Sa shumë nevojë kemi për takime të tilla.
Takime ku fjala nuk është vetëm tingull që shuhet në ajër, por një prekje e butë mbi mendimin.
Ku njerëzit nuk mblidhen thjesht për të dëgjuar, por për të ndalur për një çast ritmin e përditshmërisë dhe për t’i dhënë vetes luksin e rrallë të reflektimit.Në sallën “Ali Asllani”, në Universitetin “ Ismail Qemali”të Vlorës unë pata mundësinë të drejtoj forumin akademik të hapur “Jeta me Fjalë”, dhe për një moment mu duk sikur vetë hapësira u bë më e qetë, më e vëmendshme, sikur edhe muret po dëgjonin bashkë me ne. Zysh Nora nuk ishte thjesht e ftuar, por një figurë që nuk kërkon të imponohet, por të afrohet natyrshëm pranë mendimit të tjetrit.Në mënyrën e saj të komunikimit si përherë, kishte qetësi dhe butësi por jo dobësi,kishte një dritë të brendshme që nuk verbohet por ndriçon ngadalë. Çdo përgjigje e saj nuk e mbyllte një mendim por e linte të hapur, si një derë e lehtë që të fton të hysh më thellë në kuptim. Dhe aty, në atë bashkëbisedim, u ndjeva sikur fjala po e rifitonte pastërtinë e saj të parë. Studentët nuk po dëgjonin, thjesht po kërkonin veten mes ideve, dyshimeve dhe pyetjeve që shpesh jetojnë të pathëna, por që rëndojnë në heshtje. U fol për rrugën mes studimeve dhe praktikës, për diplomën dhe përvojën që shpesh nuk ecin në të njëjtin hap, për motivimin që ndonjëherë zbehet pa zhurmë, dhe për nevojën e heshtur për të besuar më shumë te vetja në një kohë që kërkon shumë. Por mbi të gjitha, u fol për atë të vërtetë të butë dhe të thellë,se të mësuarit nuk është vetëm mbledhje njohurish, por një formë e vazhdueshme e zgjimit të brendshëm,një mënyrë për të mos u mbyllur në siguri por për të qëndruar i hapur ndaj botës dhe vetes. Dhe kur takimi u mbyll ngadalë, mbeti ajo qetësi që nuk bën zhurmë, por që rri gjatë brenda teje. Si një dritë e butë që nuk të verbon por të mëson të shohësh më qartë.
Ndaje
