Në morinë e madhe të leximit, ka libra që lexohen por ka libra që përjetohen si një sherr familjar në të cilin je detyruar të marrësh pjesë. “Vëllezërit Karamazov” i shkrimtarit rus Fjodor Dostojevskit i përket kategorisë së dytë ku mund ta lexosh me distancë. Diku në mes të faqeve, kupton se autori nuk po të tregon një histori, por po të pyet drejtpërdrejt.
A beson në Zot, apo jo dhe nëse jo, si vazhdon të jetosh?
Gjithçka fillon me Fjodor Pavloviçin, baba i vëllezërve Karamazov, një njeri të cilin Dostojevski e ka skalitur si mishërim të degradimit njerëzor. Është dritëshkurtër, i pangopur, cinik, dhe krejtësisht i papërgjegjshëm ndaj fëmijëve të tij. I ka lindur tre djem prej dy grave të ndryshme, dhe asnjërin nuk e ka rritur me dashuri. Ekziston edhe një i katërt, Smerdjakovi, djali i tij i paligjshëm, i cili shërben si shërbëtor në shtëpinë e vet, një detaj që vetë përmban tërë tragjedinë e romanit brenda vetes.
Nga kjo farë e helmuar lindin katër fate krejt të ndryshme, dhe pikërisht në këtë larmi qëndron gjenialiteti i Dostojevskit. Ai nuk krijon katër personazhe por katër mundësi njerëzore, katër përgjigje ndaj të njëjtës pyetje ekzistenciale.
Dmitri, i biri i madh, është pasioni i pastër, i papërpunuar. Ai jeton me shqisat, jo me mendjen. Dashuron me dhunë, xhelozon me dhunë, pendon me dhunë. Konflikti i tij me babanë , të dy të dashuruar me të njëjtën grua, Grushenkën ,është motori që nis ngjarjet drejt tragjedisë. Kur Fjodor Pavloviçi gjendet i vrarë, gjithçka tregon nga Dmitri.Por Dostojevski nuk e ndërton Dmitrin si kriminel të thjeshtë por si shpirt që vuan nga vetë natyra e tij të pandalshme,një njeri që e di se po shkon drejt greminës, por s’ka forcë ta ndalojë veten. Në një nga pasazhet më të fuqishme të romanit, Dmitri thotë se njeriu është aq i gjerë sa Zoti, duhet ta ngushtonte,sepse brenda tij përplasen njëkohësisht ideali i Madonës dhe abisi i Sodomës. Kjo frazë, në thelb, është çelësi i gjithë romanit.
Njeriu si fushëbetejë ku përplasen e mira dhe e keqja.
Nëse Dmitri është trupi, Ivani është mendja e ftohtë, analitike, e pamëshirshme me veten dhe me botën. Ivani është intelektuali që ka humbur besimin, jo nga mungesa e provave për Zotin, por nga tepria e provave kundër drejtësisë së Tij. Kapitulli “Legjenda e Inkuizitorit të Madh”, të cilin Ivani ia tregon vëllait të tij Aljosha, konsiderohet nga shumë kritikë si një nga tekstet filozofike më të fuqishme të shkruara ndonjëherë brenda një romani.Aty, Ivani ndërton një parabolë të tmerrshme.Krishti kthehet në tokë gjatë Inkuizicionit Spanjoll dhe arrestohet nga Kisha e vet, sepse liria që Ai u dha njerëzve është barrë e padurueshme,njerëzit nuk duan liri, duan bukë dhe autoritet. Ivani nuk mohon Zotin drejtpërdrejt por ai “e kthen biletën”, refuzon botën që Zoti ka krijuar, një botë ku fëmijët e pafajshëm vuajnë pa kuptim. Ky argumentim, i njohur si “problemi i vuajtjes së të pafajshmit”, mbetet ndër sfidat më serioze që i është bërë ndonjëherë teodicisë fetare.Dhe pikërisht kjo mendje e ftohtë, kjo logjikë e pandalshme, është ajo që pa dashje nxit krimin. Sepse idetë, na tregon Dostojevski, kanë pasoja. Nuk mund të thuash “gjithçka lejohet” në një dhomë të mbyllur intelektuale dhe të presësh që bota jashtë të mbetet e paprekur.
Aljosha, vëllai i vogël,është zemra shpirtërore e romanit, një novic manastiri, dishepull i Plakut Zosima, që përfaqëson besimin, dashurinë dhe faljen. Në duart e një shkrimtari më pak të aftë, Aljosha do të ishte bërë karikaturë, një shenjtor pa dilema por Dostojevski e njeh shumë mirë njeriun për ta lënë kaq lehtë. Vdekja e Zosimës, dhe fakti që trupi i tij fillon të kalbet menjëherë kur pritej “mrekulli” pas vdekjes së një njeriu të shenjtë), e godet Aljoshën me një krizë të vërtetë besimi. Për një moment, edhe drita më e pastër e romanit lëkundet dhe pikërisht ky moment lëkundjeje e bën Aljoshën të besueshëm, sepse besimi që s’njeh kurrë dyshim, sugjeron Dostojevski, s’është besim i vërtetë fare.
E fundit, por aspak më pak e rëndësishme, është figura e Smerdjakovit, djali i paligjshëm, shërbëtor në shtëpinë e babait të tij biologjik, i cili dëgjon me vëmendje idetë e Ivanit dhe i çon deri në përfundimin e tyre logjik, vrasjen. Smerdjakovi është pasoja e ftohtë e filozofisë abstrakte, dëshmia se idetë nuk mbeten kurrë vetëm në letra por ato zbresin, herët a vonë, në botën e vërtetë, shpesh nëpërmjet duarve më të dobëta e më të dëshpëruara.
Pjesa e fundit e romanit, gjyqi i Dmitrit, nuk është thjesht zgjidhje narrative por satirë e mprehtë e sistemit ligjor, i cili, ashtu si teologjia e Ivanit, mund të ndërtojë çdo argument logjik, por shpesh humbet krejtësisht të vërtetën njerëzore. Prokurorët dhe avokatët flasin gjuhë të bukura, ndërtojnë teori psikologjike mbresëlënëse,por asnjëri prej tyre s’e njeh vërtet Dmitrin. Drejtësia formale dhe e vërteta njerëzore, na tregon Dostojevski, shpesh ecin në rrugë paralele që nuk takohen kurrë.
“ Vëllezërit Karamazov” u botua në 1880, vetëm muaj para vdekjes së Dostojevskit, dhe funksionon si testament i tij shpirtëror, përmbledhje e gjithë pyetjeve që e munduan gjatë gjithë jetës. Feja kundër arsyes. Liria kundër autoritetit. Dashuria kundër egos. Faji individual kundër përgjegjësisë kolektive sepse, siç thotë vetë romani, të gjithë jemi përgjegjës për të gjithë, para të gjithëve.Ajo çka e bën këtë vepër të përjetshme nuk është se Dostojevski jep përgjigje të qarta por se ai i trajton këto pyetje me ndershmërinë më të madhe të mundshme , duke ia dhënë argumentet më të forta edhe besimit, edhe mosbesimit, pa favorizuar asnjërin prej tyre me lehtësi. Ivani nuk është “i keqi” i romanit. Aljosha nuk “fiton” debatin me argumente më të mira por fiton, nëse fiton fare, me dashuri të heshtur dhe të vazhdueshme.Ndoshta kjo është arsyeja pse ky libër vazhdon të lexohet e të përkthehet e të diskutohet 150 vjet pas botimit të tij, sepse pyetjet që shtron për vuajtjen, drejtësinë, lirinë dhe kuptimin janë pikërisht ato pyetje që çdo brez i ri zbulon vetë, si për herë të parë, dhe që asnjë epokë s’ka arritur t’i mbyllë njëherë e përgjithmonë.
Ndaje
