Ka një moment kur njeriu nuk zemërohet më, jo sepse gjërat janë përmirësuar, jo sepse padrejtësitë janë pakësuar, por sepse janë bërë aq të zakonshme, aq të pranishme në çdo cep të jetës publike, saqë zemërimi fillon të duket si një luks që nuk ia lejon më vetes, dhe atëherë mbetet vetëm ajo ndjesia e rëndë e dorëzimit, ajo lodhje morale që të pushton, kur sheh se realiteti është kthyer në një karikaturë të vetvetes. Jetojmë në një vend ku çmimet rriten çdo ditë me një ambicie që do ta kishte zili çdo program zhvillimi ekonomik, ndërsa të ardhurat e qytetarëve mbeten aty ku ishin, duke na kujtuar se durimi është ndoshta i vetmi burim natyror që ende nuk është privatizuar. Në të njëjtën kohë, toka, bregdeti, pyjet dhe hapësirat publike trajtohen si një tavolinë ku disa të privilegjuar zgjedhin copën që u pëlqen më shumë, ndërsa pjesës tjetër i mbetet vetëm e drejta për të parë dhe, në rastin më të mirë, për të protestuar pa u dëgjuar. Zvërneci proteston, qytetarët flasin, ekspertët argumentojnë, shoqëria civile ngre shqetësime, por rezultati është pothuajse gjithmonë i njëjtë. Pushteti dëgjon me mirësjellje, tund kokën me mirëkuptim dhe vazhdon rrugën sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Është një formë moderne dialogu, ku njëra palë flet dhe pala tjetër bën sikur dëgjon. Ndërkohë, në skenën publike vazhdojnë të shfaqen personazhe që ngjiten në poste drejtuese me një shpejtësi aq marramendëse, sa të krijohet përshtypja se universitetet, eksperienca profesionale dhe vitet e punës së ndershme janë shpikje të kota të një epoke të kaluar. Meritokracia përmendet ende në fjalime, zakonisht me të njëjtën bindje me të cilën përmenden përrallat para gjumit, por në praktikë duket se kriteri më i rëndësishëm mbetet aftësia për të qenë në vendin e duhur, pranë njerëzve të duhur dhe në kohën e duhur. Mjafton të shohësh përreth, për të kuptuar se nuk kemi më mungesë kriteresh por kemi arritur në një fazë më të avancuar, ku mungesa e kritereve është kthyer vetë në kriter. Profesionalizmi shihet me dyshim, integriteti konsiderohet naivitet dhe mendimi kritik trajtohet si defekt karakteri. Në një klimë të tillë, njeriu me dinjitet shpesh ndihet si i huaj në vendin e vet, por ajo që të mbush me indinjatë nuk është vetëm padrejtësia por mungesa e çdo ndjenje turpi. Skandalet shpërthejnë dhe harrohen. Premtimet jepen dhe mohohen. Deklaratat përgënjeshtojnë deklaratat e djeshme pa i bërë përshtypje askujt. Askush nuk skuqet. Askush nuk zverdhet. Askush nuk ndjen detyrimin moral të shpjegojë, të kërkojë falje apo të mbajë përgjegjësi. Sikur turpi të ishte hequr nga qarkullimi publik si një monedhë e vjetër që nuk ka më vlerë dhe kështu, pak nga pak, imoraliteti pushon së qeni përjashtim dhe bëhet normë, jo sepse njerëzit e duan, por sepse e shohin çdo ditë të shpërblehet. Jo sepse e admirojnë, por sepse e shohin të ngjitet në podium, të marrë postin, privilegjin dhe duartrokitjen. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë ndihesh i dorëzuar. Jo sepse nuk e dallon më të keqen, por sepse e sheh atë të ecë krenare në mes të ditës, pa u fshehur dhe pa pasur më nevojë të justifikohet. Dhe ndoshta ky është alarmi më i madh i kohës sonë. Aspak rritja e çmimeve, as zaptimi i hapësirave publike, as heshtja ndaj protestave. Alarmi i vërtetë është se po mësohemi me të gjitha këto. Sepse një shoqëri nuk rrezikon më shumë kur përballet me padrejtësinë, por kur pushon së habituri prej saj.
