Natyra është universiteti më i vjetër në botë. Shumë kohë përpara se njerëzit të shkruanin libra mbi menaxhimin, organizimin apo lidershipin, kafshët kishin zhvilluar mënyrat e tyre të mbijetesës dhe të bashkëpunimit. Një nga shembujt më interesantë është ai i ujqërve, një specie që shpesh është parë vetëm si simbol force dhe egërsie, por që në të vërtetë fsheh një inteligjencë të jashtëzakonshme kolektive. Kur një tufë ujqërish lëvizin nëpër dëborë ose përshkon distanca të gjata, organizimi i saj nuk është rastësor. Çdo pozicion ka një arsye dhe çdo anëtar një rol. Në krye vendosen zakonisht ujqërit më të moshuar ose ata që nuk kanë më fuqinë e dikurshme. Në pamje të parë kjo mund të duket e çuditshme. Dikush mund të mendojë se më të fortët duhet të jenë përpara por logjika e tufës është më e mençur,ritmi i grupit përcaktohet nga më të dobëtit, jo nga më të fortët e në këtë mënyrë askush nuk mbetet pas dhe askush nuk sakrifikohet për shpejtësinë. Pas tyre ecin ujqërit më të fuqishëm, ata që kanë aftësinë të mbrojnë tufën nga çdo kërcënim i mundshëm. Në qendër ndodhen të rinjtë, këlyshët dhe pjesa më e pambrojtur e grupit. Ata janë zemra e tufës, arsyeja pse të gjithë të tjerët luftojnë dhe sakrifikohen. Forca vendoset rreth dobësisë, jo mbi të dhe kjo është një filozofi që natyra e ka kuptuar prej mijëra vitesh, ndërsa njerëzimi ende përpiqet ta mësojë. Por pjesa më interesante është pozicioni i udhëheqësit. Ai nuk ecën gjithmonë në krye përkundrazi , shpesh qëndron në fund të kolonës. Nga aty ai mund të shohë gjithçka. Mund të vërejë nëse dikush po lodhet, nëse ndonjë anëtar po mbetet pas apo nëse rreziku po afrohet. Ai nuk është para grupit për t’u admiruar,është pas grupit për t’u siguruar që askush të mos humbasë. Dhe pikërisht këtu shfaqet figura e Alfa-s. Shpesh njerëzit e përfytyrojnë ujkun alfa si një sundimtar të ashpër që komandon me forcë dhe imponon vullnetin e tij mbi të tjerët. Në të vërtetë, roli i tij është shumë më i thellë. Alfa nuk është thjesht më i forti fizikisht por ai që mban ekuilibrin e tufës. Ai merr vendime, orienton drejtimin, qetëson konfliktet dhe mban mbi supe barrën e përgjegjësisë. Forca e tij nuk matet vetëm me aftësinë për të luftuar, por me aftësinë për të bashkuar. Një alfa që mendon vetëm për veten e tij e dobëson tufën. Një alfa që mendon për të gjithë e bën tufën më të fortë. Respekti që gëzon nuk lind vetëm nga frika por nga besimi. Të tjerët e ndjekin sepse e dinë se ai nuk do t’i braktisë. Kjo është arsyeja pse udhëheqësi i vërtetë nuk ka nevojë të bërtasë për të dëshmuar autoritetin e tij. Ai nuk ka nevojë të kujtojë çdo ditë se është shef. Prania e tij ndihet në mënyrën si grupi funksionon, në sigurinë që krijon dhe në besimin që frymëzon. Një lider i dobët kërkon nënshtrim. Një lider i fortë krijon përkatësi. Ky është një leksion që shkon përtej botës së kafshëve. Në një kohë kur shpesh lidershipi ngatërrohet me privilegjin, pushtetin apo dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes, ujqërit na kujtojnë një të vërtetë të thjeshtë, se udhëheqësi i vërtetë nuk është ai që ecën më përpara, por ai që kujdeset më shumë. Një familje, një institucion, një biznes apo edhe një komb funksionon më mirë kur më të fortët mbrojnë më të dobëtit, kur ritmi përshtatet me nevojat e grupit dhe kur drejtuesi nuk matet nga distanca që ka krijuar me të tjerët, por nga aftësia për t’i mbajtur të gjithë bashkë. Ndoshta kjo është arsyeja pse ujku ka mbetur për shekuj simbol i forcës jo vetëm sepse di të luftojë, por sepse di të jetojë në grup. Jo vetëm sepse ka dhëmbë të mprehtë, por sepse ka instinktin e solidaritetit. Dhe historia na ka treguar vazhdimisht se nuk mbijetojnë gjithmonë më të fortët por ata që dinë të bashkëpunojnë, të mbrojnë njëri-tjetrin dhe të qëndrojnë së bashku kur vijnë stuhitë. Sepse madhështia e një tufe nuk matet nga fuqia e ujkut më të fortë, por nga aftësia e saj për të mos lënë askënd pas. Alfa i vërtetë nuk është ai që qëndron mbi tufën, por ai që jeton për tufën. Dhe kjo është diferenca mes pushtetit dhe udhëheqjes. Pushteti kërkon bindje, ndërsa udhëheqja fiton besim. Kjo është urtësia e ujqërve. Një leksion i thjeshtë i natyrës, por ndoshta një nga mësimet më të vlefshme që njeriu mund të marrë për mënyrën se si ndërtohen komunitetet, familjet dhe shoqëritë e forta.
