Epoka e TikTok-ut dhe mendja 15-sekondëshe

Ndaje

A e mbani mend kur ishte hera e fundit që lexuat një tekst deri në fund, pa kontrolluar telefonin njëkohësisht?

Pyetja duket e thjeshtë, por përgjigjja është më e vështirë se sa mendojmë, sepse jetojmë në një kohë kur vëmendja është bërë valuta më e kërkuar e botës moderne. Çdo aplikacion lufton për disa sekonda nga koha jonë, çdo ekran kërkon një klikim dhe çdo video kërkon një reagim. Ndërsa ne pa e kuptuar, kemi filluar ta masim botën me ritmin e gishtit që lëviz mbi ekran.Me keqardhje them se sa shumë breza u rritën duke lexuar libra që kërkonin durim, gazeta që lexoheshin faqe pas faqe dhe romane që të mbanin me javë të tëra në shoqërinë e personazheve të tyre.
Ndërsa sot një video prej një minute konsiderohet e gjatë. Një tekst me disa paragrafë duket lodhës. Një artikull i plotë shpesh ruhet për t’u lexuar “më vonë” e në një moment që zakonisht nuk vjen kurrë.Kështu ka lindur ajo që shumë studiues e quajnë kultura e skanimit ku nuk lexojmë më për të kuptuar por për të gjetur shpejt diçka. Nuk ndalemi te argumenti por kërkojmë titullin. Nuk shijojmë mendimin por kërkojmë përmbledhjen.Ne e dimë fort mirë se leximi i thellë kërkon kohë, përqendrim dhe qetësi. Ai na detyron të ndjekim një ide deri në fund, të debatojmë me autorin, të reflektojmë ndërsa leximi sipërfaqësor na mëson të kapim fragmente informacioni, t’i konsumojmë shpejt dhe t’i harrojmë po aq shpejt. Është si ndryshimi mes një vakti të ngadaltë dhe një ushqimi të ngrënë në këmbë.Por paradoksi është se kurrë më parë njerëzimi nuk ka pasur kaq shumë informacion në dispozicion dhe njëkohësisht, kaq pak kohë për t’u ndalur te ai. Dimë më shumë fakte, por jo domosdoshmërisht kuptojmë më shumë. Jemi vazhdimisht të informuar por rrallëherë të përqendruar.Natyrisht, nuk është faji i TikTok-ut.
Problemi fillon kur ritmi i ekranit bëhet ritmi i mendjes sonë dhe kur truri mësohet me stimul të pandërprerë, çdo gjë që kërkon durim nis të duket e mërzitshme. Një libër. Një leksion. Një bisedë e gjatë. Madje edhe vetë heshtja.Dhe ndoshta kjo është sfida më e madhe e Gjeneratës Z. Aftësia për t’u përqëndruar, për të lexuar një tekst deri në fund, për të dëgjuar pa ndërprerë e për të menduar pa nxitim.Sepse qytetërimet nuk janë ndërtuar nga njerëz që kalonin me shpejtësi nga një titull te tjetri por që kishin durimin të zhyteshin thellë në një ide. Ndaj pyetja ime mbetet e hapur.
A po humbasim aftësinë për t’u përqendruar apo thjesht po mësojmë një mënyrë të re të të menduarit? Ndoshta dhe kjo përgjigjje do të varet nga fakti nëse arritët ta lexoni këtë shkrim deri në fund.😉

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit