Pak artistë kanë arritur të bëhen vetë simbol, po aq sa veprat që kanë krijuar. Tek Frida Kahlo, kufiri mes jetës dhe pikturës pothuajse zhduket. Ajo nuk pikturoi thjesht peizazhe, natyra të qeta apo skena të përditshme por veten, trupin e saj të lënduar, dashuritë, humbjet, frikërat dhe shpresat. Çdo tablo është një fragment autobiografie, një ditar i shkruar me ngjyra të forta, simbole dhe plagë të dukshme. Frida Kahlo lindi më 6 korrik 1907 në Coyoacán, në një shtëpi që më vonë do të bëhej e njohur si Casa Azul. Fëmijëria e saj u shënua herët nga sëmundja. Në moshën gjashtëvjeçare u prek nga poliomieliti, i cili i la pasoja në njërën këmbë dhe e bëri të përballej që herët me ndjesinë e të qenit ndryshe. Megjithatë, tragjedia që do të përcaktonte jetën dhe krijimtarinë e saj ndodhi në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, kur autobusi me të cilin udhëtonte u përplas rëndë. Aksidenti i shkaktoi dëmtime të shumta në shtyllën kurrizore, legen dhe këmbë. Ajo iu nënshtrua dhjetëra ndërhyrjeve kirurgjikale dhe kaloi periudha të gjata e shtrirë në shtrat. Pikërisht aty, mes dhimbjes dhe vetmisë, nisi të pikturonte. Një pasqyrë u vendos mbi shtratin e saj dhe Frida filloi të shikonte fytyrën e vet si subjekt artistik. Më vonë do të shprehej:
“Pikturoj veten sepse jam personi që njoh më mirë.” Kjo fjali shpjegon thelbin e universin të saj artistik. Nga rreth 140 vepra që realizoi, shumica janë autoportrete por ato nuk janë ushtrime narcisiste por rrëfime ekzistenciale. Në to shfaqen gjemba, gjak, kafshë, bimë tropikale, zemra të hapura dhe elementë të folklorit meksikan që ndërthuren me simbolikën personale. Portreti i Fridës është i pandashëm nga identiteti i saj kulturor. Ajo zgjodhi të vishej me kostumet tradicionale të grave të rajonit Tehuana, duke i kthyer veshjet, lulet në flokë dhe stolitë indigjene në një deklaratë identitare. Në një epokë kur moderniteti kërkonte uniformitet, Frida afirmoi rrënjët e saj meksikane me krenari dhe elegancë. Në jetën personale, figura që ndikoi më shumë tek ajo ishte bashkëshorti i saj, piktori i madh meksikan Diego Rivera. Marrëdhënia mes tyre ishte e stuhishme, e mbushur me pasion, tradhti, ndarje dhe rikthime. Frida e quante Diego-n njëkohësisht dashurinë e jetës dhe burimin e shumë vuajtjeve të saj. Kjo histori e trazuar dashurie pasqyrohet në vepra si The Two Fridas, ku dy versione të artistes qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, të lidhura përmes një arterie gjaku. Është një nga pikturat më prekëse mbi identitetin, vetminë dhe ndarjen shpirtërore. Një tjetër vepër e fuqishme është The Broken Column, ku Frida paraqet trupin e saj të çarë, të mbajtur nga korse metalike, ndërsa në vend të shtyllës kurrizore shfaqet një kolonë e thyer. Është një metaforë tronditëse e brishtësisë njerëzore, por edhe e qëndresës përballë vuajtjes. Shpesh Frida është etiketuar si surrealiste, por ajo vetë nuk e pranonte këtë përkufizim. Ajo thoshte:
“Unë nuk pikturoj ëndrra. Pikturoj realitetin tim.” Dhe pikërisht aty qëndron forca e saj. Arti i Fridës nuk është arratisje nga jeta, është përballje e drejtpërdrejtë me të. Ajo nuk fshehu asgjë, as abortet, sëmundjen, pamundësinë për të pasur fëmijë, vetminë, dashurinë dhe dëshirën për të jetuar. Në dekadat e fundit, Frida Kahlo është shndërruar në një ikonë globale. Portreti i saj me vetullat e bashkuara, gërshetat e zbukuruara me lule dhe vështrimin e palëkundur është bërë simbol i pavarësisë femërore, i autenticitetit dhe i guximit për të qenë vetvetja. Megjithatë, pas ikonës së njohur në postera, filma dhe produkte kulturore, mbetet gruaja e vërtetë, një artiste që e njohu dhimbjen në mënyrë të thellë, por nuk lejoi që ajo ta mposhtte. Përkundrazi, e transformoi në ngjyrë, në formë dhe në kujtesë kolektive. Frida Kahlo vazhdon të na kujtojë se arti nuk lind gjithmonë nga qetësia dhe lumturia. Ndonjëherë ai lind pikërisht aty ku njeriu ndien se gjithçka po thyhet. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse pikturat e saj vazhdojnë të na prekin edhe sot, sepse në to gjejmë jo vetëm historinë e një artisteje të jashtëzakonshme, por edhe historinë universale të përpjekjes njerëzore për të jetuar, për të dashur dhe për të krijuar pavarësisht plagëve.
