Kam një kujtim të qartë nga hera e parë kur e lexova këtë libër. Nuk isha e lehtësuar, siç ndodh zakonisht kur mbaron një roman të gjatë, por e shqetësuar dhe kjo besoj, është shenja e parë që tregon se ke lexuar diçka të vërtetë.
“Xha Gorio” nuk të ngërthen që në faqen e parë me ndonjë ngjarje dramatike sepse Balzaku si përherë në stilin e tij e hap romanin ngadalë, pothuajse me durim të tepërt, na përshkruan hollësisht pensionin e Zonjës Voke, banorët e tij të çuditshëm, erën e ushqimit të lirë që përhapet nëpër korridore, mobiljet e vjetruara.
Të them të drejtën, në fillim mendova se ky ishte thjesht një realizëm i tepërt, një dëshirë e autorit për të treguar se sa mirë e njeh Parisin por gabohesha. Balzaku po ndërtonte një skenë jo për ngjarjet, por për shpirtin e romanit. Ai pension i varfër, i mbushur me njerëz të harruar nga fati, është vetë bota në miniaturë dhe, në mes të kësaj bote, si një hije e heshtur, ulet një plak i moshuar që ushqehet pak, flet më pak dhe që të tjerët e trajtojnë me një përbuzje të mbuluar.Ky është Xha Gorio.
Ajo çfarë më goditi më shumë ndërsa lexoja, ishte se sa ngadalë Balzaku na zbulon të vërtetën për këtë njeri. Në fillim mendojmë se është një plak koprrac, ndoshta pak i çuditshëm pastaj mësojmë se ka qenë dikur i pasur. Pastaj mësojmë pse nuk është më. Dhe kur kuptojmë se ky njeri ka dhënë çdo qindarkë, çdo pjesë të vetes, për dy vajza që as nuk e vizitojnë më, diçka thyhet brenda lexuesit. Nuk është keqardhje e thjeshtë, por një lloj tmerri i qetë, sepse e njohim këtë njeri. Të gjithë e kemi njohur në jetën tonë dikë si Gorio, dikë që do aq shumë, sa harron të kërkojë respekt për veten.
Skena ku Gorio vdes, i braktisur, duke thirrur emrat e vajzave të tij që nuk vijnë, është një nga skenat më të dhimbshme që kam lexuar ndonjëherë jo sepse është dramatike me teprim, përkundrazi, sepse është e thjeshtë dhe Balzaku nuk na detyron të përlotemi, por na lë vetëm ta shohim. Krahas historisë së Goriosë rrjedh një histori tjetër, ajo e Eugène de Rastignakut, të riut ambicioz që sheh gjithçka. Ai sheh dashurinë e Goriosë, sheh mosmirënjohjen e vajzave, sheh cinizmin e Votrenit dhe përballet me zgjedhjen që na përballon të gjithëve në një moment të jetës.
A duhet të jem i mirë në një botë që nuk shpërblen mirësinë?
Nuk e di nëse Balzaku na jep një përgjigje, e ndoshta qëllimisht nuk na e jep. Por kur Rastinjaku shikon Parisin nga varreza dhe deklaron heshtazi luftën e tij kundër qytetit, nuk është triumf por një humbje e maskuar si vendosmëri. Kanë kaluar vite që kur e lexova këtë libër për herë të parë, një libër që ma propozoi im atë dhe që ishte, mesa duket, romani i tij i parapëlqyer. Nuk më tregoi kurrë arsyen e kësaj dashurie të veçantë për “Xha Gorion”, por sa më shumë kalon koha, aq më shpesh e gjej veten duke menduar për të. Ndoshta ai shihte tek Gorioja diçka nga vetja, ndoshta e prekte pafundësia e dashurisë prindërore, ajo prirje e heshtur për të dhënë gjithçka pa bërë llogari dhe pa kërkuar shpërblim. Ose ndoshta romani zgjonte kujtime të largëta, dhimbje të vjetra, ndjenja që mbeten të pathëna dhe që vetëm letërsia di t’i nxjerrë në dritë. Sepse ka libra që i admirojmë për madhështinë e tyre artistike, por ka edhe libra që i mbajmë pranë sepse, në një mënyrë të pashpjegueshme, na ngjasojnë.
Më pëlqen të mendoj se për tim atë, “Xha Gorio” ishte pikërisht një libër i tillë, jo vetëm një roman i madh, por edhe një pasqyrë e heshtur ku, herë pas here, gjente veten.
Edhe sot më kthehet në mendje jo thjesht si histori, por si pyetje.
Sa herë japim pa masë tek njerëzit që duam?
Sa herë shoqëria na mëson ta masim vlerën e njeriut sipas asaj që ai mund të na sjellë?
“Xha Gorio” nuk është vetëm një roman i shekullit XIX për Parisin, por një pasqyrë e vendosur para nesh, që na tregon diçka që nuk duam gjithmonë ta shohim.Se dashuria pa kufij mund të jetë po aq shkatërruese sa mungesa e saj dhe se bota shpesh e ndëshkon zemërbutësinë.
Dhe Balzaku nuk na jep ngushëllim, por të vërtetën dhe kjo është ajo që e bën “Xha Gorio” një kryevepër, jo sepse na bën të ndihemi mirë, por sepse na detyron të mendojmë me sinqeritet për veten tonë.
