Ka disa të diela kur, pasi mbyllet zhurma e javës dhe gjithçka përreth bëhet më e qetë, mbetem vetëm me mendimet e mia. Janë pikërisht këto çaste që, pa e kuptuar, filloj të bëj llogaritë e mia të heshtura: çfarë bëra, çfarë nuk bëra, çfarë lashë përgjysmë, çfarë mund të kisha bërë ndryshe dhe sa shumë gjëra i shtyva për një “më vonë” , vonesë e cila nuk erdhi kurrë. Kjo ndoshta sepse, për një kohë të gjatë, kam vazhduar… Edhe kur isha e lodhur, vazhdoja. Edhe kur diçka më dhembte, e lija mënjanë dhe merresha me atë që duhej bërë. Edhe kur brenda meje kishte pasiguri, përpiqesha të dukesha e sigurt. Dhe kështu, pa e kuptuar, u mësova me idenë se duhet të jem e fortë, sepse gjithmonë ka diçka që pret, dikush që ka nevojë, një përgjegjësi që nuk mund ta mënjanosh. Por vjen një moment kur lodhesh, jo vetëm fizikisht. Lodhet mendja nga të menduarit pa pushim, zemra nga pritja, shpirti nga përpjekja për t’i mbajtur të gjitha në vend,dhe atëherë fillon të pyesësh veten nëse vërtet ke bërë mjaftueshëm. Unë e kam bërë këtë pyetje shumë herë. Kam menduar për gjërat që nuk i përfundova, për mundësitë që më ikën nga duart, për vendimet që ndoshta duhej t’i kisha marrë më herët, për njerëzit që ndoshta duhej t’u kisha thënë më shumë, për ëndrrat që i lashë diku në mes të rrugës, sepse gjithmonë dukej sikur kishte diçka më urgjente për t’u bërë. Dhe ndonjëherë më vjen mendimi se mund të kisha bërë më shumë ne jeten time, ose ndoshta mundesha per te bere me shume. Por sot, duke parë pas, e kuptoj se nuk mund ta gjykoj veten vetëm nga ajo që nuk arrita. Sepse unë nuk e kam pasur gjithmonë në dorë rrjedhën e gjërave. Ka pasur rrethana që nuk i zgjodha, kohë që nuk më priti, njerëz që nuk ishin aty kur duhej të ishin, dyer që u mbyllën pikërisht atëherë kur besoja se do të hapeshin, dhe ka raste kur, sado të përpiqesh, fati nuk është me ty. Kjo është ndoshta pjesa më e vështirë për t’u pranuar. Sepse ne jemi mësuar të besojmë se gjithçka varet nga ne,nëse punojmë më shumë, nëse këmbëngulim më shumë, nëse nuk dorëzohemi, një ditë do të arrijmë atje ku duam.
Por jeta nuk është gjithmonë kaq e drejtë. Ndonjëherë mund të bësh gjithçka siç duhet dhe përsëri të mos marrësh atë që ke pritur. Mund të japësh më të mirën dhe të mbetesh me një ndjesi boshllëku. Mund të kesh dashur shumë, të jesh përpjekur shumë dhe, në fund, të kesh ende disa gjëra pezull. Dikur kjo më shqetësonte shumë por sot, jo dhe aq. Sot po mësoj se disa gjëra mund të mbeten të pambaruara pa qenë domosdoshmërisht dështime. Disa ëndrra mund të mos realizohen. Disa plane mund të ndryshojnë. Disa rrugë mund të mos na çojnë atje ku menduam. Dhe kjo nuk do të thotë se rruga jonë ka qenë e gabuar. Ndoshta thjesht ka qenë rruga jonë.
Dhe në këtë moshë, më duket se, nuk dua më të jetoj nën presionin për t’i rregulluar të gjitha, për t’i përfunduar të gjitha, për t’i dhënë çdo gjëje një përgjigje. Ka një lloj paqeje që vjen kur më në fund pranon se nuk mund të kthehesh pas dhe të ndryshosh asgjë Mund vetëm të shohësh pas, me pak më shumë butësi. Të shohësh atë grua që ke qenë, me gabimet e saj, me frikërat, me zgjedhjet e mira dhe jo , me gjërat që i bëri mirë dhe me ato që nuk arriti t’i bëjë fare, dhe të mos e gjykosh më aq ashpër sepse ajo bëri atë që mundi. Me forcën që kishte atëherë. Me dijen që kishte atëherë. Me rrethanat që kishte atëherë. Dhe ndoshta kjo është qetësia që kërkoj tani, të mos kem më nevojë t’i dëshmoj askujt, madje as vetes, se mund të bëj më shumë. Të ulem ndonjëherë në heshtje dhe të pranoj se disa gjëra do të mbeten pezull. Se disa “sikur” do të vazhdojnë të jetojnë diku brenda meje. Se mund të kisha bërë më shumë, po, por ndoshta jo gjithçka varej nga unë dhe mbi të gjitha, të pranoj se jo çdo betejë fitohet me forcë. Disa thjesht duhen lënë pas.Pa zhurmë,pa faj,pa shpjegime. Vetëm me atë qetësinë që vjen kur më në fund pushon së luftuari me atë që nuk mund ta ndryshosh. Ndoshta nuk ia dola në gjithçka. Ndoshta mund të kisha bërë më shumë. Por nuk dua ta kaloj pjesën tjetër të rrugës duke u dënuar për atë që nuk arrita. Bëra atë që munda, me atë që pata, me vlerat dhe mundesite e mia… Ndersa tani, dua vetëm pak qetësi….
