Kjo ide e Ferdinand Tonies përmbledh në mënyrë të qartë shqetësimin e tij më të madh,frikën se moderniteti, edhe pse solli zhvillim ekonomik, teknologjik dhe organizim më të avancuar të jetës shoqërore, po e largonte njeriun nga lidhjet e ngrohta dhe të natyrshme njerëzore që kishin karakterizuar komunitetet tradicionale për shekuj me radhë. Ai ishte ndër sociologët e parë që kuptoi se transformimet moderne nuk ndryshonin vetëm ekonominë apo institucionet, por edhe mënyrën se si njerëzit ndihen, bashkëjetojnë dhe ndërtojnë marrëdhënie me njëri-tjetrin. Në qendër të mendimit të tij qëndron dallimi mes dy formave kryesore të organizimit shoqëror.
Komunitet tradicional dhe shoqëri moderne. Përmes këtyre dy koncepteve, ai shpjegoi kalimin gradual nga komuniteti tradicional drejt shoqërisë moderne industriale dhe urbane. Gemeinschaft, që mund të përkthehet si “komunitet”, përfaqëson mënyrën tradicionale të jetesës, ku marrëdhëniet njerëzore ndërtohen mbi afërsinë emocionale, familjen, zakonet, traditën dhe ndjenjën e përkatësisë. Në komunitete të tilla njerëzit nuk jetojnë thjesht pranë njëri-tjetrit, por ndihen të lidhur shpirtërisht dhe moralisht. Një fshat i vogël është shembulli më tipik i kësaj forme shoqërie,njerëzit njohin familjet e njëri-tjetrit, ndajnë gëzimet dhe vështirësitë bashkë, ndihmojnë njëri-tjetrin pa interes dhe ruajnë tradita të përbashkëta që kalojnë nga brezi në brez. Në këto komunitete tradicionale, marrëdhëniet njerëzore kanë karakter personal dhe emocional. Një fqinj nuk është thjesht dikush që jeton afër, por një pjesë e jetës së përditshme. Dasmat, vdekjet, festat apo vështirësitë ekonomike përjetohen kolektivisht, sepse komuniteti funksionon mbi solidaritetin dhe ndjenjën e afërsisë njerëzore. Për Ferdinant Tonies, kjo ishte forma më natyrale e jetës shoqërore. Ndërsa Gesellschaft, që do të thotë “shoqëri”, përfaqëson realitetin modern, urban dhe industrial. Në këtë lloj organizimi, marrëdhëniet bëhen më formale, më të ftohta dhe më të bazuara te interesi praktik. Individët nuk lidhen më domosdoshmërisht për shkak të ndjenjave apo traditës, por për arsye ekonomike, profesionale dhe funksionale. Në qytetet moderne, njerëzit mund të jetojnë për vite të tëra pranë njëri-tjetrit pa krijuar ndonjë lidhje të vërtetë njerëzore. Një shembull i qartë i kësaj është jeta në metropolet moderne. Në një pallat me dhjetëra familje, shpesh fqinjët nuk e njohin as emrin e njëri-tjetrit. Njerëzit ecin me nxitim, komunikojnë pak dhe marrëdhëniet ndërtohen kryesisht mbi interesin apo nevojën momentale. Edhe vendi i punës në shoqërinë moderne funksionon sipas këtij parimi,individët bashkëpunojnë jo sepse ndihen të lidhur emocionalisht, por sepse sistemi ekonomik kërkon efikasitet dhe organizim racional. Tönnies mendonte se modernizimi dhe industrializimi po e dobësonin gradualisht ndjenjën e komunitetit. Me zhvillimin e ekonomisë moderne, migrimin drejt qyteteve dhe rritjen e individualizmit, lidhjet tradicionale familjare dhe shoqërore filluan të humbnin forcën që kishin dikur. Njeriu modern fitoi më shumë liri personale dhe më shumë mundësi ekonomike, por njëkohësisht filloi të ndjehej më i izoluar dhe emocionalisht më i vetmuar. Ai kishte frikë se shoqëria moderne do ta kthente njeriun në një individ që jeton mes turmës, por pa ndjerë përkatësi të vërtetë. Për këtë arsye, Tönnies e shihte modernitetin si një proces paradoksal,nga njëra anë ai sillte progres, zhvillim teknologjik dhe organizim më efikas të jetës, ndërsa nga ana tjetër dobësonte lidhjet njerëzore që i japin kuptim jetës sociale. Një tjetër aspekt i rëndësishëm në teorinë e tij është fakti se shoqëria moderne mbështetet gjithnjë e më shumë te kontratat, ligjet dhe racionaliteti. Në komunitetet tradicionale njerëzit bashkëpunonin sepse ndanin të njëjtat vlera dhe ndiheshin pjesë e të njëjtit grup. Në shoqërinë moderne, bashkëpunimi ndodh kryesisht mbi bazën e interesit ekonomik dhe përfitimit individual. Kjo e bën jetën më të organizuar, por edhe më impersonale.Megjithatë, Tönnies nuk ishte plotësisht kundër modernitetit. Ai e pranonte se zhvillimi industrial dhe urbanizimi kishin sjellë përparim ekonomik, arsim më të mirë dhe më shumë mundësi për individin. Shqetësimi i tij kryesor lidhej me faktin se ky zhvillim po e largonte njeriun nga ndjenja e komunitetit dhe solidaritetit njerëzor.Në përfundim, Ferdinand Tönnies mbetet një nga mendimtarët që analizoi më qartë ndryshimin e madh mes jetës tradicionale dhe shoqërisë moderne. Përmes koncepteve Gemeinschaft dhe Gesellschaft, ai tregoi se modernizimi nuk ndryshon vetëm ekonominë apo teknologjinë, por prek thellësisht mënyrën se si njerëzit lidhen, bashkëjetojnë dhe e përjetojnë vetë jetën shoqërore. Edhe sot, në një botë të dominuar nga teknologjia, rrjetet sociale dhe ritmi i shpejtë urban, idetë e Tönnies vazhdojnë të jenë aktuale, sepse njeriu modern ende përballet me të njëjtën dilemë,si të jetojë në një shoqëri gjithnjë e më të madhe, pa humbur afërsinë dhe ngrohtësinë njerëzore.
Ndaje
