetit dhe të interesit?
