Po ndiqja një emision sportiv kushtuar Botërorit dhe, më shumë se analiza, statistikat apo komentet e specialistëve, vëmendjen ma tërhoqën ngjyrat e ylberit në sfond. Lëviznin vazhdimisht, pushtonin ekranin dhe, në një farë mënyre, shpërqendronin gjithçka që komentatorët po diskutonin. Në vend që syri të përqendrohej te loja, te taktikat apo emocionet e futbollit, ai kthehej vazhdimisht te sfondi. Si profesioniste e komunikimit, e di mirë se asgjë nuk vendoset rastësisht në ekran. Ngjyrat komunikojnë. Simbolet komunikojnë. Ato janë zgjedhur për të tërhequr vëmendjen, për të krijuar asociacione dhe për të përcjellë mesazhe. Kur një simbol përsëritet vazhdimisht, ai bëhet pjesë e përditshmërisë sonë dhe fillon të ndikojë në mënyrën se si e perceptojmë realitetin. Pikërisht për këtë arsye me lind pyetja.
çfarë lidhjeje kanë këto ngjyra me sportin? Perse duhet të jenë kaq të pranishme në një emision që ka në qendër lojën?
Ka nga ata që e konsiderojnë këtë si një shprehje të përfshirjes dhe të diversitetit. Të tjerë e shohin si një strategji komunikimi, si një investim afatgjatë të organizatave dhe lëvizjeve që kanë ylberin si simbol, për ta bërë atë gjithnjë e më të pranishëm në hapësirën publike, në media, në kulturë dhe në sport. Në komunikim, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj të njëjtit simbol nuk është i pafajshëm. Ai krijon familjaritet, normalizon praninë e tij dhe, me kalimin e kohës, e bën pjesë të peizazhit të zakonshëm vizual. Disa e quajnë përfaqësim, të tjerë e quajnë ndikim kulturor, madje edhe dominim simbolik. Unë nuk po diskutoj të drejtën e askujt për të përdorur një simbol. Pyetja ime është më e thjeshtë. A duhet që çdo hapësirë të mbushet me të njëjtat mesazhe? A duhet që edhe sporti, një nga pak hapësirat ku njerëzit bashkohen për lojën, talentin dhe emocionin, të shndërrohet në një ekran të përhershëm simbolesh? Sepse sporti ka simbolet e veta. Ka fanellën, ekipin, flamurin, golin, fitoren dhe humbjen. Dhe ndonjëherë të lind ndjesia se kur simboli bëhet shumë i madh, loja fillon të bëhet më e vogël. Dhe atëherë pyetja mbetet: A po shohim sport, apo po shohim gjithnjë e më shumë simbolet që dikush dëshiron të vendosë rreth tij?
