Një grua, diku në fillim të shekullit XX, hyn në një klinikë pa e ditur se brenda trupit të saj po rritej një sëmundje e heshtur. Nuk kishte dhimbje të forta, nuk kishte shenja alarmi që të ngrinin zërin e frikës. Vetëm një lodhje e lehtë, një shqetësim i paqartë që shpesh neglizhohet nga jeta e përditshme. Në atë kohë, diagnoza vinte vonë,shpesh kur ishte tepër vonë dhe pikërisht kjo heshtje e rrezikshme ishte armiku më i madh i mijëra grave. Në këtë botë të pasigurt mjekësore lindi nevoja për një zbulim që do t’i jepte zë asaj që nuk fliste dot dhe ky ndryshim erdhi nga një emër që sot qëndron i gdhendur në historinë e mjekësisë. Jorgo Papanikolau.
Në një epokë kur kanceri i qafës së mitrës konsiderohej një dënim i pashmangshëm, pa rrugë kthimi dhe pa paralajmërim të hershëm, Papanikolau guxoi të mendonte ndryshe. Ai nuk u pajtua me idenë se mjekësia duhet të reagonte vetëm kur sëmundja kishte marrë tashmë gjithçka. Përkundrazi, ai kërkoi ta kapte sëmundjen në momentin e saj më të hershëm, në heshtjen e saj mikroskopike.Nga vëzhgimet e tij të kujdesshme në laborator, ai kuptoi se qelizat e trupit mbanin brenda tyre historinë e sëmundjes shumë përpara se trupi ta shfaqte atë. Kjo ide, në atë kohë pothuajse revolucionare, u kthye në themelin e asaj që sot njohim si Pap Test, një analizë e thjeshtë por që ndryshoi përgjithmonë fatin e miliona grave në botë.Fillimisht, zbulimi i tij nuk u prit me entuziazëm. Skepticizmi i kohës ishte i fortë dhe shumë nuk besonin se një analizë mikroskopike mund të parashikonte një sëmundje kaq të rëndë. Por Papanikolau nuk e ndërpreu punën. Ai vazhdoi të vëzhgonte, të dokumentonte dhe të provonte, i bindur se shkenca nuk gabon kur i jepet kohë e mjaftueshme për të folur. Me kalimin e viteve, ajo që dikur ishte një teori u kthye në një nga mjetet më të fuqishme parandaluese në mjekësi. Pap Testi filloi të shpëtojë jetë jo duke shëruar sëmundjen, por duke e ndalur atë përpara se të lindte tragjedia.
Sot, ky zbulim duket i thjeshtë në praktikë, por pas tij qëndron një histori këmbënguljeje, varfërie, emigrimi dhe një përkushtimi të rrallë njerëzor ndaj jetës dhe mbi të gjitha, qëndron një e vërtetë e madhe që ndonjëherë revolucioni nuk vjen me zhurmë, por me një shikim të heshtur përmes mikroskopit. Jorgo Papanikolau nuk ndryshoi vetëm mjekësinë por mënyrën se si njerëzimi e kupton kohën, duke i dhënë shpresës një formë konkrete, të prekshme dhe të matshme.
Ndaje
