Eksperimenti Stanford dhe Humbja e Vetvetes

Ndaje

Në vitin 1971, në bodrumin e Universitetit Stanford, psikologu Philip Zimbardo krijoi një botë të vogël që nuk ishte as qytet, as klasë, as laborator i zakonshëm, por një burg i improvizuar ku studentët u ndanë rastësisht në “roje” dhe “të burgosur”, me qëllimin për të kuptuar nëse sjellja e dhunshme lind nga personaliteti i njeriut apo nga vetë mjedisi që e rrethon. Në fillim, gjithçka dukej si një lojë e kontrolluar, ku të rinjtë qeshnin me uniformat e tyre të improvizuara dhe me rregullat e thjeshta që u vendosën për eksperimentin, ndërsa studiuesit mendonin se dy javë do të mjaftonin për të mbledhur të dhëna dhe për të nxjerrë përfundime të qarta mbi sjelljen njerëzore. Por vetëm pas pak ditësh, loja filloi të humbiste kufijtë e saj, sepse rojet nisën të flasin me ton autoritar, të vendosin rregulla gjithnjë e më të rrepta dhe të ushtrojnë presion psikologjik mbi të burgosurit, ndërsa këta të fundit filluan të shfaqin frikë, nënshtrim dhe një ndjenjë të çuditshme humbjeje të vetvetes, sikur roli që u ishte dhënë po i zëvendësonte identitetin e tyre real. Eksperimenti u ndërpre në ditën e gjashtë, megjithëse ishte parashikuar të zgjaste dy javë, sepse u bë e qartë se kushtet e krijuara po ndikonin në mënyrë të rrezikshme mbi sjelljen dhe gjendjen emocionale të pjesëmarrësve, duke provuar se mjedisi mund të jetë më i fortë se vullneti individual. Por nëse kjo skenë zhvendoset në jetën e sotme, pa mure burgu dhe pa uniforma, paraleli bëhet edhe më i heshtur dhe më i thellë. Sot nuk ka nevojë për bodrum universiteti që njerëzit të hyjnë në role të caktuara, sepse rolet janë tashmë të shpërndara në mënyrë të padukshme në shoqëri,punonjësi që i përshtatet ritmit të punës dhe autoritetit, studenti që mëson të jetojë nën presionin e notave dhe konkurrencës, përdoruesi i rrjeteve sociale që mat veten me vëmendje dhe pëlqime, dhe qytetari që shpesh mëson të heshtë ose të përshtatet me rregullat e padukshme të sistemit. Ashtu si në eksperimentin e Stanfordit, edhe në jetën moderne njerëzit shpesh nuk e kuptojnë momentin kur roli fillon të bëhet realitet, kur sjellja nuk është më zgjedhje e vetëdijshme, por përshtatje me mjedisin, dhe kur presioni i jashtëm shndërrohet ngadalë në zakon të brendshëm. Në një zyrë moderne, për shembull, një punonjës mund të fillojë ditën me ide dhe energji personale, por me kalimin e kohës përshtatet me hierarkinë, me ritmin e punës dhe me pritshmëritë e sistemit, deri në atë pikë sa nuk pyet më çfarë dëshiron ai vetë, por çfarë pritet prej tij,njësoj si në eksperiment, ku rojet nuk vepronin më si individë, por si përfaqësues të një roli që i kishte marrë përpara. Ndërkohë, në rrjetet sociale, njerëzit shpesh ndërtojnë versione të vetes që i përshtaten vëmendjes së publikut, duke u sjellë si “role” të caktuara,i suksesshmi, i bukuri, i forti, i humorit dhe me kalimin e kohës, këto role fillojnë të ndikojnë në mënyrën se si ata e shohin veten edhe jashtë ekranit, duke krijuar një realitet paralel ku identiteti formohet nga shikimi i të tjerëve. Kështu, eksperimenti i Stanford Prison dhe jeta e sotme lidhen në një pikë të përbashkët të heshtur,se njeriu nuk është gjithmonë i pandryshueshëm, por shpesh formësohet nga kushtet, nga rolet dhe nga sistemet ku jeton, dhe se kufiri mes “lojes” dhe “realitetit” mund të jetë shumë më i hollë sesa mendojmë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit