Novelat e Çehovit,parfume që mbajnë aromën e jetës

Ndaje

Vera trokiti sërish në dyert tona, me dritën e saj të artë, me mëngjeset që zgjojnë dëshirën për të nisur diçka të re dhe me mbrëmjet e gjata që na ftojnë të ngadalësojmë ritmin e jetës. Është ajo stinë kur, përveç valixheve, fillojmë të mbushim edhe një tjetër bagazh, shumë më intim dhe më të çmuar, listën e librave që do të na shoqërojnë në ditët e pushimit, në orët e qeta pranë detit, nën hijen e një peme, në verandën e një shtëpie verore apo në heshtjen e ëmbël të netëve kur gjithçka rreth nesh duket se merr frymë më ngadalë.Çdo stinë verë ka librat e saj, ato libra që i zgjedhim për të udhëtuar larg, për të hyrë në botë të panjohura, për të jetuar aventura të mëdha. Por ka edhe libra që i marrim me vete si miq të vjetër, sepse e dimë se ata nuk do të na mahnitin me bujë, por do të na shoqërojnë me butësi, do të na flasin me zë të ulët dhe do të na rikujtojnë se lumturia shpesh fshihet në gjërat më të zakonshme.Për mua, Anton Çehovi i përket pikërisht kësaj kategorie të rrallë shkrimtarësh. Një autor që nuk lexohet me ngut, por kërkon qetësi, kohë dhe një lloj disponimi të brendshëm, atë gjendje kur njeriu është gati të dëgjojë jo vetëm historitë e të tjerëve, por edhe jehonën e mendimeve të veta. Maksim Gorki i quante novelat e tij «flakone elegante parfumesh që mbajnë aromën e jetës», dhe sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë bindem se kjo është një nga përkufizimet më të bukura që i është bërë ndonjëherë letërsisë së Çehovit. Sepse, ashtu si një parfum i mirë, edhe tregimet e tij nuk imponohen por afrohen ngadalë, të mbështjellin me delikatesë dhe mbeten gjatë në kujtesë, edhe pasi libri është mbyllur dhe vera ka kaluar. Tek «Shtëpia në mezaninë» gjendet aroma e rinisë së humbur, e mbrëmjeve të qeta provinciale, e atyre ndjenjave që lindin pa zhurmë dhe që vazhdojnë të jetojnë në kujtesë shumë kohë pasi jeta ka marrë një drejtim tjetër. Ka në këtë novelë një mall të papërcaktuar, një trishtim të ëmbël që vetëm Çehovi di ta përshkruajë, sikur të na kujtonte se disa lumturi nuk janë të destinuara të zgjasin, por vetëm të na ndriçojnë për pak çaste. Tek «Bashkëshortja», ai depërton me një finesë të rrallë në botën e marrëdhënieve njerëzore, në ato heshtje që ndërtohen mes njerëzve që ndajnë të njëjtën shtëpi, të njëjtën tryezë, të njëjtën jetë, por që jo gjithmonë arrijnë të ndajnë edhe të njëjtat ndjenja. Çehovi e di se njeriu është një qenie e ndërlikuar dhe se dashuria nuk është gjithmonë dritë por ndonjëherë pritje, keqkuptim, mungesë dhe mall. «Një shaka e vogël» mbetet një nga ato tregime që lexohen me një buzëqeshje të lehtë dhe mbyllen me një psherëtimë të heshtur. Në pak faqe, Çehovi arrin të thotë gjithçka për kujtesën, për emocionet e para, për ato çaste që në dukje janë të parëndësishme, por që, me kalimin e viteve, bëhen pjesë e pandashme e historisë sonë personale. Në «Zinoçka» ndiejmë nostalgjinë e kohës që ikën, ndërsa tek «Bukuroshet» autori na kujton se bukuria është një nga përvojat më të thella dhe më të trishta njerëzore, sepse ajo është gjithmonë e lidhur me kalueshmërinë. E bukura na prek pikërisht sepse e dimë se nuk mund ta mbajmë gjatë pranë nesh. Dhe pastaj është «Zonja me kone», ajo perlë e vogël letrare që vazhdon të emocionojë breza të tërë lexuesish. Pak autorë kanë ditur të flasin për dashurinë me aq delikatesë sa Çehovi. Pa retorikë, pa deklarata madhështore, pa patetizëm vetëm me heshtje, me vështrime, me mall dhe me atë ndjenjë të thellë se jeta, pavarësisht gjithçkaje, vazhdon të na surprizojë edhe atëherë kur mendojmë se e kemi kuptuar plotësisht. Ndoshta kjo është arsyeja pse Çehovi është një shkrimtar ideal për verën sepse vera vetë është një stinë çehoviane. Ajo na fton të ndalemi, të shohim më me kujdes detajet e vogla, të rikujtojmë njerëzit që kemi dashur, vendet ku kemi qenë të lumtur dhe ëndrrat që dikur na dukeshin të pafundme. Dhe ndërsa planifikojmë librat që do të lexojmë gjatë këtyre muajve të ngrohtë, mendoj se pak autorë mund të na bëjnë shoqëri më të mirë se Anton Çehovi. Sepse ai nuk na mëson si të jetojmë, por na ndihmon të vërejmë më mirë jetën. Të ndalemi përballë saj me më shumë butësi, me më shumë mirëkuptim dhe me atë ndjeshmëri të rrallë që vetëm letërsia e madhe di të zgjojë. E ndoshta, kur vera të ketë mbaruar dhe faqet e librave të jenë zverdhur pak nga dielli, do të na mbetet ende në shpirt ajo aromë e lehtë dhe e paharrueshme që Gorki e përkufizoi kaq bukur. Aroma e jetës, e mbyllur me mjeshtëri në flakonet e vogla, elegante dhe të pavdekshme të Anton Çehovit.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit