Nëntë zërat e Muzave

Ndaje

Në fillimet e botës, kur qielli ende nuk kishte marrë formën e tij të plotë dhe toka nuk kishte emër të qëndrueshëm, mitet flasin për një kohë kur gjithçka ishte ende e padallueshme, mendimi nuk ishte ndarë nga ndjenja dhe fjala nuk kishte dalë ende nga heshtja. Në këtë mjegull të lashtë, ku rendi sapo po kërkonte të lindte, u shfaq Zeus si forca që i jepte formë kaosit, si rregulli që mbante botën në ekuilibër. Por edhe rendi më i fuqishëm, sipas rrëfimeve të vjetra, nuk mjafton për të shpjeguar gjithçka që njeriu përjeton sepse përtej rrufesë dhe ligjit, ekziston një botë tjetër, ajo e ndjeshmërisë, e kujtesës dhe e frymëzimit dhe pikërisht këtu hyn Mnemosyne, perëndesha e kujtesës, jo si arkiv i së shkuarës, por si gjallëri e vazhdueshme e saj. Nga bashkimi i këtyre dy forcave, rendit dhe kujtesës, lindën Muzat, nëntë prani të padukshme që nuk banonin në tempuj të ngurtë, por në hapësirën e brishtë mes mendjes dhe botës. Ato nuk shfaqeshin me zhurmë, por me një lloj dridhjeje të brendshme, si një ide që lind papritur ose si një ndjenjë që merr formë në fjalë. Muzat ishin nëntë dhe secila mbante një mënyrë të veçantë të të kuptuarit të botës nga Calliope, muza e poezisë epike dhe e fjalës së madhe që rrëfen histori që tejkalojnë një jetë të vetme,Clio, që ruante kujtesën e historisë, jo si datë, por si kuptim i ngjarjeve që formësojnë njerëzit,Euterpe, që sillte muzikën dhe frymën e tingullit që i jep ndjeshmëri heshtjes, Thalia, që e kthente jetën në lehtësi dhe buzëqeshje përmes komedisë, Melpomene, që kujtonte tragjedinë, peshën e dhimbjes dhe thellësinë e fatit njerëzor,
Terpsichore, që e shndërronte trupin në gjuhë përmes vallëzimit dhe harmonisë, Erato, që i jepte formë dashurisë në vargje të buta dhe të zjarrta njëkohësisht, Polyhymnia, që ruante heshtjen e shenjtë dhe meditimin, aty ku fjala pushon dhe mendimi thellohet,
Urania, që ngrinte shikimin drejt qiellit dhe e kthente vështrimin njerëzor në kërkim të pafundësisë.
Në rrëfimet e lashta thuhej se kur një njeri prekej nga Muzat, ai nuk fitonte pushtet mbi botën, por një mënyrë tjetër për ta parë atë. Ai fillonte të kuptonte se çdo gjë që ekziston ka një ritëm të brendshëm, një harmoni që nuk shihet me sy, por ndihet me mendje dhe shpirt. Lidhja e tyre me Zeus nuk ishte thjesht prejardhje, por simbol i një ekuilibri më të thellë,fuqia që ndërton botën dhe frymëzimi që i jep asaj kuptim. Pa njëra-tjetrën, as rendi nuk do të ishte i plotë, as krijimi nuk do të kishte shpirt.Dhe kështu, Muzat nuk mbetën vetëm figura të mitit, por u shndërruan në një mënyrë të menduari,në idenë se arti, historia, muzika dhe fjala nuk janë thjesht produkte njerëzore, por gjurmë të një frymëzimi më të madh, që ende sot vazhdon të jetojë në çdo përpjekje për të kuptuar botën dhe veten.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit