Zogjtë zgjohen herët, unë jo

Ndaje

Zogjtë zgjohen herët. Shumë më herët se ne. Ndoshta kur qielli është ende i përhumbur mes natës dhe ditës, kur drita sapo ka filluar të prekë majat e pemëve dhe bota është ende e heshtur, ata hapin sytë, lëvizin krahët dhe nisin të këndojnë. Kam menduar shpesh se sa bukur duhet të jetë ta nisësh ditën në atë orë, kur gjithçka duket më e pastër, më e qetë, më e pambushur me zhurma. Të dëgjosh zogjtë përpara se të dëgjosh njerëzit, të shohësh dritën e parë përpara se qyteti të zgjohet, të kesh disa minuta vetëm për veten, pa telefonata, pa mesazhe, pa nxitim. Por unë nuk jam nga ata njerëz. Unë jam gjumashe. Dhe, për shumë kohë, kjo më ka ardhur keq. Më ka ardhur inat kur kam menduar se zogjtë e kanë nisur ditën ndërsa unë ende jam e mbështjellë në batanije, se dikush ka parë diellin duke lindur ndërsa unë e kam humbur atë çast, se bota ka jetuar disa orë pa mua. Pastaj mendova se ndoshta po e gjykoja veten me një matës që nuk ishte imi. Sepse jo të gjithë njerëzit e duan mëngjesin. Jo të gjithë zgjohen me të njëjtën lehtësi dhe jo të gjithë trupat kanë të njëjtin ritëm. Ka njerëz që lulëzojnë në agim dhe njerëz që e gjejnë veten më shumë në qetësinë e mbrëmjes. Ka nga ata që zgjohen me energji dhe nga ata që kanë nevojë për pak më shumë kohë për ta bindur trupin se dita ka filluar. Edhe zogjtë, në fund të fundit, janë zogj. Ata kanë ritmin e tyre. Dhe unë kam timin. Ndoshta nuk do të mësohem kurrë të zgjohem në pesë të mëngjesit për të dëgjuar korin e tyre. Ndoshta do ta dëgjoj nga larg, përmes dritares, ndërsa ata janë duke fluturuar mbi çati dhe unë jam ende duke kërkuar një arsye për të mos dalë nga shtrati. Por kjo nuk do të thotë se po humbas jetën. Sepse një ditë nuk matet me orën kur hapim sytë, por me mënyrën se si e jetojmë kohën pasi jemi zgjuar. Dhe ndoshta kjo është ajo që më pëlqen te zogjtë: ata nuk shqetësohen nëse dikush tjetër u zgjua para tyre. Nuk krahasohen. Nuk mendojnë se kanë humbur diçka sepse një tjetër fluturoi më herët. Ata thjesht bëjnë atë që dinë të bëjnë. Këndojnë. Fluturojnë. Kërkojnë ushqimin. Ndërtojnë foletë. Dhe jetojnë ditën e tyre. Ndoshta edhe ne duhet të mësojmë diçka prej tyre. Jo domosdoshmërisht të zgjohemi më herët. Por të mos ndihemi fajtorë pse nuk jetojmë me ritmin e të tjerëve. Sepse, në fund, nuk është e rëndësishme nëse e pe lindjen e diellit apo e takove atë disa orë më vonë. E rëndësishme është të mos e kalosh ditën pa e parë fare dritën. Prandaj, zogj të dashur, vazhdoni të zgjoheni herët. Këndoni edhe për mua. Unë do të vij pak më vonë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit