Ka ndërtues që prej vitesh janë përfolur për shitjen e të njëjtave apartamente më shumë se një herë. Ka qytetarë që kanë humbur kursimet e jetës dhe kanë përfunduar në gjykata. Ka edhe raste kur emrat e këtyre ndërtuesve njihen në treg, por megjithatë transaksionet vazhdojnë. A mjafton të mbështetemi vetëm te kujdesi i blerësit apo duhet të ndërtojmë një sistem që e bën të pamundur mashtrimin? Në vitin 2026, kur çdo institucion përdor teknologjinë për të shkëmbyer informacion në kohë reale, është e pakuptueshme që një apartament të mund të shitet dy ose tre herë pa u sinjalizuar nga sistemi. Nëse një pasuri ka qenë objekt i një kontrate të mëparshme, është në proces gjyqësor, ka bllokim apo ka problematika të tjera juridike, kjo duhet të shfaqet menjëherë përpara se të lidhet një kontratë e re. Kjo nuk është vetëm një çështje e noterit, e hipotekës apo e një institucioni të vetëm por çështje e funksionimit të gjithë sistemit. Fatkeqësisht, në Vlorë prej vitesh janë evidentuar raste ku të njëjtat apartamente janë shitur dy, madje edhe tre herë. Pasojat janë dramatike,familje të tëra përfundojnë në procese të gjata gjyqësore, humbin kursimet, jetojnë me ankthin se mos prona e tyre nuk do të njihet, ndërsa autorët e këtyre skemave vazhdojnë të gjejnë hapësira për të vepruar. Dhoma Kombëtare e Noterëve ka një rol të rëndësishëm në këtë debat. Ajo mund të marrë nisma konkrete për të forcuar standardet e kontrollit dhe për të propozuar një sistem të integruar elektronik, ku çdo noter, përpara nënshkrimit të një kontrate, të ketë mundësinë dhe detyrimin të verifikojë në kohë reale statusin juridik të pasurisë. Nëse një ndërtues është përfshirë vazhdimisht në raste të shitjeve të shumëfishta, a nuk duhet që sistemi të sinjalizojë automatikisht çdo transaksion të ri, duke kërkuar verifikime shtesë?
A nuk duhet që institucionet të bashkëpunojnë për të parandaluar dëmin, në vend që të ndërhyjnë vetëm pasi qytetarët kanë humbur paratë? Një sistem i tillë nuk do të mbronte vetëm blerësit por edhe noterët, që ushtrojnë profesionin me ndershmëri, sepse do t’u jepte atyre një mekanizëm shtesë sigurie përpara lidhjes së kontratave. Mashtrimi nuk duhet të zbulohet pasi janë dëmtuar dhjetëra familje. Ai duhet të ndalet që në momentin kur tentohet të kryhet. Mbrojtja e pronës nuk është vetëm një e drejtë kushtetuese por një provë e funksionimit të shtetit ligjor. Dhe kur një apartament vazhdon të shitet dy ose tre herë, problemi nuk është më vetëm tek një ndërtues abuziv. Problemi është se sistemi nuk ka krijuar ende mekanizma të mjaftueshëm për ta bërë një mashtrim të tillë të pamundur. Qytetarët nuk kërkojnë privilegje por një sistem që funksionon, ku teknologjia, ligji dhe institucionet bashkëpunojnë për të mbrojtur pronën, jo për të reaguar pasi dëmi ka ndodhur.
Foto.revista Monitor
