Një përulje për prindërit tanë të moshuar dhe gjyshërit e fëmijëve tanë Për ju, që dikur ishit zëri që na zgjonte në mëngjes dhe tani jeni kujtimi që na mbush sytë me mall. Për ju, që jeni ende këtu me hapa të ngadaltë por me zemër gjithmonë të shpejtë për të dashur. Për ju, që nuk jeni më në trup si dikur por në çdo aromë të shtëpisë, në çdo fjalë që ne i themi fëmijëve siç na i thoshit ju. Keto fjalë sot janë për ju. Për prindërit tanë që u përkulën nga pesha e jetës për të na ngritur ne. Që lanë veten në sakrifice dhe na vunë ne në krye të gjithçkaje. Që sot mbajnë heshtjen më shumë se fjalët sepse nuk duan të na shqetësojne por ne e dimë se zemra e tyre pret. Dhe për gjyshërit e fëmijëve tanë ata që i duan pa kushte, pa rregulla, pa kohë.Ata që i përkëdhelin me një dashuri që ne nuk e kemi njohur kurrë më parë. Që janë më shumë se kujdestarë , janë një trashëgimi ndjenje, një strehë e butë, një fjalë që nuk i zë rrugën jetës por ia bën udhën më të butë. Ata gjyshër që i mbajnë nipërit dhe mbesat në prehër dhe ia mësojnë botën me gjuhën e dashurisë. Që presin tek dera me ëmbëlsira, me histori që përsëriten, me vëmendje që s’harrohet. Ata që nuk pyesin asnjëherë: “Kur do vini?” por që gjithmonë luten me zemër që të vijmë. Sot, në Ditën Botërore të të Moshuarve, ndalem me përulje. Për ata që i kam ende pranë dhe që meritojnë më shumë kohë, më shumë vëmendje, më shumë fjalë të ngrohta. Për ata që nuk janë më dhe mungojnë në çdo cep të kujtesës, aq sa nganjëherë dhe shpirti ndalet e nuk gjen fjalë për ta përshkruar. E prapë, më ngushëllon një gjë, ata që nuk janë më, jetojnë përmes dashurisë që ata mbollën tek ne. Dhe ne, çdo ditë, jemi frut i asaj toke që ata punuan me duar të lodhura por me zemër të dritshme. Për nënën që mban ende shallin me erën e lavandës dhe më thotë“Mos harro xhaketën kur del.” Për babanë që mundohej dikur të mos dukej plak por në heshtje donte vetëm një bisedë më shumë. Për gjyshen që i mëson fëmijët tanë të luten, të falin, të jenë të mirë. Për gjyshin që fshin fshehurazi sytë kur nuk e telefonojmë por që qëndron si hero i heshtur. Për ju, që na mësuat ç’është dashuria pa kushte. Për ju, që edhe kur s’jemi aty, na falni. Për ju, që nuk prisni lule një ditë në vit por një dorë të ngrohtë, një zë në telefon, një “ më ka marrë malli ” pa u ndjerë në faj. Sot është dita juaj. Por në të vërtetë çdo ditë është e juaja vetëm se ne, nganjëherë ose shumëherë , kujtohemi vonë. Na ndjeni ! Na ndjeni për ditët që kalojnë pa u kujtuar sa shumë vleni. Na ndjeni për telefonatat e vonuara, për përqafimet që nuk i dhamë në kohë. Për fjalët e bukura që i mbajtëm në mendje por jo në faqe. Për kohën që shpërdoruam në gjithçka tjetër, ndërkohë që ju thjesht, pritët. Na ndjeni, sepse jeta na gënjen me ngutjen e saj, por zemra jonë e di mirë se ku e ka shtëpinë. Aty ku na pritët gjithmonë me sofrën gati, me buzëqeshjen pa kushte dhe me një “ju jeni drita e syve tanë” që nuk kërkoi kurrë përgjigje. Na ndjeni, që sot e themi me vonesë por nuk ka vonesë për dashurinë që nuk vdes kurrë.
