Tre monstra dhe fotografia e një dështimi

Ndaje

Pamjet janë të rënda. Tre vajza adoleshente ushtrojnë dhunë ndaj bashkëmoshatares së tyre. Grushte, goditje, shkulje flokësh, poshtërim. Dhe më pas, si vulë mbi aktin e tyre, një fotografi e buzëqeshur, duke e mbajtur viktimën prej flokësh, sikur dhuna të ishte një sukses për t’u ekspozuar dhe jo një turp për t’u fshehur. Janë të reja. Të bukura, të gjata, të kuruara. Por çfarë vlere ka pamja kur karakteri ka dështuar? Çfarë vlere ka eleganca e jashtme kur mungon qytetaria më elementare? Po, fjala monstra tingëllon e ashpër. Por çfarë emri tjetër mund t’i japësh një çasti kur një vajzë goditet, poshtërohet dhe tërhiqet prej flokësh, ndërsa të tjerat buzëqeshin para objektivit, sikur të kishin fituar një betejë dhe jo të kishin humbur njerëzoren? Dhe menjëherë fillojnë pyetjet. A e ka fajin shkolla? Jo. Shkolla nuk mund të zëvendësojë familjen. Mësuesi nuk mund të bëhet prind. Psikologu i shkollës nuk mund të riparojë atë që mungon prej vitesh në edukimin e një fëmije. Dhuna mësohet. Ajo nuk shfaqet papritur. Ushqehet në ambiente ku mungojnë kufijtë, ku gabimi justifikohet vazhdimisht dhe ku agresiviteti ngatërrohet me forcën. Por përtej zemërimit, një pyetje tjetër mbetet pezull dhe e dhimbshme: Si duhet të reagojnë prindërit e vajzës së dhunuar? Me siguri jo me heshtje. Jo duke e konsideruar ngjarjen një “konflikt mes adoleshentësh” që do të harrohet me kalimin e ditëve. Jo duke i thënë vajzës së tyre të ulë kokën, të mos flasë dhe të presë që gjithçka të kalojë. Sepse dhuna nuk mbaron me goditjen fizike. Ajo vazhdon në turpin, frikën, izolimin dhe pasigurinë që viktima mund të mbartë për vite me radhë. Prindërit kanë të drejtë dhe detyrimin të kërkojnë përgjegjësi. Të kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve, të kërkojnë mbështetje psikologjike për fëmijën e tyre, të dokumentojnë ngjarjen dhe, nëse është e nevojshme, të ndjekin rrugët ligjore që parashikon shteti. Sepse askush nuk duhet të detyrohet të pranojë si normale një dhunë të tillë. Askush nuk duhet të bindet se poshtërimi është pjesë e rritjes. Askush nuk duhet të mësohet të jetojë me idenë se të qenit viktimë është diçka që duhet mbajtur fshehur. Dikush do të thotë: “Janë ende fëmijë.” Po, janë të mitur. Por kjo nuk e zbeh dëmin që shkaktojnë dhe as dhimbjen e viktimës. As nuk duhet të na bëjë të relativizojmë një sjellje që, nëse tolerohet sot, nesër mund të shndërrohet në një model të rrezikshëm për jetën e tyre dhe për shoqërinë. Këto tre vajza po imitojnë dikë. Po riprodhojnë modele që kanë parë, sjellje që janë toleruar dhe mesazhe që u kanë mësuar se dhuna mund të sjellë pushtet, vëmendje apo admirim. Dhe ajo fotografi është shumë më tepër se një imazh. Është fotografia e një dështimi. Një dështim i edukimit, i kufijve, i përgjegjësisë dhe i aftësisë sonë si shoqëri për të kuptuar se dhuna nuk fillon me grushtin. Ajo fillon shumë më herët, në momentin kur justifikohet, minimizohet dhe tolerohet. Sepse një shoqëri që prodhon fëmijë që krenohen me dhunën, nuk duhet të habitet kur një ditë përballet me të rritur që nuk njohin as respektin, as dhembshurinë, as dinjitetin njerëzor.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit