Në fillim të kohërave, kur fjala ende nuk kishte mësuar të bëhej poezi dhe tingulli nuk ishte kthyer në këngë, lindi ajo që do t’i jepte botës frymën e saj më të butë, Euterpe, muza e muzikës. E bija e Zeus dhe Mnemosyne, ajo erdhi në jetë si një pëshpërimë e lehtë mes kujtesës dhe qiellit, sikur vetë universi të kishte nevojë për një ritëm që ta mbante të gjallë. Thonë se që në çastin e parë kur hapi sytë, nuk foli, por këndoi dhe kënga e saj nuk ishte thjesht tingull, por një mënyrë për të ndjerë botën. Euterpe nuk ishte një zë i fortë, që kërkon të dëgjohet por melodi e brishtë që të ndjek pa e kuptuar, ajo që të rikthehet në mendje në çaste vetmie, kur zemra kërkon një shpjegim që fjalët nuk e japin dot. Me flautin e saj të artë, ajo nuk komandonte por ftonte, nuk impononte por zgjonte. Nën hijen e Apollo, ku muzika merrte formë dhe harmoni, Euterpe ishte ajo që i jepte shpirt çdo tingulli. Nëse Apollo ishte drita që ndriçonte artin, ajo ishte fryma që e bënte atë të jetonte. Ajo i mësonte njerëzit të dëgjonin jo vetëm me veshë, por me gjithë qënien, sepse muzika sipas saj, nuk ishte thjesht art, por kujtesë e ndjenjave që nuk shuhen kurrë. Dhe kështu, në heshtje, pa zhurmë e pa lavdi të tepërt, Euterpe u bë pjesë e çdo kënge të bukur, e çdo melodie që të prek pa arsye, e çdo loti që bie pa një histori të qartë. Ajo nuk kërkon të shihet sepse ekziston pikërisht aty ku njeriu ndjen më shumë sesa mund të shpjegojë. Ndoshta edhe sot, kur një këngë të ndal për një çast dhe të bën të humbasësh në kujtime që nuk i kishe thirrur vetë, është pikërisht ajo , Euterpe, që kalon pranë teje, e lehtë si një frymë, duke të kujtuar se muzika është mënyra më e bukur për të thënë gjëra që nuk guxojmë t’i themi me zë.
