Përse mbinjeriu i Niçes është më i largët se kurrë

Ndaje

Jetojmë në epokën më të lirë në histori, të paktën kështu na pëlqen ta përsërisim me një vetëbesim të admirueshëm, ndërsa kontrollojmë me përpikmëri pothuajse rituale nëse dikush ka reaguar ndaj mendimit tonë të fundit, sikur vlera e tij të matet jo nga thellësia, por nga shpejtësia e duartrokitjes. Sa luks i rrallë të kesh mundësinë të jesh kush të duash, për sa kohë që mbetesh i lexueshëm, i pranueshëm dhe i përshtatshëm për të gjithë ata që, në mënyrë të padukshme, vendosin kufijtë e kësaj “lirie”. Në këtë realitet që i ngjan më shumë një skene sesa një jete të jetuar në thelb, Niçe do ta njihte menjëherë krijesën e tij më të frikshme jo mbinjeriun, por atë që ai e quante “njeriu i fundit”, një qenie që nuk ëndërron më për të tejkaluar veten, por për ta bërë jetën sa më të rehatshme, sa më të parashikueshme dhe, mbi të gjitha, sa më pak të trazuar. Në kohën e tij, mbinjeriu ishte një ide që kërkonte guxim të egër, një përpjekje pothuajse heroike për të dalë jashtë moralit të trashëguar dhe për të krijuar një sistem të ri vlerash, pa u mbështetur në autoritete të jashtme, pa kërkuar miratim dhe pa pasur frikë nga vetmia që e shoqëron çdo akt të vërtetë krijimi. Sot, paradoksi është më i rafinuar dhe, ndoshta, më i rrezikshëm,nuk kemi më nevojë të luftojmë për të qenë ndryshe, sepse ndryshmëria është bërë një produkt i gatshëm, një etiketë që mund ta zgjedhësh sipas shijes, pa rrezikuar asgjë thelbësore dhe pa vënë në diskutim strukturat që, në heshtje, vazhdojnë të na formësojnë. Në vend që të krijojmë vlera, ne i përzgjedhim ato nga një katalog i pafund opsionesh, duke u siguruar që zgjedhja jonë të jetë mjaftueshëm “autentike” për t’u dukur personale, por edhe mjaftueshëm e njohur për të mos na nxjerrë jashtë rrethit të pranimit. Dhe kështu, pa e kuptuar, kemi kaluar nga njeriu që i nënshtrohej rregullave, tek njeriu që i përshtatet pritshmërive,një transformim që duket si liri, por që në thelb është vetëm një formë më elegante e konformizmit. Në këtë kontekst, ideja e mbinjeriut nuk është zhdukur përkundrazi ajo është bërë më e vështirë për t’u dalluar, sepse nuk përballet më me një armik të qartë, por me një mjegull të butë rehatie, ku gjithçka duket e mundur dhe asgjë nuk kërkon vërtet sakrificë. Mbinjeriu sot nuk do të ishte ai që bie në sy, që dominon apo që imponon veten në mënyrë spektakolare,ai do të ishte ndoshta ai që, në një botë që kërkon reagim të menjëhershëm, zgjedh të mendojë më gjatë, ai që, në një kohë që kërkon përshtatje të shpejtë, guxon të mbajë një qëndrim të papërshtatshëm, dhe ai që, në një realitet të mbushur me zëra, nuk ka frikë nga heshtja. Nëse dikur sfida ishte të çliroheshe nga zinxhirët e dukshëm të traditës dhe moralit të imponuar, sot sfida është shumë më e padukshme dhe për këtë arsye shumë më e vështirë, të dallosh zinxhirët që nuk duken si të tillë, që vijnë në formën e aprovimit, të komoditetit dhe të një normaliteti që nuk të detyron, por të përthith ngadalë.Në këtë kuptim, dallimi mes dy kohëve nuk qëndron vetëm tek ajo që ka ndryshuar, por tek mënyra se si kufizohemi, përmes ndalimit, përmes zgjedhjes së tepërt,përmes frikës nga ndëshkimi dhe nga mospranimi. Dhe ndoshta, ironia më e madhe e gjithë kësaj është se mbinjeriu nuk është bërë më i pamundur në botën tonë moderne përkundrazi, kushtet për ta menduar janë më të favorshme se kurrë por është bërë më pak i dëshirueshëm, sepse kërkon diçka që ne e shmangim me kujdes, përballjen e plotë me veten, pa filtra, pa justifikime dhe pa garanci se dikush, diku, do ta duartrokasë këtë përpjekje.
Dhe pyetja nuk është më nëse ideja e Niçes i përket një kohe tjetër apo jo, pyetja është nëse ne, në gjithë këtë bollëk mundësish dhe në këtë rehati të sofistikuar, kemi ende guximin për të jetuar një jetë që nuk është thjesht e pranueshme por e krijuar.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit