Si e projekton individi të ardhmen sipas Sartri-t

Ndaje

Ka një ide tejet të pakëndshme te Jean-Paul Sartre që njeriu nuk e pret të ardhmen por e projekton atë, edhe kur përpiqet të mos zgjedhë. Dhe pikërisht këtu fillon tensioni. Sepse, ndryshe nga shumë filozofë dhe filozofi që e lidhin fatin me rrethana, natyrë apo rend të paracaktuar, Sartri e vendos individin në një hapësirë të zhveshur nga justifikimet ku njeriu është i lirë, dhe kjo liri nuk është privilegj i qetë, por një barrë e vazhdueshme. “I dënuar të jetë i lirë”, siç e formulon ai, individi nuk mund të shmangë zgjedhjen, edhe refuzimi për të zgjedhur është vetë një zgjedhje që projekton një të ardhme të caktuar. Sipas Sartri- it, kushti i parë për projektimin e së ardhmes është liria radikale. Njeriu nuk ka një “esencë” të dhënë paraprakisht që e përcakton,ai bëhet ajo që zgjedh të jetë përmes veprimeve të tij. Kjo do të thotë se e ardhmja nuk është një territor që zbulohet, por një realitet që ndërtohet në mënyrë të vazhdueshme. Çdo vendim sado i vogël është një akt projektimi, një mënyrë për të thënë se kjo është ajo që unë zgjedh të bëhem. Por kjo liri nuk është romantike. Ajo vjen me ankthin ekzistencial, sepse çdo zgjedhje përjashton mundësi të tjera dhe nuk ka një garanci të jashtme që e vërteton si “të drejtë”. Megjithatë, Sartri nuk e mohon realitetin e kushteve konkrete. Ai flet për “situatën”,rrethanat historike, sociale, ekonomike dhe personale në të cilat individi ndodhet.Por këto kushte nuk e zhdukin lirinë, ato vetëm e formësojnë fushën e mundësive.
Një individ nuk zgjedh ku lind, në çfarë kohe apo në çfarë rrethanash, por zgjedh mënyrën se si i përgjigjet këtyre kushteve. Edhe në kufizim, ekziston një hapësirë vendimi. Edhe në pamundësi, ekziston një qëndrim. Kështu, projektimi i së ardhmes ndodh gjithmonë në tension mes lirisë dhe situatës,nuk jemi plotësisht të lirë nga kushtet, por asnjëherë plotësisht të përcaktuar prej kushteve.
Një nga kushtet më të rëndësishme është pranimi i përgjegjësisë. Për Sartre-in, kur zgjedhim për veten, ne në njëfarë mënyre zgjedhim edhe për të tjerët sepse çdo veprim implikon një ide se si duhet të jetë njeriu. Kjo e bën projektimin e së ardhmes një akt etik, jo thjesht personal.Por pikërisht kjo përgjegjësi është ajo që shumë individë përpiqen ta shmangin, duke u fshehur pas roleve, normave apo justifikimeve. Sartre e quan këtë “mauvaise foi” (keqbesim),një mënyrë për t’i ikur lirisë duke u shtirur sikur nuk kemi zgjedhje.Në këtë gjendje, individi nuk e projekton më të ardhmen por e delegon atë.Për Sartre-in, e ardhmja nuk është diçka që vjen vetë. Ajo ekziston vetëm në raport me projektin që individi ndërton. Njeriu është gjithmonë “përpara vetes”, gjithmonë në një proces të tejkalimit të asaj që është drejt asaj që mund të bëhet. Kjo e bën jetën një proces të hapur, por edhe të paqëndrueshëm, nuk ka përfundim të sigurt, vetëm vazhdimësi zgjedhjesh.Në një kohë si e jona, ku shpesh ndihemi të kufizuar nga rrethana të mëdha ekonomike, sociale, teknologjike, ideja e Sartre-it mbetet po aq sfiduese sa edhe dikur. Sepse është më e lehtë të besosh se e ardhmja është e bllokuar nga sistemi, nga mungesa e mundësive apo nga rrethanat, sesa të pranosh se, pavarësisht këtyre, një pjesë e saj mbetet gjithmonë në dorën tonë.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron thelbi i mendimit të Jean-Paul Sartre se individi e projekton të ardhmen jo kur kushtet janë ideale,
por kur ai refuzon të jetë vetëm produkt i tyre. Sepse nuk është pyetja çfarë na lejon bota të bëhemi por çfarë zgjedhim të bëjmë me atë që na është dhënë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit