15 gushti më sjell gjithmonë te një emër, por pas këtij emri fshihet një botë e tërë kujtimesh, një fëmijëri, një shtëpi, një grua që më ka rritur dhe një dashuri që vitet nuk kanë mundur ta zbehin. Sot është dita e Shën Marias dhe është edhe dita ime, por mbi të gjitha është dita kur mendimi im shkon te Nona ime, Maria, sepse emrin që mbaj unë e ka mbajtur para meje ajo, gruaja prej së cilës trashëgova jo vetëm emrin, por edhe shumëçka që sot, në moshën që jam, e dalloj tek vetja. Nona ime kishte lindur në familjen e Zoi Xoxës së Fierit, në një familje me kulturë dhe traditë, gazetar dhe deputet në kohën e Mbretit Zog. Ajo u martua me Doktor Mihal Çaushin, papun tim, dhe së bashku ndërtuan jetën e tyre në atë shtëpi të bukur dykatëshe në qëndër të Sheshit të Flamurit, ku për shumë vite u mblodh familja, ku u rritën fëmijë,nipër e mbesa , dhe ku kujtimet, pa e ditur askush, po merrnin ngadalë formën e asaj që një ditë do ta quanim nostalgji. E vogël në shtat, por e madhe në prani, Nona kishte një mënyrë të veçantë për të mbushur një dhomë pa pasur nevojë të ngrinte zërin. Ishte autoritare, e rregullt dhe e prerë, një grua që e dinte mirë çfarë kërkonte dhe nuk bënte shumë kompromise me atë që ajo e quante edukatë. Në vitet e komunizmit nuk lejonte askënd t’i drejtohej thjesht me emër dhe as t’i thoshte “gjyshe”, për të ishte “Zonja Marie”, dhe ky emër, që atëherë na dukej krejt i natyrshëm, sot më tingëllon si një copëz e një bote të largët, elegante dhe të humbur. Ajo na mësonte si të qëndronim, si të uleshim në tryezë, si të hanim, si të visheshim, si të flisnim dhe si të silleshim me njerëzit, sepse për të mënyra e të jetuarit nuk ishin një zbukurim i jashtëm, por shenjë e karakterit. Edhe gjërat më të vogla kishin rëndësi, mënyra si mbaje një gotë, si uleshe, si i drejtoheshe një më të rrituri, si e zgjidhje një fjalë, si e mbaje veten kur jeta nuk të kishte kursyer. Por kujtimi që më vjen më shpesh sot është shumë më i vogël se gjithë këto rregulla. Është ajo përpara pasqyrës së saj të vogël. Në mëngjes, Nona rregullonte flokët allabebe, siç i quante ajo, dhe i mblidhte me dy karficat e ardhura nga Korfuzi, me atë kujdesin e saj të veçantë që e bënte edhe një veprim të zakonshëm të dukej si një ritual. Atëherë e shihja pa e menduar gjatë, sot, po të mundesha, do të ndaloja për minuta të tëra vetëm për ta parë përsëri. Dhe ja ku më surprizon jeta. Në këtë moshë që jam, flokët e mi i mbledh njësoj si ajo. Ndonjëherë i rregulloj pa menduar dhe, kur shoh veten në pasqyrë, më duket sikur për një çast më është kthyer ajo. Është një lëvizje e vogël, pothuajse e pavetëdijshme, por më mjafton për të më kthyer shumë vite pas, në atë shtëpi, në ato mëngjese, në praninë e saj. Ndoshta kështu trashëgohen njerëzit që duam më shumë. Jo vetëm përmes emrave, fotografive apo tregimeve që u tregojmë të tjerëve, por përmes gjesteve që bëjmë pa e kuptuar, mënyrës si flasim, si ecim, si i mbledhim flokët, si shtrojmë tryezën, si presim një mik, si rregullojmë një cep të shtëpisë, madje edhe përmes disa fjalëve që i kemi dëgjuar aq shumë prej tyre, sa një ditë bëhen tonat. Nona më ka rritur dhe e kam dashur me gjithë zemrën e një fëmije, por sot e dua edhe me sytë e një gruaje që ka jetuar mjaftueshëm për të kuptuar se sa shumë mund të marrësh nga një njeri pa e kuptuar në atë kohë se po merr një trashëgimi për gjithë jetën. E kujtoj shtëpinë e bukur dykatëshe ku linda dhe u rrita , kujtoj praninë e gjyshit tim, Doktor Mihal Çaushit edhe pse nuk e njojta kurrë, kujtoj zërat e njerëzve të mi zë dashur, prindërve të mi të shtrenjtë, Danës, Kelit, lëvizjet nëpër dhoma, nga kati i parë në të dytin, atë atmosferë që sot më duket e mbështjellë me një dritë të butë kujtimi. Shtëpitë ndryshojnë, njerëzit ikin, koha i mbulon gjërat me pluhurin e saj të padukshëm, por disa dhoma mbeten të hapura brenda nesh përgjithmonë. Dhe brenda një prej tyre është Nona. Ndoshta prandaj jam krenare për emrin tim. Sepse Maria për mua nuk është vetëm një emër që festohet më 15 gusht. Është një grua, një histori, një shtëpi, një mënyrë të jetuari, një zë që ende më duket sikur e dëgjoj dhe një pasqyrë e vogël përpara së cilës një grua rregullonte flokët çdo mëngjes, pa e ditur se një ditë mbesa e saj do të qëndronte përpara një pasqyre tjetër dhe do t’i mblidhte flokët njësoj si ajo. Ka momente kur më duket se jeta është një udhëtim i çuditshëm, ne mendojmë se po ecim përpara, por papritur e gjejmë veten duke bërë të njëjtin gjest që bënte dikush para nesh, duke përdorur të njëjtën fjalë, duke kërkuar të njëjtën elegancë, duke dashur të njëjtën rregullsi dhe duke kuptuar se, pa e ditur, kemi marrë me vete diçka nga ata që na kanë dashur. Kjo është trashëgimia ime. Emri i saj.
Disa nga tiparet e saj.
Dhe shumë dashuri. Sot, kur më urojnë për Shën Marinë, në të vërtetë unë e ndiej se po më urojnë edhe për të. Për Nonën time. Për Zonjën Marie. Ajo sot është në parajsë dhe unë jam këtu, por mes nesh mbetet ende një lidhje që as koha dhe as largësia nuk mund ta prekin.
Një emër që ajo ma la mua dhe një pjesë e saj që unë, pa e kuptuar, vazhdoj ta mbaj çdo ditë. Dhe sot, kur i mbledh flokët përpara pasqyrës, njësoj si ajo, do të doja vetëm t’i thosha: “Nona, shiko… ende i mbledh si ti.” Ndoshta ajo më sheh. Ndoshta buzëqesh. Dhe unë, për një çast, ndihem përsëri ajo vajza e vogël që e shihte përpara pasqyrës dhe nuk e dinte se një ditë do ta kërkonte gjithë jetën në kujtimet e saj. Gëzuar Shën Marinë, Nona ime. Sot festoj emrin që më dhe. Por mbi të gjitha, festoj ty.
Ndaje
