McDonald’s-i më i bukur që kam parë ndonjëherë

Ndaje

Nuk munda të bëja fotografi.Jo se nuk kisha telefonin në dorë por pata një ndrojtje të sinqertë, një respekt i thellë për çfarë po ndodhte aty. Në një McDonald’s fare pranë Harkut të Triumfit në Paris, punonin vetëm të rinj me aftësi ndryshe. Uniformat ishin të zakonshme, rregulli i punës gjithashtu por shërbimi kishte një dritë tjetër.Ata të rinj nuk ishin aty për të marrë mëshirë dhe as për të dhënë spektakël. Ishin aty për të punuar, me kujdes, me buzëqeshje të pastër, me përkushtim dhe për t’u ndjerë pjesë e njerëzve të zakonshëm. Radha ishte e gjatë por askush nuk u ankua.Në fakt, njerëzit qëndronin me një lloj durimi të rrallë sepse ndoshta të gjithë e kuptuam se nuk ishim aty vetëm për të porositur, por për të parë një shembull të vogël që mund të ndryshojë mendime të mëdha. Ky McDonald’s ishte ndryshe jo për ushqimin por sepse na ushqeu ndërgjegjen. Mësova që Iniciativa është pjesë e një programi të mbështetur nga McDonald’s France, i cili inkurajon përfshirjen sociale përmes punësimit të personave me aftësi të kufizuara.Lokali ku ndodhi kjo përvojë është një nga 15 pikat në Paris që marrin pjesë në këtë model gjithëpërfshirës dhe Menaxhimi i stafit bëhet në partneritet me organizata sociale dhe profesionale që sigurojnë trajnime dhe mbështetje për integrimin real të punonjësve me aftësi ndryshe në jetën profesionale. Dhe kur e sheh këtë model të heshtur e human, nuk mund të mos mendosh për ne. Në realitetin tonë, projekte të tilla rrallë ndodhin dhe kur ndodhin, shpesh janë fasada për përfitime personale. Konferenca për integrimin, panaire për përfshirjen, platforma me slogane të bukura që zhduken sapo të fiket drita e kamerës. Përfitimi dhe jo ndjeshmëria, është motori i shumë nismave. Ndaj mungon besimi. Ndaj mbetet bosh rezultati. Por në atë McDonald’s të vogël nuk kishte kamera, as duartrokitje por vetlm punë reale, përkushtim i sinqertë, dinjitet i dhënë dhe jo i lypur. Dola jashtë pa bërë asnjë fotografi por dola me një ndjesi që nuk do të më largohet lehtë sepse ndonjëherë, një fast food mund të të mësojë më shumë për njerëzinë, për respektin, për përfshirjen sesa një libër i tërë. Ndaj po, McDonald’s-i më i bukur që kam parë ndonjëherë nuk kishte drita më të ndritshme, as teknologji më të re por zemrën më të madhe.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit