Ka periudha që mendojmë se i kemi lënë pas duke i kujtuar si fotografi bardhë e zi, si zëra nga një televizor i vjetër, si fjalime të gjata që përsëritnin të njëjtën të vërtetë derisa ajo duhej të dukej e vetmja e vërtetë e mundshme. Dikur ishte Ramiz Alia.Një kohë kur shteti fliste me një zë, propaganda e përcillte atë zë dhe qytetari duhej të dëgjonte. Ndersa sot jetojmë në një kohë tjetër. Kemi internet, rrjete sociale, qindra portale, televizione, smartphone dhe një pafundësi informacioni. Por ndonjëherë, mes gjithë kësaj zhurme moderne, lind një pyetje e vjetër se a kemi ndryshuar valle vërtet mënyrën se si prodhohet propaganda, apo thjesht kemi ndryshuar teknologjinë që e shpërndan atë? Dikur lajmi vinte nga televizori i vetëm ndersa sot mund të vijë nga dhjetëra ekrane njëherësh.Dikur kishte një narrativë zyrtare por sot mund të kemi dhjetëra versione që, çuditërisht, përfundojnë të gjitha te i njëjti përfundim. Dikur propaganda kishte mikrofonin. Sot ka algoritmin. Dhe ndoshta këtu qëndron ndryshimi më i madh. Propaganda moderne nuk ka më nevojë të të urdhërojë të besosh pasi ajo thjesht përsërit të njëjtën histori aq shumë herë, sa në një moment fillon të të duket sikur e ke menduar vetë. Kjo është arsyeja pse rikthimi në kohë nuk është nostalgji por kujtesë. Sepse shteti i propagandës nuk fillon domosdoshmërisht atë ditë kur dikush të thotë çfarë duhet të mendosh. Fillon atëherë kur pushteti përpiqet të vendosë se çfarë duhet të shohësh, çfarë duhet të dëgjosh dhe, mbi të gjitha, çfarë nuk duhet të pyesësh. Dhe atëherë më lind pyetja që nuk është aspak historike: Kush do ta zërë vendin e Ramiz Alisë jo si person por si model. Sepse njerëzit ikin, sistemet ndryshojnë, teknologjia përparon… ndërsa tundimi për ta përdorur informacionin si instrument pushteti mbetet gjithmonë aty. Dikur shteti kishte propagandën ndersa sot rreziku është më i sofistikuar. Propaganda bëhet shtet.
