Eleganca e humbur e Parisit

Ndaje

Në ditët e para të tetorit u riktheva në Paris ,në atë qytet që në 2009- ën më kishte dhënë ndjesinë e një poezie të gjallë ku çdo rrugë, çdo cep, kishte një histori të thurur me art, dritë dhe ëndrra. Por tani, aty ku dikur qëndronte “Harku i Triumfit” si simbol i madhështisë dhe krenarisë,ndodhej një realitet që duket si një faqe e zbehur nga “Fjalët e Humbura” të Hugo-s. Shën Elize nuk ndriçonte më si dikur, dritat e saj ishin bërë më të dobëta, më të largëta, si një “Dashuri në Kohën e kolerës” që po humbet gradualisht ngrohtësinë. Aty ku dikur qendronin buzëqeshjet dhe shërbimi i hijshëm i kafeneve të vogla, plot stil dhe elegancë me servirjet me filxhan porcelani , tani vërehej nxitimi i pafrenuar dhe mungesa e kujdesit si në një “Marathon” pa fund që rrëmben çdo aromë të qetësisë dhe elegancës. Pallati Invalid dhe Piazza Concorde, simbole të historisë së Parisit sot përballen me rrëmujën dhe lodhjen e kohës, një zë që po fshin kujtesën e dikurshme dhe ngrohtësinë e “Rrëfimeve të një Parisiani”. Ndërsa Kulla Eiffel, ajo dëshmi e pavdekshme e qytetit ndriçon ende por më shumë si një “Fener në Natën e Humbur”, duke u përpjekur të mbajë gjallë atë që dikur ishte një magji unike. Parisi, qyteti që ka frymëzuar Victor Hugo, Charles Baudelaire, Marcel Proust dhe Balzakun, në të cilin secila rrugë është një kapitull i “Kronikave të një Dashurie të Përjetshme”, tani duket sikur ka humbur pjesë nga shpirtërorja që i jepte kuptim. A do të ndjejnë këta autorë, po të riktheheshin sot, një mallkim të butë për këtë transformim, për humbjen e “Përjetësisë së Një Qyteti”? Modernizmi dhe globalizmi kanë sjellë ndryshime të pashmangshme, një shpejtësi që në një mënyrë të panjohur zbehin nuancat e thella, ngjyrat e vërteta të jetës dhe kujdesin për detajet, duke i hequr kështu Parisit atë frymë “Magjike të Heshtjes” që e bënte unik. Gjatë shëtitjes në këtë qytet, ndjeva mungesën e një drite shpirtërore, një shkëlqim që nuk matet vetëm me dritat apo monumentet por me mirësinë, artin dhe thellësinë njerëzore. Megjithatë, drita që vërtet qëndron në zemër të Parisit, vazhdon të rrezatojë në veprat e tij, në historitë që ai i ka dhënë botës dhe në zemrat e atyre që nuk e kanë harruar. Ky rikthim është një ftesë për të ruajtur me nder dhe përkushtim atë që është thelbësor në jetën tonë dhe në qytetet tona , elegancën, vlerat dhe frymën njerëzore sepse vetëm kështu do të mbeten “Dritat e Parisit” që nuk shuhen, as nga koha dhe as nga harresa.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit