Pse ende nuk po e ndryshojmë botën sipas Karl Marks

Ndaje

Filozofët janë përpjekur ta shpjegojnë botën por çështja është ta ndryshosh atë,shkruante Karl Marks, si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rehatisë së mendimit që mjaftohet me kuptimin. Sot, kjo fjali tingëllon çuditërisht e njohur… dhe po aq e parealizuar. Sepse nëse dikur problemi ishte se bota shpjegohej shumë dhe ndryshohej pak, sot kemi arritur në një fazë edhe më paradoksale se bota shpjegohet pa pushim, komentohet në kohë reale, analizohet nga të gjithë dhe megjithatë, ndryshimi shpesh mbetet sipërfaqësor, i fragmentuar, pothuajse i padukshëm në thelb. Në kohën e Karl Marks, ideja e ndryshimit ishte e lidhur me veprimin kolektiv, me përballjen direkte me strukturat e pushtetit, me një besim të fortë se historia mund të shtyhet përpara nga ndërhyrja njerëzore. Kishte një lloj guximi të ashpër në këtë vizion,një bindje se kuptimi i botës ishte vetëm hapi i parë, jo fundi i rrugës. Sot, ne jetojmë në një kohë ku kuptimi është bërë pothuajse i menjëhershëm, por veprimi është bërë i shtyrë, i shpërndarë, i zëvendësuar nga reagimi. Ne e dimë çfarë nuk shkon.
E shohim. E komentojmë. E shpërndajmë. Por rrallë e ndryshojmë në mënyrë që të na kushtojë vërtet.
Sepse ndërkohë që dikur duhej të luftoje për të pasur një zë, sot sfida është krejt tjetër se çfarë bën me zërin kur e ke? Si e kthen atë në diçka që nuk shuhet pas një momenti vëmendjeje? Në këtë kuptim, fjalia e Marksit nuk është vetëm një thirrje për veprim por një pasqyrë e pakëndshme për kohën tonë. Ajo na kujton se njohja, sado e thellë të jetë, nuk ka peshë reale nëse nuk shoqërohet me një formë përgjegjësie. Dhe pikërisht këtu lind hendeku mes dy kohëve. Atëherë, njeriu rrezikonte për të ndryshuar botën.
Sot, njeriu shpesh mjaftohet duke reaguar ndaj saj.Atëherë, ndryshimi ishte një proces i gjatë, i dhimbshëm, por i qëndrueshëm.
Sot, ndryshimi shpesh kërkohet i shpejtë, i dukshëm, dhe për këtë arsye, shpesh i cekët. Nuk është se kemi më pak mundësi për të ndryshuar realitetin përkundrazi, kemi më shumë mjete se kurrë. Por kemi më pak durim për ta ndërtuar ndryshimin, më pak gatishmëri për të paguar çmimin e tij, dhe ndoshta më shumë tundim për ta zëvendësuar veprimin me ndjesinë e përkohshme të përfshirjes. Dhe kështu, fjalia e Karl Marks mbetet pezull mbi ne, jo si një ide e largët, por si një pyetje e drejtpërdrejtë.Në një botë ku gjithçka shpjegohet kaq shpejt, a kemi ende durimin dhe guximin për ta ndryshuar atë ngadalë?

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit