Muzat, zërat që frymëzuan botën.

Ndaje

Në fillesat e mendimit njerëzor, kur arti nuk shihej si një aftësi që mësohet por si një dhuratë që të jepet, grekët e lashtë besonin se çdo varg i bukur, çdo melodi e rrallë dhe çdo ide e ndritur kishte një burim të padukshëm , Muzat, ato figura të lehta e të përjetshme që, sipas mitologjisë, ishin bijat e Zeus dhe të Mnemosyne, një bashkim simbolik mes fuqisë dhe kujtesës, prej nga lindte vetë krijimtaria. Në fillim, ato nuk kishin formën e perëndeshave të plota që njohim sot, por shfaqeshin si nimfa, si një lloj pranie e padukshme që pëshpërinte ide në mendjen e poetëve, dhe vetëm më vonë, përmes rrëfimeve të autorëve si Hesiodi, u sistemuan në nëntë figura të qarta, secila me rolin dhe fushën e saj.
Calliope, muza e poezisë epike, Clio, e historisë, Erato, e poezisë lirike dhe dashurisë,
Euterpe, e muzikës, Melpomene, e tragjedisë, Thalia, e komedisë, Terpsichore, e vallëzimit, Polyhymnia, e himneve dhe meditimit dhe Urania, e astronomisë , një ndarje që tregon se grekët nuk e shihnin dijen si një tërësi të paformë, por si një univers të organizuar, ku çdo fushë kishte shpirtin e vet. Prania e Muzave nuk ishte thjesht një element mitologjik, por një pjesë aktive e jetës artistike dhe intelektuale në Ancientën Greke ku poetët e mëdhenj nuk fillonin kurrë një vepër pa i thirrur ato, mjafton të kujtojmë se si Homeri hap Iliadën dhe Odisenë me një lutje të drejtpërdrejtë ndaj Muzës, duke i kërkuar asaj jo vetëm frymëzim, por edhe drejtim në rrëfim, si të ishte një udhërrëfyese e padukshme në një botë plot histori. Ky besim nuk ishte thjesht simbolik pasi ai ndikonte drejtpërdrejt në mënyrën si krijohej arti, sepse e zhvendoste burimin e tij nga individi tek hyjnorja, duke i dhënë krijimtarisë një dimension të shenjtë dhe një përgjegjësi më të madhe, pasi poeti nuk ishte më vetëm autor, por edhe ndërmjetës i një zëri më të lartë. Madje, në shumë qytete greke, Muzat nderoheshin në vende të veçanta, si në malin Helikon apo Parnassus, që konsideroheshin si hapësira ku frymëzimi ishte më i afërt dhe më i prekshëm. Me kalimin e kohës dhe me përhapjen e krishterimit në Evropë, besimi në Muzat si qënie hyjnore filloi të zbehej, por ideja e tyre nuk u zhduk kurrë plotësisht, ajo mbijetoi në gjuhë dhe në kulturë, duke u kthyer në metaforën e njohur të “muzës” si burim frymëzimi për artistët, shkrimtarët dhe krijuesit e çdo epoke. E pra, Muzat nuk janë vetëm një kapitull i bukur i mitologjisë greke, por një dëshmi e mënyrës se si njeriu ka kërkuar gjithmonë të shpjegojë atë moment të mistershëm kur një ide lind papritur, kur një varg merr formë pa u menduar gjatë, dhe kur krijimtaria duket sikur nuk vjen nga brenda nesh, por nga një vend më i thellë, më i lashtë dhe ndoshta, ende i pashpjegueshëm.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit