Kur pret të të ndodhë një mrekulli

Ndaje

Ka ditë që ngjajnë me njëra-tjetrën aq shumë, sa harron cilën ditë të javës je. Zgjohesh në të njëjtën orë, ndjek të njëjtin rrugë, thua të njëjtat fjalë mirëmëngjesi, dhe dielli lind e perëndon pothuajse pa e vënë re. Monotonia nuk vjen si një goditje, vjen ngadalë, si pluhur mbi mobilie, aq imtë sa s’e sheh të bjerë, por një ditë e gjen gjithçka të mbuluar prej saj. Dhe pikërisht atëherë, në mes të kësaj përsëritjeje të heshtur, lind pritja. Jo ajo pritja e madhe, teatrale, por një shpresë e vogël, pothuajse e turpshme, që mbahet fshehur diku pas gjoksit: sot mos ndodh diçka ndryshe. Një telefonatë e papritur. Një njohje e re. Një lajm që ndryshon gjithçka. Një çast që s’e ke p lanifikuar dhe që të nxjerr nga rreshti i ditëve identike. Njeriu pret mrekullinë ashtu si pret shiun pas një thatësire të gjatë duke ngritur sytë nga qielli edhe kur s’ka re, duke dëgjuar çdo zë të largët sikur mund të jetë shenja. Dhe ndërkohë vazhdon të ecë, të punojë, të buzëqeshë me përtëri, sepse jeta nuk pret, por diku brenda, një pjesë e vogël prej tij rri gjithmonë zgjuar, gati të njohë çastin kur gjërat të fillojnë të lëvizin ndryshe. E çuditshme është që mrekullitë rrallë vijnë ashtu siç i presim. Nuk janë gjithmonë të mëdha, nuk kanë gjithmonë dritë të verbër apo muzikë engjëllore. Ndonjëherë mrekullia është thjesht një ditë e zakonshme që papritmas ndryshon ngjyrë , një bisedë e thjeshtë që hap një derë të re, një moment qetësie që të bën të kuptosh diçka që s’e kishe kuptuar kurrë, një person që shfaqet në kohën e duhur, pa e pritur, dhe të kujton se bota ende ka aftësinë të të befasojë. Ndoshta e vërteta është kjo: monotonia thyhet jo kur bota ndryshon papritur, por kur ne vetë çelim sytë ndryshe. Kur pushojmë së prituri diçka të jashtëzakonshme nga jashtë, dhe fillojmë të vëmë re të jashtëzakonshmen që ekziston tashmë brenda së zakonshmes, drita e mëngjesit që bie ndryshe mbi mur, buzëqeshja e papritur e një të huaji, era e kafesë së parë, fjala e mirë e dikujt që s’e prisje. Dhe kur mrekullia më në fund vjen sepse gjithmonë vjen, në një formë a në një tjetër , nuk troket me zhurmë. Hyn ngadalë, si dritë nëpër një të çarë të vogël, dhe befas kupton se dita që dukej si çdo ditë tjetër, tashmë s’është më e njëjta. Diçka ka lëvizur. Diçka është zgjuar. Dhe atëherë e kupton se mrekullia nuk ishte diçka që të vinte nga jashtë për të të shpëtuar nga monotonia. Mrekullia ishte vetë çasti kur, mes gjithë asaj përsëritjeje, zemra jote gjeti sërish arsye për të pulsuar më fort.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit